Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (1)

  • E. /
  • 05 July 2022 - 15:54
 Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (1)

Kur u nisa për kurbet me lot në sy, në derën e vjetër nëna me shami në kokë më tha: - Shko bir shko, shko por askund nuk ka si fjalët e nënës, se nuk ka njerëz si në rrugën tënde, se nuk ka lule si në avllinë tënde, se shija e buzëve të dashurisë nuk është më e ëmbël se këtu. Mbaje mend bir. Mbaje mend. Më përcjelli nëna deri në krye të rrugës. Në ndarje më dha një mollë të kuqe nga kopshti ynë dhe një pjesë pite. Nuk kishte më shumë ajo. Derisa u nisa, nga larg më tha: - Bir, djali i nënës, fati qoftë me ty. Zoti të ruajttë dhe mos harro, vetëm një vend në botë quhet shtëpi. U kthye dhe më përqafoi fort dhe i ranë lotët.

Me shaminë e saj i ka fshirë dhe në xhep më lëshoi disa të holla. - T'i kesh me vete bir. Më përqafoi përsëri fort. Autobusi ndaloi. Unë hipa. Isha si një fëmijë që po shkon në ekskursion dhe ia bën me dorë nënës. Ishte ky ekskursioni i parë. Rruga e panjohur. Udhëtimi i parë imi. U nisa në drejtim të fatit. Në aeroport po pres aeroplanin për Berlin dhe vështroj një zonjushë. E shikoj! A po e njoh? Kapela po e mbronte nga dielli dhe nuk më lejonte ta dalloja. Kishte çfarë të shikoje. Vitet më kanë ndryshuar, disa rrudha, thinjat, barra e punës për të arritur në qëllim. Ajo është! Kjo ishte Lulja ime, mikja më e mirë. Drenusha ishte e kundërta e saj, por kjo kurrë nuk ishte arsye mos të ishin mike.

Kur kam lëshuar fshatin, Drenusha më tha: - Do të përcjellin lotët e Lules, gjithë jetën. Do të përcjellin. Mbaje mend këtë. Dhe, vërtetë më kanë përcjellë. Me dy mendje për t'iu afruar Drenushës, nëse i afrohem do të vonohem për aeroplan, nëse jo, do të vajtoj gjithë jetën. A nuk mjafton se po vajtoj për gjithçka? Duket se asgjë nuk më ka ndryshuar. Fluturimi niset për gjysmë orë. A mjafton të flasim për njëzet minuta. Vitet nuk e kanë ndryshuar Drenushën. Thuajse koha kishte ndaluar atë ditë kur për të parën herë e kam parë te oborri i Lules. Kishte mbetur e njëjta. Flokun e gjatë ngjyrë çokollatë, fytyrën pa asnjë rrudhë të vetme. Dukej bukur. Mund të thosha se bën jetë të shëndetshme dhe të mirë. Më vjen mirë për këtë. Po mendoja nëse udhëton te Lulja. Pyetem nëse vitet më kanë dënuar që kam ndryshuar kështu. Nuk do të më njihte. As unë veten time nuk do ta kisha njohur. Më kujtohet njëherë kur tezja ime më kishte thënë: - O Zot, kur marr fotografinë tënde të rinisë dhe e krahasoj me tani. Sa shumë që ke ndryshuar. Vitet, vitet. Ke fshehur diçka të madhe në rini, prandaj ke ndryshuar kështu. Bëj një hap drejt saj. Ishte vetë. Nuk ishte tipike për të.

Gjithmonë kishte shoqëri, ishte kryesorja, dominuese. - Zonjushë, a keni shkrepës? - Ou, çfarë komplimenti, por zonjushë … qeshi me të madhe. Po, po, pi duhanin nga shkolla e mesme dhe që atëherë detyrimisht se mbaj shkrepës, sikur të ishte hajmali. - Faleminderit. Po udhëtoni larg? - Jo shumë, në Berlin. Atje e kam burrin. Këtu isha me punë. Ju? - Njëjtë, në Berlin. Këtu kam pushuar pak. U kënaqa. - Po, gjithmonë është mirë këtu. Vendi ka një fuqi të madhe. (vijon)

(Kosova Sot Online)