'Lulëzimi' i Piraterisë, shkakton kaos tek artistët (Foto) - Kulturë - Kosova Sot

'Lulëzimi' i Piraterisë, shkakton kaos tek artistët (Foto)

VJEDHJET NË MUZIKËN SHQIPTARE NUK KANË TË NDALUR 

Vitet 2019-2020 duhet ta gjejnë Kosovën të kompletuar në aspektin e zbatimit të ligjit

"Sa kam informacion unë, për këtë punë e di që në Kosovë ky ligj nuk funksionon. Më besoni që unë nuk kam ndonjë fuqi për t'i ndaluar. Është e vërtetë që dëmtohemi shumë, por ky është realiteti në Kosovë. Nuk jam e vetmja. E di që kompozitori i nderuar Florent Boshnjaku ka vite që bën një luftë me institucionet, ka investuar shumë për t'u realizuar dhe për t'u funksionuar mbrojtja e së drejtës autoriale, por nuk ia ka dalë deri sot", është shprehur këngëtarja Miranda Hashani për gazetën "Kosova Sot"

Mbrojtja e të drejtës së autorit përbën një nga direktivat e Bashkimit Evropian, që Kosova duhet ta zbatojë me përpikëri. Edhe pse ka pasur disa përpjekje në këtë drejtim, deri më tash mbrojtja e së drejtës së autorit mbetet një çështje e pazgjidhur. Piratëria, si përkufizim, përfshin shpërndarjen e kopjeve të mbrojtura me të drejtën e autorit, apo vënien në dispozicion të materialit në internet, pa autorizim paraprak. Sipas ligjit dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kjo veprimtari është e dënueshme:Personi juridik, që pa autorizim përdor punën e autorit dënohet me gjobë prej dy mijë deri në dhjetë mijë euro, derisa sipas Kodit Penal kushdo që pa autorizim, përdor punën e autorit, dënohet me burgim prej tre deri në tetë vjet.

BRAHA: KONKURRENCA DO TË RRITEJ 

Image

Këngëtarja Mihrije Braha ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot" se akoma jemi ne fazat e para të ligjësimit të të drejtave të autorit si dhe ekzekutimit të këtij ligji në të gjitha segmentet e tij dhe me këtë krijuesit më pas do të jenë shumë më të stimuluar dhe më të motivuar për të krijuar. "Shpresojmë që sa më shpejt kjo e drejtë të materializohet dhe të kemi edhe ne hapësirë më të madhe dhe rrugë më të lehtë për realizimin tonë të gjithmbarshëm. E drejta e autorit do të mundësojë që një numër i madh krijuesish të mirëfilltë të shkarkohen nga konkurrenca joluajale e piratërisë dhe plagjiatëve. Mos harroni se konkurrenca do të rritej në nivel të krijimtarive dhe jo në mes të atyre që marrin këngën turke, greke apo një tjetër dhe e shesin me shumë sukses duke të vënë në konkurrencë me ndonjë kompozitor të madh apo me një këngëtarë të madh. Në anën tjetër, çdo medium që lëshon këngët tona sipas këtij ligji do të na kompensojë sipas ligjit, por kjo do të jetë rruga më e mirë dhe e drejtë e kompensimit të vlerës", është shprehur ajo. "APIK-u veç ka dërguar faturat nëpër të gjitha mediumet për kompensimin ligjor të krijimeve tona që njëkohësisht janë bazë e programeve të radiove, televizioneve etj., për këtë vit dhe si duket gjërat do ecin mirë", tha ajo, kurse në pyetjen se sa po gjejnë mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe Shoqata për të drejtat e autorit (APIK), Braha tha se akoma janë në fillim dhe mendon se Ministria e Kulturës është pro këtyre ndërmarrjeve nga APIK-u dhe simotrat e saj. 

HASHANI: NUK KEMI FUQI PËR TË NDALUAR PIRATËRINË 

Image

Në një prononcim për "Kosova Sot", këngëtarja Miranda Hashani ka potencuar se e drejta e autorit duhet të mbrohet me ligj. "Sa kam informacion unë, për këtë punë e di që në Kosovë ky ligj nuk funksionon. Më besoni që unë nuk kam ndonjë fuqi për t'i ndaluar. Është e vërtetë që dëmtohemi shumë, por ky është realiteti në Kosovë. Nuk jam e vetmja. E di që kompozitori i nderuar Florent Boshnjaku ka vite që bën një luftë me institucionet, ka investuar shumë për t'u realizuar dhe për të funksionuar mbrojtja e së drejtës autoriale, por nuk ia ka dalë deri sot. Koha na ka shkelur, është dashur që moti kjo të funksionojë. Me ligj duhet të merren masa gjithsesi, por nuk e di çka është duke ndodhur në këtë vend. As që kam pasur ndonjëherë mbështetje, me shumë keqardhje e them. Jo rastësisht ka ardhur arti dhe kultura në Kosovë në këtë gjendje ku është, edhe muzika, këngët e pavlera që dëgjojmë kudo, me tekste banale, e të rinjtë dhe fëmijët po edukohen pikërisht nga kjo muzikë, që është për të ardhur keq. Ne vetë po e fundosim vlerën artistike që ka populli e vendi ynë, duke u treguar institucionet shtetërore të painteresuara për t'i ruajtur. Në medie nuk ka censurë, fliten e këndohen fjalë që deri dje në shoqëri i kemi pasur të ndaluara. Një popull në botë në të shumtën e rasteve njihet më së miri nëpërmjet artit, kulturës dhe sportit, jo përmes politikës e ekonomisë. Ne edhe atë vlerë që kishim dikur s'e kemi më", thekson ajo. Hashani shpreson që sa më shpejt dikush të marrë në duar e ta kthejë për së mbari këtë gjendje në kulturën tonë në përgjithësi.

