Si e kanë goditur mediet sociale filmin, tetarin e librin?

  • 12 January 2019 - 08:33
Si e kanë goditur mediet sociale filmin, tetarin e librin?

Shkruan: Avni Rudaku

Filmi është një çast kur njeriu shkëputet nga një realitet i caktuar social, kulturor, politik, ekonomik e filozofik dhe kalon në një realitet të krijuar nga skenaristi, regjisori dhe aktorët. Por teknologjia ka bërë që të ndryshojë edhe më tej "realiteti real" dhe "realiteti kinematografik" i krijuar nga një skenarist e regjisor i vetëm. Nëse realitetin real e nënkuptojmë me krejt ngjarjet, ndodhitë, mundësitë e kufijtë tonë, realitetin kinematografik do të duhej ta definonim me krejt ngjarjet, ndodhitë, mundësitë e kufijtë që i përcakton vetë skenaristi e regjisori. Kohës së fundit, ishte fantastike ideja që gjiganti NETFLIX mundëson, t'i japësh drejtimin e ngjarjes një filmit që e shikon, ti si spektator. E përzgjidhni një film dhe përgjatë shikimit, ju do ta keni rolin e regjisorit që përmes butonave do të përcaktonit rrjedhën e mëtutjeshme të ngjarjes, dinamikën e personazheve, raportin ndërmjet tyre etj. Nëse teatri ka arritur për disa dekada tashmë ta krijojë praktikën e dydimensionalitetit, atëherë është koha tash edhe për film, diçka e panjohur deri më tash në këtë trajtë e përmasë. Dydimensionaliteti, këtu merr kuptimin e interaktivitetit, komunikimit reciprok, marrje-dhënie, dydrejtimëshe….

Teatri interaktiv, por edhe filmi interaktiv 

Teatri interaktiv është i njohur në shumë vende të botës. Në Kosovë herë pas herë është shfaqur ky lloj i teatrit, por jo sa në disa vende perëndimore. Teatri e ka mundësinë e interaktivitetit, pasi që aktorët janë në skenë, shumë afër me publikun e gjerë dhe gjithmonë kur luajnë, janë fizikisht direkt dhe të gjallë (realë), e jo sikur në film që e bëjnë njëherë dhe më pastaj vetë aktorët mund ta shikojnë filmin ku vetë luajnë. Në teatër, ju si aktorë, nuk e keni mundësinë ta shihni vetveten se si luani, nëse nuk ekziston ndonjë videoxhirim kamere për ta parë me kureshtje. Shfaqjet teatrore, të cilat shfaqen në televizione, po ashtu kanë pak tërheqje të vëmendjes nga publiku, pasi bëhen monotone, kanë emocione të tjera me publikun dhe pak kanë mundësi për t'u shikuar. Ndoshta ndonjë komedi e tipit si i bënte dikur ndjeri Faruk Begolli - "Profesor, jam talent se jo mahi", por jo, shfaqjet e regjistruara në shiritin e kamerës dhe që transmetohen në televizione, japin pak interesim. U mungon komunikimi me publikun. Nuk po themi se nuk mund të rritet interesimi, nuk mund të mësohen publiku edhe me shfaqjet teatrore, dramat televizive etj., por po flasim se teatrin e bën teatër, sidomos një tipar i qëndrueshëm identitar: loja direkt, loja e gjallë, emocionet e çastit dhe të drejtpërdrejta. Në sociologjinë e komunikimit masiv dhe edukimin mediatik, kur flitet për format e ndryshme të masmedieve, një nga kriteret është edhe komunikimi reciprok apo i njëanshëm i publikut. Deri më tash, interneti është konsideruar media më interaktive dhe dydimensionale; portalet informative etj., por krejt pak televizioni dhe radiostacioni, apo edhe në rastin më ekstrem të njëdimensionalitetit , telefoni fiks. Por edhe kjo ndarje më është e tejkaluar. Edhe në televizion, sot kemi qasje në internet dhe ofrohet mundësi e interaktivitetit. Sidomos sot - se kjo ka qenë edhe praktikë shumë e vjetër - kemi emisione me dëgjues e shikues, kur shikuesit mund të japin llojlloj komenti mbi ngjarjet politike, zhvillimet aktuale, jetën kulturore etj. Edhe në radiostacione, gjithçka ka ndryshuar me teknologjinë e sotme. Dikur ju nuk e keni parë gazetarin e moderatorin në një radiostacion, ndërsa sot, të integruar me internet, edhe e regjistrojnë audiovizualisht, edhe kanë faqe zyrtare në internet (uebsajt), edhe llogari "Fejsbuku", ku dëgjuesit mund të japin komente, pëlqime, ndarje e kështu me radhë. Edhe televizioni, edhe radiostacioni kanë bërë ndryshime rrënjësore në raportet dydimensionale , përkatësisht në raportet drejtues-dëgjues e shikues, në dhjetëvjeçarin e fundit, sidomos me shfaqjen e medieve sociale, ofertat e shumëllojshme të operatorëve kabllorë, integrimit me pajisje të ndryshme në internet me çfarë aparati mediatik. Ngjashëm po ngjan edhe me filmin, i cili njihej mbi 100 vjet si medium njëdimensional, ku ju nuk mund të ndryshonit asgjë në film, tash së fundit me NETFLIX, edhe filmi po bëhet dydimensional, interaktiv, ku spektatori, shikuesi, nuk është më vetëm shikues, por edhe skenarist, edhe regjisor, edhe aktor.

