Lexoni edhe:
Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magji (3)
- Po ti me të vërtetë je shtrigë - i tha ai me gjakftohtësi. - Çka të kam bërë, që më urren kështu? - e pyeti ajo, duke e zbutur paksa shikimin. - Fort mirë e di ti çka më ke bërë. Unë e doja atë vajzën më shumë se gjithçka, e ti nuk u durove pa u përzier. Vetëm kujdes! Nëse i mungon vetëm edhe një qime nga koka, do ta di se ti ke qenë - e akuzoi ai. - Nuk kam faj unë që ajo të braktisi ty - filloi ajo që të mbrohej. - Ajo kurrë nuk do të më linte, sikur të mos përzieje ti diçka në ato tenxheret e tua. Nuk të pëlqente meqë ishte e varfër, apo jo!? - Unë kurrë nuk do t'ia bëja një gjë të tillë fëmijës tim. - Po rren! - i bërtiti ai i zemëruar.
Po më rren sy më sy. Kurrë nuk do të ta fal atë që më ke bërë! - Sikur të mos merresha me magji, tani do të ishim në rrugë… - disi pa dashje pranoi ajo atë për çka ne kishim dyshuar gjatë tërë kohës. Tomori e shikoi me neveri dhe shkoi në dhomën e vet. Por, duke shkuar, u ndal paksa dhe, me urrejtje në fytyrë, tha: - Më nuk ke nevojë që të bësh magji, meqë nuk ka magji që mund ta largojë urrejtjen që kam ndaj teje. Unë po dal nga shtëpia - tha ai dhe shkoi në dhomë, për t'i marrë gjërat e veta. Ariani dhe unë kishim mbetur duke shikuar në dysheme. Nuk dinim ku të shikonim dhe çka të thoshim. - Bir, mos bëj marrëzira - i bërtiti ajo, por ai nuk u ndal.
Ngjarje e vërtetë: Njerka na bëri magji (3)Lexoni edhe:
Më nuk ta kam frikën - ia ktheu ai me zemërim. - E ju të dy, çka i keni hapur sytë?! Shporruni sa s'ju kam përzënë edhe juve nga shtëpia. Mendoni të pillni dhe të rrini këtu përgjithmonë? Harrojeni! - na u kërcënua, e unë dhe Ariani, sikur dy fëmijë të dëgjueshëm, shkuam në dhomën tonë. E pamë Tomorin duke hedhur rrobat e veta. - Urime dhe, më mirë e keni që të mos rrini këtu, nëse doni që të jetoni të lirë! - tha ai. - Nuk kemi ku të shkojmë, kam mbetur pa punë.
E, gruaja është shtatzënë. Tomori u ndal për një moment dhe nxori një duq parash nga xhepi i tij i pasmë. - Merrini këto derisa të sistemoheni - tha disi, si me pishman. - Por këto të duhen edhe ty - thash e habitur. - Mos u mërzitni për mua, do të gjendem unë disi. Kam vetëm një lutje - tha ai, duke u ndalur për një moment. - Nëse më kërkojnë në këtë adresë, kurrë mos tregoni se ku gjendem. Unë do t'ju lajmërohem sapo të mundem - tha me një zë më të ulët. Atëherë na tregoi atë që edhe ne dyshonim. Me të vërtetë merrej me gjëra ilegale dhe nuk merrej vetëm me ndërtimtari. - E ajo vajza? - e pyeta përnjëherë, as vetë nuk e di pse.
Bashkë jemi, por nuk duhet t'i tregoni asaj shtrigës, meqë do të mundohet të na ndajë përsëri - na tha paksa edhe duke na u kërcënuar. I premtuam se do t'ia ruanim sekretin. Deri në atë moment ndoshta edhe nuk e kishim marrë aq seriozisht magjinë e Meritës, por duke parë se sa shumë frikësohej biri i saj, Tomori, disi me frikë preka barkun tim të fryrë pak. - Ruajuni - na tha ai dhe u zhduk. Gjatë ditëve në vijim Ariani ishte tepër i dëshpëruar, meqë kishte mbetur pa punë. Kishte trokitur në të gjitha dyert për punë, por më kot. Unë vendosa që ta regjistroja fakultetin, në mënyrë që e ardhmja jonë të ishte më e ndritshme. Linda një vajzë të mrekullueshme, të cilës ia lamë emrin Dëbora. Ariani përfundimisht gjeti një punë stabile dhe ia dilnim disi të jetonim nga rroga në rrogë. Por, përsëri ishim të detyruar që të jetonim me Meritën. Herë pas here ajo na bënte me dije se jetonim në shtëpinë e saj dhe se ajo na ndihmonte, derisa një ditë nuk iu kundërvu Ariani. (vijon)
(Kosova Sot Online)