Rrogat nuk janë problem, me rëndësi të ardhurat mos t'ua prekin

  • 24 January 2019 - 16:57
Rrogat nuk janë problem, me rëndësi të ardhurat mos t'ua prekin

Pas rritjes së presionit social për pagat, në pothuajse të gjithë sektorët publikë, krerët e shtetit kanë filluar të përdorin sërish thirrjet e tyre populiste, për të qetësuar masën e nervozuar nga injorimi qeveritar. Deklaratat e kryeministrit dhe kryeparlamentarit që t'u zbriten vetë atyre pagat e larta, ndër më të mëdhatë në rajon, janë për efekt propagandistik dhe tepër të vonuara tashmë. Ata nuk e kanë problem se sa e kanë pagën, sepse të jesh në pushtet nuk është me rëndësi sa paguhesh, por sa i ke të ardhurat. Këto të fundit nënkuptojnë se sa fiton nga ryshfeti, korrupsioni, shpërdorimi, tenderomania, abuzimi me pozitën zyrtare. Lufta e ashpër për pushtet nuk bëhet rastësisht në Kosovë. Shpesh befasohemi kur shohim persona të dobët, të paaftë, pa integritet apo me aktakuza, që marrin pozicione të forta në administratë, kompani publike etj. Mekanizmi korruptiv nuk mund të funksionojë nëse secila hallkë nuk është nën kontrollin e mafio-oligarkëve. Krerët e shtetit janë njëkohësisht edhe drejtuesit e nëntokës dhe në fund e ndajnë fitimin kriminal mes vete. Kur ky biznes i poshtër në kurriz të kosovarëve të varfër shkakton përçarje në bandat respektive, atëherë rrezikohet prishja e Qeverisë. Të frikësuar se mos situata po del jashtë kontrollit, liderët kosovarë përpiqen ta mashtrojnë sërish turmën e frustruar, që nuk i ka harruar premtimet elektorale. Pushtetarët janë kaq të pacipë, saqë kur ua përmend zotimet e fushatës, pa pikë turpi shprehen se ishte thjesht fushatë, e nuk kanë kurrfarë detyrimi. Kjo fyerje e politikës ndaj popullit do të duhej të merrte një ndëshkim të rëndë nga shoqëria kosovare, e lodhur nga kjo qeverisje arrogante dhe ofenduese për inteligjencën e qytetarëve tanë. Është moment kritik, për të reaguar me vendosmëri kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, prandaj nuk duhet heshtur, sepse heshtja çon ujë në mullirin e oligarkëve. 

 

(Kosova Sot)