Humbja e koncentrimit për film njëdimensional 

Humbja e koncentrimit në një film 80 apo 120 minuta njëdimensional, duke u zhytur në imagjinatën apo fantazinë e një regjisori të vetëm, është më se e kuptueshme sot, kur dihet se dekoncentrimi ka kapluar të gjithë pa dallim, nën ndikimin e aq shumë stimujve apo ngacmuesve të kushtëzuar e të pakushtëzuar, me përhapjen masive të medieve sociale. Sot koha shkon aq shpejt, sa nuk e sheh! Shkon koha me shpejtësi duke shikuar aq shumë videoaksidente rrugore e ajrore në ndarjet e përdoruesve të ndryshëm të "Fejsbukut" e "Instagramit", duke shikuar profile fotografish më shumë të panjohura se të njohura dhe ndarjeve të çdo çasti privat, ku njerëzit krahasojnë jetët e tyre me të tjerët, gjithnjë e më shumë, duke dominuar nënvlerësimi për jetën e vet personale dhe mbivlerësimi i jetës së të tjerëve. Njerëzit sot kanë më shumë përshtypjen se "të tjerët po kënaqen", sesa "vetë po kënaqen", duke u krijuar iluzioni i madh i lumturisë virtuale. Por këtu është krijuar tashmë një praktikë e njeriut të shekullit XXI: bën si t'ia ka qejfi! Dikur kishim redaktorë që rreptë kontrollonin se kush do të mund të botonte poezi, ndërsa sot, secili mund të jetë edhe poet, edhe redaktor, madje edhe recensent, edhe pronar i faqes së vet private ku poston çdo ditë etj. Pra, ideja se ne mund të bëhemi gjithçka dhe si duam vetë, është edhe një veçori e kësaj dekade të shekullit aktual. Ngjashëm po ndodh edhe me filmin dhe çdo segment të jetës shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike.

Mediet sociale

Mediet sociale po marrin shumë kohë. Kanë filluar artikujt e ndryshëm se si nëse nuk e shfrytëzoni një ditë një rrjet social, gjasat janë për të lexuar aq libra, për të shikuar aq filma, për të takuar shumë miq në realitet etj. Mediet sociale kanë goditur edhe filmin, edhe teatrin, edhe librin, por për një pjesë të vogël të njerëzve, që janë shfrytëzuar mirë e mirë, vetëm është shtuar pasioni për tria, duke marrë referenca dhe shije edhe të miqve përreth. Por këta të fundit janë në numër shumë të vogël dhe zakonisht studimet rrallë flasin për këta, por më shumë për shumicën e cila po e shpenzon kohën e madhe në mënyrë pasive dhe shpesh në drejtime të panevojshme, duke u sorollatur në profile të njerëzve të panjohur kurrë dhe që nuk mësojnë dot asgjë për profesionin e tyre.

