Roman dashurie: Në shikim të dytë (35)

  • E /
  • 25 June 2022 - 15:34
Roman dashurie: Në shikim të dytë (35)

- Nëse po, atëherë e ka shëruar me gardërobë të re. Ditën e dytë, me të dalë nga spitali, porositi që në adresë të shtëpisë t'ia sillnin modelet më të reja të kostumeve dhe palltove. Përzgjodhi dhjetë modele të ndryshme, si dhe shumë shami, shalle dhe kapela. Kaq sa i përket stresit të saj! - O, kur jemi te shallet... - tha Jayda, duke u zgjatur për ta marrë qesen nga komodina, dedikuar Bonies. - Kjo është për ty! Një shall, një zinxhir i artë dhe ëmbëlsira të atjeshme! - Je e mrekullueshme! - tha Bonie, duke marrë dhuratat dhe duke e përqafuar Jaydan. - Faleminderit! Askujt nuk i bie ndërmend për mua, përpos teje! Ti je e vetmja që më gëzon.

Jayda deshi që të thoshte se e njëjta gjë vlente edhe për të, por më pas iu kujtua Haradi dhe qaforja të cilën ai ia kishte dhuruar. Mendoi se sa do t'i ndryshonte jeta, po të mund ta donte atë, e ta harronte Marcusin. Marcusin, i cili me sjelljen e tij nuk linte aspak vend për dashuri. Ishte ende e tendosur kur, të nesërmen, shkoi në punë. Parashikonte që Marcus të vazhdonte të ishte ende nën ndikim të ndërgjegjes së lënduar, që do të vazhdonte të dyshonte në të dhe se do t'ia shfaqte mosbesimin e vet. Mund të paramendonte që ajo ditë për të të ishte shumë e ngarkuar dhe e mundimshme.

Derisa ishte duke shkuar për te zyra e vet, derisa këmbente përshëndetjet me kolegët, nuk mundej që të mos vërente shenjat e lehtësimit në fytyrat e tyre. I vinte keq për ta, duke ditur se do të kalonte shumë kohë para se Marcusit t'i shërohej krenaria, para se ta pranojë paraqitjen e një mashkulli tjetër në jetën e dashnores së tij. Duke marrë parasysh këtë, kolegët e saj ende mund të llogarisnin në sulme të zemëruara nga shefi i tyre. Me qëllim që t'i sqaronte gjërat, Jayda hyri në zyrën e Marcusit menjëherë pasi që ai erdhi në punë. Fakti që ai shtirej kinse nuk e vërente, ishte një shenjë e keqe. - Mbrëmë u largove para se të arrija të të thosha diçka... - filloi ajo, duke qëndruar e pavendosur jo fort larg dere.

 Si? - pyeti ai i shpërqendruar. Menjëherë e ndezi kompjuterin dhe mori disa dokumente, duke ia bërë me dije se nuk i interesonte aspak ajo që kishte për t'ia thënë. - Kishe të drejtë. Për mua me të vërtetë ka më shumë rëndësi që dikush të bëjë gjeste humane në emrin tim, sesa të ma blejë ndonjë qafore të shtrenjtë. - Mirë... - tha ai, duke mos e ngritur shikimin. Jayda priste që, pas kësaj që tha, ata do të përqafoheshin, të putheshin dhe të pajtoheshin, por kur një gjë e tillë nuk ndodhi, doli pa fjalë nga zyra e Marcusit. E ai atë ditë, mezi këmbeu ca fjalë zyrtarisht me të. Asaj i vinte keq që Marcus e injoronte, por, në anën tjetër, i vinte mirë që ai nuk ishte i zemëruar dhe që nuk sillej në mënyrë problematike, sikur gjatë ditëve të kaluara. Përkundrazi, mbajti mbledhjen e punës në mënyrë të qetë dhe të përqendruar, si dhe pranoi disa punëtorë, të cilët kishin kërkuar që të bisedonin me të për disa halle të veta. Jaydas i dukej se, me të mbaruar orari i punës, atij paksa iu përmirësua humori. I gatshëm që të largohej, ai iu afrua me një shprehje të fytyrës ku nuk kishte aspak hidhërim apo ashpërsi. (vijon)

(Kosova Sot Online)