Roman dashurie: Mbrojtësi (16)

  • E. /
  • 08 February 2022 - 15:52
Roman dashurie: Mbrojtësi (16)

- Të thashë, më pëlqen që të punoj natën. Natyrisht, ka aty edhe ikje. Gjatë ditës çdo myshteri mund të më shikojë mirë. Disa munden edhe të më njohin. Në veturë mund të më ulen njerëz me të cilët dikur kam luajtur bixhoz, duke menduar se, tani, janë në një gjendje më të mirë se unë, meqë punoj si taksist. Disa mund të tregojnë zemërgjerësi, duke m'i kthyer të mirat që ua kam bërë, duke më propozuar punë të re, ndonjë vjedhje, ndonjë pështjellim. Kushedi, ndoshta edhe do të pranoja, e më pas çdo gjë do të kthehej në fillim, e unë do të bija në fund. Valdetja përnjëherë ndjeu sesi këtë mbrëmje ajo është në rolin e këshillëdhënësit, apo të paktën, të dëgjuesit, i cili ndihmon qoftë edhe vetëm me praninë e vet.

 Por, njerëzit e tillë më shumë dalin gjatë natës, apo jo? - E vërtetë, por nata hyn edhe në automobil. Zor se mund të më njohin, meqë nuk presin që të punoj si taksist. Në mbrëmje, ata që i evitoj ose argëtohen, ose vjedhin, ku asnjërin nga këto aktivitete nuk e bëjnë me anë të taksisë. - Ka logjikë në këtë, edhe pse nuk e kam të qartë pse fshihesh kaq shumë. Nëse një herë ke dalë nga rrethi i kriminelëve, atëherë nuk do të duhej që të kishe frikë se do të kthehesh atje përsëri.

Nuk është krejt kështu... Shiko, unë jam tërhequr nga vjedhjet dhe problemet, bile edhe nga kumari, për shkak të një vajze, të cilën e kam dashur më së shumti në botë. Për një vit me radhë kam refuzuar të gjithë shokët të cilët më ftonin që të kthehesha atje ku mendonin se e kisha vendin. E, më pas, një kriminel i njohur ma ofroi që ta kryeja një punë për të. Bëhej fjalë për një shumë të madhe parash, për aq shumë para, saqë mund t'i zgjidhja të gjitha problemet e mia.

Flitej për një plaçkitje të madhe. U dorëzova. Thosha me vete, vetëm edhe këtë herë dhe do t'i jepja fund. Por, ende pa u bërë plaçkitja, dikush na spiunoi dhe që të gjithë përfunduam në burg. Mua më dënuan me një vit e gjysmë, për shkaqe për të cilat tani nuk dua të të tregoj, që të mos marrë kohë. Kur dola nga burgu, e dashura ime tanimë ishte me dikë tjetër, respektivisht ishte martuar me të. Për këtë shkak, përsëri iu ktheva bixhozit, ku në një moment, pasi që humba krejt çka kisha, kuptova se kjo nuk ishte rruga ime dhe se doja ta gjeja motivin për një jetë ndryshe, më normale.

Kishte shumë momente të këqija, por ato nuk dua t'i kujtoj. - Të kuptoj. Edhe? A e gjete atë motivin e ri? - Ende jo. Dikur ai motiv ishte dashuria, por pasi që u dëshpërova në dashuri, kuptova se ajo nuk ishte gjëja për të cilën kisha nevojë. Mendoj se motivi më i mirë do të ishte një fëmijë, fëmija im. - Krejt çka të duhet për këtë, është një grua. - Do të martohesha me femrën e parë, e cila do të pranonte që të ma lindte një fëmijë, por që të mos jetonim bashkë. - Qysh?! - Pas Lules, femrës e cila më la derisa isha në burg, nuk besoj se ka femër pas së cilës mund të çmendem deri në atë masë, saqë të jetoj me të, duke rrezikuar që edhe një herë të lidhem.

Por, nuk ka shumë femra që do të pranonin të bënin fëmijë me një mashkull i cili nuk dëshiron të jetojë me to. - Do ta gjej një. - E, pse nuk provon që t'ia japësh shansin ndokujt, pse nuk provon që të biesh në dashuri? - Me kë, Vali? Nuk di si duhet të jetë një femër, që të mund të ma largojë frikën nga lëndimi. Nëse do të më lëndonte një femër edhe një herë, atëherë do të shkatërrohesha i tëri. Më nuk do të kisha as dëshirë e as vullnet që të largohem nga vjedhjet, droga, mashtrimet e krejt të tjerat. Për këtë shkak, më mirë është që të mos rrezikoj. (vijon)

(Kosova Sot Online)