Lexoni edhe:
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (14)
- Je kaq e mirë, drita ime! Babai dhe unë jemi aq krenarë me ty- nëna duke lëshuar në karrige tepsinë me ëmbëlsirat e sapopjekura. - Natyrisht, me mua nuk krenoheni - zëri i zemëruar i Anës më bëri që ta ktheja kokën. Motra ime qëndronte në derën e sallonit, e veshur për të dalë në qytet, me çantën mbi supe. Me një shikim të mërrolur na shikonte mua dhe nënën. - Edhe vetë e di se nuk është kështu, Ana. Ariana ka vendosur që të bëjë punë vullnetare dhe për këtë shkak... - Mos u lodh! Nuk më intereson bamirësia e saj më e re - e ndërpreu ajo nënën, duke dalë dhe duke e rrapëlluar derën. Nëna vetëm ofshau, derisa në fytyrë iu shfaq një shprehje e mërzisë. - Po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (14)Lexoni edhe:
Derisa ishit të vogla, nuk kishit probleme. Nuk e di çka ndodhi me të kohët e fundit - tha nëna e shqetësuar. - Puberteti, ja çka ka. Është e vërtetë se jemi larguar paksa dhe se Ana shpesh nervozohet me mua pa arsye - pranova edhe vetë e pakënaqur me raportin gjithnjë e më të keq me motrën time, tri vjet më të vogël. - Nuk është ajo e vogël më. I ka mbushur të 17-tat. Ti gjithmonë e arsyeton atë. merre një ëmbëlsirë, zemër. Kur duhet të shkosh? - Për dhjetë minuta. Do t'i shpërndaj drekat nëpër shtëpia - thashë duke shikuar orën. - A je e sigurt se do t'ia dalësh? Tani je në vitin e dytë të studimeve, ke më shumë për të mësuar. - Mos u mërzit, nënë. Provimet jam duke i dhënë me rregull, e përpos kësaj, kam edhe kohë të lirë. Dua t'iu ndihmoj njerëzve. Edhe Ariana tash e ca kohë ndihmon në kuzhinën humanitare. - Ndoshta kjo do të ishte më mirë edhe për ty, në vend që të shkosh nga shtëpia në shtëpi. Më duhet të pranoj se nga pak shqetësohem. Të shkosh në shtëpitë e njerëzve të panjohur. Kushedi në çfarë njerëzish hasë... - Mama, bëhet fjalë për pleq dhe njerëz të sëmurë që ushqehen nga ndihmat.
Do t'ua çoj ushqimin, do t'i ndërroj ca fjalë me ta dhe, kjo është e tëra - thashë pasi që e hëngra ëmbëlsirën me të shpejtë dhe u ngrita. Nuk doja që të vonohesha, prandaj u nguta. Derisa vozisja në ditën time të parë të punës vullnetare, mendoja për Anën. Sa ishim duke u rritur, kalonim mirë dhe pajtoheshim për gjithçka. Por, kur ajo ia nisi shkollës së mesme, e unë isha para maturës, raporti ynë filloi të prishej. Ana vazhdimisht grindej me prindërit, i ndërronte shpejt disponimi. Ishte bërë xheloze në mua dhe gjithnjë e më shpesh tërë inatin e shfrynte në mua. Më thoshte se mua prindërit ma kushtonin një kujdes më të madh, e atë vetëm sa e fajësonin. Gjithmonë kemi qenë të ndryshme. Unë isha e vyeshme dhe nxënëse e shkëlqyeshme e ajo mësonte nga zori dhe vetëm një herë ia doli që të kalonte shumë mirë. Kryesisht merrte 3-sha, derisa kujdestari i saj i klasës vazhdimisht ankohej për sjelljen e saj të keqe. Derisa unë qysh herët fillova të interesohesha për punët në kuzhinë dhe t'i ndihmoja nënës, ajo më me dëshirë rrinte me babin, duke e shikuar atë sesi e rregullonte motoçikletën.
As për nga pamja e jashtme nuk ngjanim. Unë isha e gjatë dhe belhollë, e ajo shtatshkurtër dhe me mbipeshë. Vazhdimisht mbante dietë dhe me xhelozi më shikonte sesi unë, pa problem, haja ëmbëlsira dhe akullore. E vetmja gjë që e kishim të përbashkët, ishte se të dyja ishim bionde, sikur nëna. Më pikëllonte sjellja e saj dhe zemërimi në mua, meqë me asgjë nuk e kisha merituar një gjë të tillë. Unë kurrë nuk i bëja vërejtje, e mu kjo sjellje e qetë e imja, sikur atë e bënte edhe më shumë nervoz. Ishte temperamente, derisa unë rrallëherë e humbja kontrollin ndaj sjelljeve të mia. (vijon)
(Kosova Sot Online)