EMRA: SI NJË TATIMPAGUES I RREGULLT NË VEND, E NDJEJ VETEN PAK SI "JETIM"

Image

Këngëtari Neki Emra, lidhur me temën për "Kosova Sot", ka deklaruar një nga temat më të qëlluara qysh nga koha e pasluftës në Kosovë, është tema e të drejtave të autorit. "Mendoj që vitet 2019-2020 duhet ta gjejnë Kosovën të kompletuar si në aspektin ligjor, po ashtu edhe në aspektin e implementimit të atyre ligjeve. Ne deri sot kemi punuar pa asnjë vlerësim nga ana, qoftë e institucioneve shtetërore të cilat duhet të na mbrojnë, qoftë mediumet të cilat i kanë plotësuar emisionet e tyre me materialet e prodhuara nga ne. Këtë fundvit ka qenë një lajm super i mirë nga dy persona shumë të rëndësishëm:Afërdita Kelmendi ( drejtoreshë në RTV 21) dhe Florent Boshnjaku ( drejtor i APIK-ut), që nga janari i vitit 2019 do të fillojë implementimi i ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Ky është lajm i jashtëzakonshëm dhe e arritur e madhe nga të gjitha palët", thekson ai. Tutje ka shtuar se, përveç televizioneve nacionale, ka një numër tepër i madh edhe i televizioneve muzikore që duhet të detyrohen ta respektojnë këtë ligj. Emra ka shtuar: "Unë si një tatimpagues i rregullt në vend, e ndjej vetën pak si 'jetim', nëse guxoj të shprehem ashtu, për shkak të shumë ligjeve që nuk implementohen te ne. Këtu, nëse më lejoni ta përmend edhe Ligjin për sponsorizime. Edhe pse Ministria e Kulturës e ka aprovuar këtë ligj dhe të cilët po bëjnë çmos të na përkrahin, Ministria e Financave nuk e pranon si të tillë ende. Unë, të jem i sinqertë, po kam shumë vështirësi financiare në implementimin e projekteve të mia, dhe me shumë vështirësi po ia dal që ato të jenë edhe artistike. Por, me rregullimet ligjore, besoj që do të jetë më e lehtë për ne". 

MEHMEDI: REALISHT, PIRATËT KANË SOT HAPËSIRË NË MEDIUMET TONA, MADJE EDHE NË ATO PUBLIKE

Image

Profesoresha dhe këngëtarja Besiana Mehmedi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka deklaruar se jo vetëm piratëri në tregun muzikor, por piratëri në çdo fushë. "Kemi piratëri në punime dhe libra shkencorë, piratëri në simbole shtetërore, piratëri në kompozicion, ku një këngë me tekst shqip e gjen në kanalet televizive bullgare, arabe ,turke, serbe...Mendoj se piratëria ka ekzistuar gjithnjë, por mundësia për t'u qasur deri tek materiali muzikor ishte më e vogël. Realisht, piratët kanë sot hapësirë në mediumet tona, madje dhe në ato publike. Ata janë të preferuarit e masës dhe të mediumeve tona, sepse ata fitojnë dhe paguajnë. Këtë ngufatje që po i bëhet artit të mirëfilltë me ngushtimin e hapësirës e ndjejmë secili nga ne. Ne jemi akoma në fazën që 80%, janë në gjendje të paguajnë para për të dalë dhe për t'u reklamuar në televizion. Derisa të tillët nuk eliminohen, është e pamundur të flasim për hapin e dytë, për pagesë të këngëve qe transmetohen në televizione", është shprehur ajo. Tutje, ka theksuar se e drejta autoriale, duhet të rregullohet dhe është e vetmja mënyrë për të sjellë gjërat në vend. "Realisht, unë kam qenë aktive në ndarjen e buxhetit për kulturë në Maqedoni, dhe e di që muzikantët shqiptarë edhe unë, se kemi problem serioz në regjistrimin e krijimtarisë apo interpretimeve tona. Pra, nuk mund të kërkojmë asnjë mbështetje nga institucionet pa kryer obligimet elementare ne-secili ndaj vetës. Artistët janë ata që duhet të ndihmojnë Ministrinë dhe Agjencinë për të drejta autoriale, për këtë proces të vështirë, por të domosdoshëm të rregullimit të marrëdhënieve në jetën muzikore", është shprehur ajo. 

THAQI: PIRATËT KRYESORË JANË TELEVIZIONET DHE RADIOT

Image

Në një prononcim për "Kosova Sot", Emrush Thaqi producent i produksionit "Emra Com", lidhur me temën ka theksuar se e drejta e autorit me patjetër duhet të zgjidhet, nuk mund të dalë një këngë pa u ditur kush është artisti, tekstshkruesi e kompozitori. "Në youtube nuk ka shumë piratëri, sepse mbrohen. Megjithatë, unë mendoj se piratët kryesorë janë televizionet dhe radiot. Sikurse çdo tv apo radio të paguante, mendoj se do rritej niveli i muzikës. Kjo çka po bëhet në Kosovë, as artistët, as producentët e as populli, nuk janë të kënaqur me muzikën që po ju servohet. Një këngë kushton 2500, derisa klipi 3000 euro, që është investim i madh si për këngëtar, po ashtu dhe për producent". Sipas Thaqit, viti 2018 ka qenë vit skandal në muzikën popullore, asgjë e re, asgjë e bukur.

Lidhur me temën në fjalë, për korrektësi, ne i kemi shkruar në imellin zyrtar z.Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të drejtat e autorit, APIK, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Shkruan:Armend Preteni

(Kosova Sot)

 

16 orë e 23 minuta më parë
17/01/19