Lexoni edhe:
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (12)
- Bukur, me të vërtetë bukur. E dija se do t'ia dilje. Si erdhe këtu, në qytet? - Pasi që kompania, në të cilën punoja, falimentoi tërësisht, m'u desh që të luftoja për ekzistencën time. Babai pinte raki, nëna ishte e sëmurë. Ganja më ftoi që të vija këtu. Më tha se do të më ndihmonte. Erdha këtu dhe, ja, mbeta për 20 vjet. Vetëm sa u takuam kalimthi. Unë erdha këtu, e ti shkove në Stokholm. Më trego ti mua për ty. - Pasi që diplomova, menjëherë u martova dhe shkova në Stokholm. I harrova të gjitha. Edhe livadhet e fshatit tim, e edhe asfaltin e qytetit të madh.
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (12)Lexoni edhe:
Suedia ishte ëndrra ime. Të kujtohet kur, për Shëngjergj, të thashë se jam duke u munduar që të shkoj në Suedi? U përpoqa dhe ia dola. Në ndërkohë edhe u dashurova. I ati i gruas sime kishte në Stokholm një zinxhir restorantesh dhe një kompani për auto-pjesë. Menjëherë u bëra pronari kryesor i një restoranti dhe, në këtë mënyrë, fillova realizimin e njërës prej ëndrrave të mia. Por, kisha edhe plane të tjera. Doja ta hapja kompaninë time, e cila do të merrej me ndonjë prodhim. Doja ta kisha brendin tim, me të cilin do të më njihnin të gjithë.
Së pari më lindi djali. As që u bë fjalë që ai ta përtërinte emrin e tim at. Kështu, Avniu e mori emrin sipas dëshirës së vjehrrit. Që nga atëherë mora vesh që, në atë familje, nuk do të isha më shumë sesa një dhëndër i dëgjueshëm. Megjithatë, nuk i rashë pishman. Qëllimi im kryesor ishte fitimi i parave. Nuk e di. Ka të ngjarë që kam qenë i tillë nga lindja. Ndoshta për shkak të fëmijërisë. Ti e di sesi kemi jetuar. - E di, thash duke përkujtuar fëmijërinë tonë. Jo shumë bukë, por kurrë nuk kishim pasur uri. - Shumë shpejt lindi edhe vajza Klara, e më pas edhe Sara. Jetonim mirë.
Unë e realizoja ëndrrën time. Në fshat shkoja tepër rrallë. Nëna dy herë ishte te unë, derisa babai, për shkak të sëmundjes së rëndë, nuk kishte mundur ta përballonte udhëtimin. Në fshatin e lindjes vetëm një herë kam shëtitur me familje. Ndoshta nuk do të më besosh, por njëherë m'u desh që të kaloja pranë shtëpisë tënde. Që të ma dhuroje një buzëqeshje, të ma ngrohësh shpirtin… Megjithatë, kurrë nuk të pash aty. Dëgjova që prindërit të kishin vdekur, e ti kishte shkuar diku larg. - Po, babai dhe nëna vdiqën disi shpejt e shpejt. Shkuan.
Me vite të tëra kishin vuajtur nga skamja, nga uria, dëshirat e kota... dhe, në fund, vdiqën. Në fakt, babanë e vrau rakia, derisa nëna vdiq nga mërzia për të, për mua, për motrën… Ndoshta ashtu ishte shkruar të ndodhte. Kur u nisa për në qytet, ajo më tha: "A edhe ti po ma kthen shpinën, a"? Me lot në sy i thash se, sapo të rehatohesha, do ta merrja atë me vete. Por, kur erdhi momenti i duhur, ajo ngurronte që të largohej nga fshati i lindjes. I pëlqenin livadhet, kopshti. I pëlqente që të ziente lakra turshi dhe që tërë shtëpia ta merrte erën e tyre. Asokohe ajo erë më bënte nervoze, derisa sot më mungon pa masë. Ende më duket se e dëgjoj sesi bërtet nga dhembjet e kurrizit.
Nuk mund t'i ndihmoja. Mjekimi kushtonte. U largova me qëllim që t'i ndihmoja, e pasi që u bëra me para, për të më nuk kishte shërim. Ende më kujtohen duart e saj plot kallo, duke punuar në bahçe, derisa ajo më thoshte se nuk kishte asgjë. E lusja që të pushonte, e ajo nuk donte t'ia dinte. Më thonë se ashtu vdiq, duke prashitë specat në bahçe. Për babanë nuk dua të flas. Nuk na dha asgjë të mirë. Megjithatë, mund të them se kisha një baba. Të mirë, të keq, i tillë si ishte. - Kjo është e vërtetë, Suzana. Që të gjithë thonë se nëna jote ishte më e vyeshmja në fshat. Janë të shumtë ata që më thonë se kam gabuar që nuk jam martuar me ty. (vijon)
(Kosova Sot Online)