Ngjarje e vërtetë: Për pesëmbëdhjetë vjet nuk dola nga shtëpia (1)

  • E. /
  • 18 May 2022 - 16:00
Ngjarje e vërtetë: Për pesëmbëdhjetë vjet nuk dola nga shtëpia (1)

Pasi mbarova me rruajtje, iu avita pasqyrës. Sytë m'u mbushën me lot. Pamja ime e brendshme nuk kishte ndryshuar, ajo vazhdonte që të ishte e gjallë dhe e etur për aventura, të cilat ma kishin karakterizuar jetën, por ai shpirt ishte i rrethuar me këtë trup të moshuar me rrudha. Kur do të dilja jashtë, e shumë herë doja ta bëja një gjë të tillë, si do të reagonin të tjerët ndaj meje? Me neveri, me të njëjtën neveri të cilën edhe unë e ndjeja ndaj vetes? Unë thjesht doja që të tjerët të më kujtonin të tillë sikur që isha dikur dhe nuk doja që me paraqitjen time të frikshme t'i largoja ato kujtime të bukura. Më së vështiri e kisha që ta duroja veten time. Ky ishte një ferr i vërtetë për mua.

E, dikur jeta ishte sikur kopsht i parajsës. Korrja frytet e bollshme të jetës dhe nuk pendohesha për asgjë, pos për faktin se gjithçka kishte zgjatur tepër shkurt dhe se lulja e rinisë sime ishte vyshkur tepër herët, të paktën sipas mendimit tim. Kurrë, asnjëherë nuk mendoja rreth të ardhmes sime, e as rreth asaj që më priste. Rinia nuk mendon për pleqërinë, e as për të gjitha ato ndryshime të cilat ishin të domosdoshme, kështu që as unë nuk bëja përjashtim.

Çdo ditë e jetoja sikur të më ishte e fundit. Nuk më interesonte askush, e as nuk kishte rëndësi se a do ta lëndoja ndokënd. Pse do të më interesonte? Asgjë nuk e merrja me zor, e as nuk kam qenë i detyruar ta përdorja dhunën në cilëndo periudhë të jetës sime. Atë që nuk e fitoja me sharm, e blija me para dhe, kjo ishte e tërë filozofia e jetës sime. Kënaqesha me femra, me miq, kurse tani isha i vetëm, si i mallkuar. Ndonjëherë tek unë vinte vëllai, herëve tjera djali dhe kjo ishte e tëra. Kisha lindur në një familje të pasur dhe meqë qyteti im ishte bregdetar, ishte logjike që shpirtin tim aventurier ta lija të notonte nëpër të gjithë detet e botës. Kjo ishte një punë ëndrrash, që ma kishte mundësuar që të largohesha nga ambienti i varfër dhe të njihesha me të gjitha kulturat, zakonet, të gjitha ato të mirat që mi ofronte çdo port, e unë e kisha shfrytëzuar këtë. Rroga ishte e mrekullueshme, por unë u ktheva në shtëpi me duar në xhepa. Të gjitha paratë i kisha shpenzuar në femra, në salltanet dhe, për një kohë të shkurtër, u bëra i njohur në të gjitha portet ku kisha qenë. Jetoja sikur që doja, me mushkëritë plot, prandaj nuk kishte asnjë femër të cilën e kisha dëshiruar, e nuk e kisha bërë për vete. Evitoja të gjitha kurthet që mi ngritnin femrat.

Asnjërës nuk ia kisha falë zemrën, por vetëm trupin, paratë dhe dhuratat e pasura. Në fund, të gjithë ishin të kënaqur. Deri në moshën 30-vjeçare jetoja në këtë mënyrë. Isha i lirë si zogu në rrem, por pasi që u ktheva nga njëri prej udhëtimeve të mia, u njoftova me Dominon. Nuk e di çka kishte të veçantë tek ajo, por u çmenda pas trupit të saj, pas faktit që dukej e paarritshme dhe nga rinia e saj. Çkado që provoja, refuzohesha. Ishte femra e vetme që më bënte ballë,e ky refuzim i saj te unë vetëm sa e ndizte edhe më shumë zjarrin e dashurisë. E dëshiroja më shumë se çdokënd tjetër. Doja që ta kisha vetëm për veten time dhe, përgjithmonë. Kur tentova t'ia thosha këtë, vetëm ma hodhi një shikim shpues. Kurrë në asnjë rast nuk isha munduar rreth ndonjë femre, sesa rreth saj. (vijon)

(Kosova Sot Online)