Lexoni edhe:
Roman dashurie: Lidhja e pashkëputur (6)
- Ashtu që ua ke kthyer shpinën fëmijës dhe gruas që, gjoja, i ke dashur? Doje të na mbroje? - me zë të dridhur fliste Catherine, duke kthyer kokën anash, për t'i fshehur lotët. Në atë moment, ndjeu duart e tij të ngrohta në supe. - Catherine, tmerrësisht më vjen keq... Ajo u kthye, për ta shikuar në sy. - Me të vërtetë më vjen keq - përsëriti duke ia fshirë lotët. Asnjëherë nuk mund ta shihte duke qarë. - Ajo që kam bërë ishte e marrë dhe e pashpirt, por në atë moment mendoja se ishte veprimi i duhur. Kurrë nuk më kishte shkuar mendja se ajo do të përfundonte në atë mënyrë. Këtë nuk e doja. E dija se do të ishe nëna më e mirë në botë. Catherine donte t'i besonte, por ende vazhdonte që ta ndiente një dhembje të ashpër. Ia shtyri dorën.
Roman dashurie: Lidhja e pashkëputur (6)Lexoni edhe:
Nuk dua të bisedoj për këtë! Nëse sadopak ke konsideratë ndaj meje, më lër të qetë! - Nuk mundem. - Për shkak të Moirës? - e pyeti. - Jo vetëm për atë shkak. Nuk dua që midis nesh gjërat të përfundojnë në këtë mënyrë. Në fakt, ne do të duhej të qëndronim bashkë. Ishte evidente që Romani e kishte vështirë edhe pse, asokohe, vetë ai e kishte shkëputur lidhjen, duke thënë se ajo dhe bebja do ta kishin më mirë pa të. E shikonte në sy, duke kërkuar njeriun të cilin dikur e kishte dashur aq shumë... - Ik, të lutem! Ai e ngriti dorën sikur të donte ta ledhatonte, por në momentin e fundit sikur ndërroi mendjen. - Natën e mirë, Catherine! Sapo u largua Romani, Catherine u ul dhe kapi kokën me duar. Si do t'i përballonte ajo vizitat e tij të përditshme dhe kujtimet për të kaluarën? Moira u ul afër Catherines dhe filloi t'ia lëmonte flokët, duke e shikuar me sytë e një personi të rritur. - Mendoja se ishe te Lesley - tha Catherine duke ofsharë. - Isha. A të mundoi? Më trego për këtë farë Romanin! - Ai është avokat, i mbron të drejtat e fëmijëve. - Por, ai nuk vjen këtu vetëm për mua, apo jo? Ai është i dashuruar në ty, e as ti nuk je indiferente. - Mos fol marrëzi! - Nuk jam ekspert për ndjenja, por ashtu më duket.
Gjithmonë skuqesh kur e përmend. - Më nervozon, meqë mendon se është më i mençuri. A ke harruar se ai të kërkon ty dhe se dëshiron të të kthejë në shtëpi? Moira u zbeh, kurse Catherine i ra pishman për atë që tha. - Pse nuk bisedon me të, Moira? Tregoja të gjitha, ai do të të ndihmojë, sidomos kur ta marrë vesh sesi prindërit donin të të braktisnin. Romani dhe unë nuk pajtohemi midis veti, por e di se, kur flitet për fëmijët me probleme, ai është njeriu më i mirë për të ofruar ndihmë. - Mirë, do të mendoj. Je e mrekullueshme. Catherine. Më ke pranuar dhe nuk më bën pyetje... të paktën, jo tepër - fjalët e Moiras ia mbushën sytë me lot. - Me siguri mendon se jam tepër e re që të përkujdesem për veten time, por kështu është më së miri.
Nëse të pengoj, mund të shkoj, por te ti ndihem më e sigurta. Ty, Leslien dhe Reten ju përjetoj si anëtarë të familjes. - Ah, shpirt, vetëm dua ta bëj më të mirën për ty. Prindërit e tu me gjasë janë të çmendur nga shqetësimi. E, as në shkollë nuk je duke shkuar... - Kam disa libra në çantë dhe nuk më duhen arsimtarët për të mësuar. Sikur z. Bates të ishte i sigurt që gjendem këtu, ai me gjasë menjëherë do t'i njoftonte prindërit e mi. - Nuk besoj. Joe Saton dhe Roman me gjasë dinë shumë më shumë, mendoi Catherine. Ndoshta për këtë shkak nuk kishin insistuar menjëherë që ta kthenin vajzën te prindërit e saj.
Me siguri ekziston ndonjë arsye e mirë që deri më tani, ata nuk kishin ndërmarrë asgjë. E, Catherine duhet ta dijë këtë. - Nëse nuk mund ta mundësh armikun, atëherë bashkoju atij! Së shpejti Roman dhe Joe do të bëhen miq të mi të mirë - buzëqeshi Catherine. Në fakt, donte që njëherë të bisedonte me Joen, por kur e thirri në polici, i thanë se ai kishte dalë në terren. Mirë, do të flas me Romanin, mendoi ajo. "Do të shkoj direkt në zyrën e tij". Vendosi që të mos e thërriste me telefon. Le të vendoste fati a do ta gjente në zyrë, apo jo. (vijon)
(Kosova Sot Online)