Video-lojërat si paraardhëse të filmit interaktiv

Video-lojërat e kombinuara edhe nga përdorimi masiv i rrjeteve sociale, edhe më shumë e ka thelluar krizën e koncentrimit në filma, libra, teatër etj. Krijimi i një modeli të filmit interaktiv, ku spektatori mund t'i jap drejtimin ngjarjes dhe personazheve në film sipas dëshirës, nevojave, motiveve të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, pak a shumë është analoge edhe me rolin superaktiv, proaktiv, të lojtarit në videolojërat fizike, virtuale e digjitale. Kur njerëzit luajnë në video të ndryshme, ata dhe ato e duan, sepse mund të bëjnë zgjedhjen e tyre; e kanë lirinë e tyre të lëvizjes në hapësira të njohura e të panjohura; është hapësirë e demonstrimit të aftësive, shkathtësive e talenteve të tyre të veçanta etj. Por filmi interaktiv tani për tani, akoma nuk do të mund ta bëjë shkallën aq të madhe të interaktivitetit sikur në video-lojërat, por në një të ardhme të afërt e shumë të shpejtë, ka mundësi të ndryshojë, sikur gjithçka tjetër. Kush e ka paramenduar para 20 vjetësh, se do të vjen koha kur e mendojmë filmin jo vetëm me konceptin e një regjisori, skenari të skenaristit apo loje të aktorëve, por edhe ne do të mund të kishim si spektatorë, një rol të veçantë, super interaktiv, atë të regjisorit?!

Netflix dhe spektatori regjisor 

Spektatori regjisor gjithmonë ka mundur të thuhet, në kuptimin se spektatori ka mendjen e vet, botëkuptimin, stilin e jetesës etj., dhe gjithmonë e ka komentuar, e ka pritur dhe ka reaguar ndaj filmit pasi është kryer, me lloj-lloj emocionesh, por ideja këtu është se, spektatori që nga fillimi kyçet në film dhe fillon të mendojë në mënyrë aktive, se si dëshiron ta drejtojë një personazh, një konflikt dramaturgjik etj. Deri më sot, shpesh njerëzit e lodhur nga jeta e përditshme, e kanë marrë një film, dikush-dikush edhe ndonjë çips, kikirikë e birra dhe e ka shikuar një film, si relaksim, si pushim; të qenët me një pozicion më pasiv, pa e vrarë mendjen se do ta kenë një rol shtesë: atë të regjisorit dhe skenaristit. Për disa që e adhurojnë shumë filmin, kjo ideja e filmit interaktiv duket edhe banale, ideja që spektatori të bëhet regjisor, pasi biem në atë thënien e përhapur e të atribuuar shpesh edhe jashtë kontekstit, se "në internet është turli hajvani". Ngjashëm tash do të ndodhë edhe me filmin interaktiv, ku secili prej nesh është spektator, por në të njëjtën kohë edhe skenarist, edhe regjisor, edhe aktor.

Të jesh gjithçka dhe filmi interaktiv 

Dikur pak kishim fotografë e kameramanë, ndërsa sot me shkollim formal, mund të kemi edhe pak, por me shkollim autodidaktiv e pasion individual, gati gjithsecili është fotograf, kameraman, i çfarëdo ngjarjeje. Jeni duke e dëgjuar një koncert, nuk e përjeton dot për çastin, në kohën kur ngjarja veçse është duke ndodhur, por e ndiqni kur të shkoni në shtëpi, në regjistrimin që e keni bërë në celularin e juaj. Një kohë ju shkon pastaj edhe t'ia tregoni miqve tuaj se ku ishit dhe si ishte atmosfera, që realisht edhe ju, edhe personi që e shikon video-regjistrimin e juaj, nuk ishit në ngjarje! Në këtë kontekst, këtu nuk po jemi ne në ngjarje, por në atë që po përpiqem filozofikisht ta tjerrë hollë, si "postngjarje". Ne jemi pas ngjarjeve, ndonëse shkojmë për ngjarjen! Edhe filmi interaktiv është në këtë logjikë: spektatori nuk është vetëm spektator, por duhet të marrë më shumë role e të bëhet edhe skenarist, edhe regjisor, edhe aktor, edhe producent, edhe gjithçka. 

(Kosova Sot)