Lëvizja që i duhet Kosovës - Editoriali - Kosova Sot
Lëvizja që i duhet Kosovës

Lëvizja që i duhet Kosovës

Derisa të kemi një subjekt politik të hairit, që angazhohet për të mirën publike, qytetarët duhet ta marrin vetë në duart e tyre fatin e vendit. Përndryshe, jo vetëm do të rrudhemi si territor, por do të varfërohemi edhe më shumë, do të jetojmë më të pasigurt dhe perspektiva do të jetë më e errët sivjet.

Pushteti nuk mërzitet për fatin e shoqërisë, për sa kohë njerëzit durojnë dhe rrinë kokulur. Kritikat në medie dhe skandalet e përditshme nuk u bëjnë fort përshtypje, sepse demokracinë e kanë në grusht dhe organet e drejtësisë i dirigjojnë. Qeveritarët tanë janë në kulmin e papërgjegjshmërisë dhe, për fat të keq, as opozita nuk jep shpresë se mund ta bëjë ndryshimin. Zgjidhja mbetet një reagim gjithëpopullor si në Francë, për shembull.

Atje, për pak centë më shtrenjtë që u ngrit nafta, mijëra franceze mbushën rrugët dhe sheshet. Këtu te ne, e paguajmë edhe më shtrenjtë dhe as edhe një protestë më e vogla nuk mbahet! Është absurd sa vobektë reagojmë, edhe pse arsyet janë të forta për ta tronditur regjimin me protesta masive anekënd Kosovës. Ka një frymë oportunizmi, që e pengon këtë lloj reagimi, por të cilën populli ynë duhet ta tejkalojë.

Sivjet, motiv shtytës për të kundërshtuar qeverisjen e keqe dhe sundimin e egër të kësaj garniture, është më i fuqishëm se kurrë më parë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës janë vënë në rrezik nga i pari i shtetit.

Opozita është dorëzuar përballë kësaj aventure, prandaj vetëm protestat qytetare mund ta ndalin presidentin e shantazhuar dhe shkelës të Kushtetutës. Nga ana tjetër, asnjë garanci nuk ka se do të kemi zhvillim sivjet, punësime të reja apo investime serioze. Pjesa dërrmuese e buxhetit ndahet për ndihma sociale, e pjesa tjetër përmes tenderomanisë përfundon në xhepat e oligarkëve të pushtetit e biznesit.

Zgjimi popullor mund ta këndellë politikën pasive. Protestat paqësore janë në funksion të vënies në plan të parë të qytetarit të nëpërkëmbur. Sa më shpejt që ndodhin, aq më mirë për Kosovën.

(Kosova Sot)

14 orë e 25 minuta më parë
17/01/19