Editoriali: Sundimtari e ka një plan krize - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Sundimtari e ka një plan krize

Editoriali: Sundimtari e ka një plan krize

Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, se SHBA-ja nuk është në dijeni se çka po bisedohet mes Kosovës e Serbisë, pra mes presidentëve respektivë, e bën edhe më të dyshimtë këtë dialog jotransparent . Në njërën anë presidenti ynë shfaq hapur pretendime territoriale antikushtetuese, duke fshehur të vërtetën e bisedimeve, ndërsa në anën tjetër presidenti serb duket i vendosur për të arritur një kompromis, që ua plotëson disa kërkesa bashkëkombësve të tij në territorin e Kosovës. Pozicionimi amerikan, që u përsërit nga disa zyrtarë të superfuqisë botërore, se nuk do të pranojnë çdo lloj marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, është porosi e qartë për promotorin e idesë së ndarjes, e që është skenar i kamotshëm i politikës hegjemoniste serbe. Tentativa e kreut të Republikës sonë për t'ia dhënë Serbisë pjesën më nevralgjike, është një grusht shteti dhe goditje e rëndë ndaj stabilitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Edhe pse ditëve të fundit, sidomos pas kthimit nga vizita e dështuar në SHBA, fjalori presidencial është zbehur sa i përket retorikës për "korrigjimin e kufijve", megjithatë është e qartë se i pari i vendit nuk ka hequr dorë nga aventura e tij, vetëm e vetëm që të shpëtojë nga Gjykata Speciale. Nuk ka asnjë arsye tjetër dhe kjo kuptohet në çdo paraqitje publike të presidentit, i cili duket se i ka ditët e numëruara tashmë. Por, pasojat e sundimit të tij mund të shtohen javëve e muajve të ardhshëm. I mësuar të mbijetojë e të triumfojë rrethana të krizave, presidenti aventurier mund të provokojë një krizë të re, duke e shfrytëzuar ndikimin e tij në koalicionin qeverisës dhe në Kuvend. Tre katër vota, që i duhen opozitës, nuk është befasi që të sigurohen së shpejti dhe kështu Parlamenti shpërndahet e vendi shkon në zgjedhje. I gjithë- pushtetshëm mbetet ai, presidenti famëkeq i Kosovës, që me siguri do të këmbëngulë në planin e tij monstruoz për t'ia falur veriun Serbisë!

 

(Kosova Sot)

16 orë e 6 minuta më parë
12/12/18