Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (3)

  • E. /
  • 22 February 2022 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (3)

Ndjeja sesi më thahej goja, sikur diçka më shtrëngonte në fyt, e ajo diçka më shtrëngonte aq shumë sa që mezi mora frymë. Si mundej ajo t'i dinte të gjitha detajet? Mos i kishte thënë kush gjë? - E di çdo detaj të kësaj shtëpie, çdo pjesë të mobilieve, çdo pikturë të varur. Nëse doni, do t'ua përshkruaj çdo detaj të këtij ambienti, duke filluar nga kuzhina e cila ka ngjyrë qershie të pjekur, deri te ngjyra e pllakave në banjën tuaj. Ju pëlqen e kuqja, e kjo shihet në çdo hapësirë - tha vajza.

Shumë mirë e di sesi e kam shtëpinë - thashë me ndjenjën e poshtërimit. Nëse kishte për qëllim që të më lëndonte, këtë e bënte shumë mirë. Që nga vdekja e Malit nuk isha ndier kaq e mjerë. - Por, qëllimet tuaja ende nuk i kam të qarta - mundohesha që t'i përzgjidhja fjalët me kujdes. I kisha rënë pishman që e kisha lënë të më hynte në shtëpi. - Fëmijën që e kam... a do ta rrisni ju? - më pyeti në mënyrë direkte. - Çka? - nuk mund t'iu besoja veshëve. - Edhe pse e dua djalin tim, nuk mund të përkujdesem për të. Kam filluar lidhjen me një mashkull tjetër dhe më duhet që të largohem nga ky qytet.

Ai më do mua, por jo edhe djalin tim, e unë nuk kam kujt t'ia lë atë. Fëmija im ka të drejtë në këtë shtëpi, në gjithçka që ka pasur Mali. Sikur të mos vdiste, ai do të shkurorëzohej nga ju dhe krejt kjo pasuri do të më takonte mua. Ai nuk ju ka dashur - vajza nuk e kishte idenë se sa ishte duke më rënduar me fjalë. - E, pasi ta analizoj pak më mirë, ju jeni tepër e vjetër që të keni fëmijë, kështu që djali im do të jetë i mirëseardhur për ju. - Jashtë! - bërtita me tërë fuqinë që pata.

 Dil jashtë! - e humba kontrollin ndaj vetes, gjë që kurrë më parë nuk më kishte ndodhur. - Me kënaqësi - tha ajo duke buzëqeshur. - Tani e kam të qartë pse ai kërkonte ngushëllim te femrat e tjera - nuk mundi e të mos ma lëshonte edhe një bombë ajo. - Nëse ju intereson, shtëpia është imja. Mali nuk kishte asgjë dhe, edhe po të shkurorëzohej nga unë, nuk do të merrte asgjë! - bërtita derisa ajo ishte dalë. - Nëse nuk kishte asgjë, atëherë as juve nuk ju ka dhënë gjë. Shiko! As fëmijë me juve nuk donte të bënte - më tha vajza duke demonstruar kokëfortësinë e saj edhe një herë. U ndjeva e lehtësuar pas largimit të saj. Ndjeva sesi më dridhej tërë trupi. Isha e tmerruar, gjë që ishte fjalë tepër e butë për atë që përjetoja në ato momente.

Mali im? Jo, ai kurrë nuk do të ma bënte një gjë të tillë. Isha thuajse tërësisht e vërtetë që ajo vajzë ishte duke rrejtur, por nuk e dija pse. Nuk mund ta kuptoja. Nëse kishte fëmijë, atëherë pse donte ta hiqte qafe atë? Ajo më kishte ofenduar më së shumti në botë, nëse nuk e marr parasysh Malin, e ai edhe ashtu më nuk është këtu, kështu që nuk mund të shfryhesha te ai. Ende i kisha çelësat në dorë. Shkova dhe e mbylla derën. E lashë çantën dhe e hoqa pallton. Më pas edhe këpucët. Shkova dhe e qita, më pas edhe e piva, një gotë konjak. Nuk pija alkool shpesh, por këtë herë ndjeva nevojën për një gjë të tillë. Duhej të relaksohesha, por si? Mendimet i kisha kaotike, koka më ziente, sikur të kisha në të njëmijenjë miza.

E zemra? Ajo më ishte thyer. Më tmerroi cingërima e celularit. Kur pash se ishte Krenari, për disa momente u hamenda, a t'i lajmërohesha, apo jo. Por, e dija se sa këmbëngulës që ishte ai. Nuk do të heqë dorë derisa të ma dëgjonte zërin. Duke e ditur këtë, ia hapa telefonin dhe i fola edhe pse këtë nuk e bëra aspak me dëshirë. - E dashur - më tha Krenari duke pëshpëritur. - Do të vij të të marr në orën nëntë - u drodha kur e dëgjova zërin e tij. (vijon)

(Kosova Sot Online)