Në prag të përvjetorit të Pavarësisë, paralajmërohet tragjedia që po kërcënon Kosovën

  • 11 January 2019 - 12:41
Në prag të përvjetorit të Pavarësisë, paralajmërohet tragjedia që po kërcënon Kosovën

Kosova më 17 shkurt do të shënojë përvjetorin e 11 të shpalljes së Pavarësisë. E, në prag të ditëlindjes së 11-të, Kosova rrezikohet nga një valë e re ikjesh, ashtu sic është raportuar së fundi në media, ku shumë të rinj po ia mësyjnë Kroacisë, Gjermanisë dhe vendeve tjera perëndimore për të gjetur një vend punë.

E lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se është shumë i arsyeshëm zhgënjimi qytetar në këtë kastë politike, në këtë përvjetor të 11-të të pritjes së shënimit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit, dhe tani, sipas tij, për çfarëdo tradhtie që mund t'i bëhet Kosovës nga Hashim Thaçi, përgjegjësinë nuk do ta bartë më vetëm ai si person, por edhe PDK-ja dhe mbështetësit e tij, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Image
Gani Qarri

"Nëse vërtet do të vijë deri te ndarja e shtetit tonë të brishtë, siç po pretendon tash e sa kohë presidenti kuisling dhe argati më besnik i Serbisë në 100 vjetshin që po jetojmë, atëherë nuk do mend se Kosova në vitin 2019 nuk po hynë në vitin e ditëlindjes së 11-të të Pavarësisë, por në vitin e parë të ndarjes, të shuarjes dhe të zhbërjes së shtetit dhe katastrofës sociale e politike, të cilës më nuk mund t'i parashihet efekti as përfundimi. Sinjalet e para për ta përkeqësuar situatën edhe ashtu të rëndë jo vetëm sociale, por edhe politike,me qëllim të hijezimit të tradhtisë që pritet t'i ndodhë shtetit të Kosovës, nga Hashim Thaçi & CO,vetëm sa kanë filluar me grevat e porositura në shëndetësi, në miniera, me paralajmërimin e grevave në arsim, etj., të cilat me vetë koordinimin konciz, po dëshmojnë se nuk janë krejt spontane, por të porositura për kamuflimin e tragjedisë që po i përgatitet Kosovës, në finalen e bisedimeve me Serbinë nga Hashim Thaçi me shokë", tha Qarri për "Kosova Sot".

Sipas tij, sa më shumë që po afrohet afati i finalizimit të bisedimeve, gjasat për ta dërguar vendin para një kolapsi të përgjithshëm, nëse nuk arrihet me kohë, që nga Qeveria të adresohen me seriozitet shqetësimet e punonjësve të shëndetësisë, të arsimit, të minatorëve apo edhe të punëtorëve të tjerë që mund t'u bashkëngjiten grevistëve të deritashëm, po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

"Sado që vërtet qytetarët janë lodhur e stërlodhur nga ky sundim i egër i oligarkisë politike, dhe nuk po mund të durojnë më tej,duke pasur parasysh arsyen shtesë se në koordinim me grevat e lartcekura, njëkohësisht po konfrontohemi edhe me lajmin e hidhur se sapo filloi edhe "mbushja e autobusëve" që sërish po ia mësyjnë Perëndimit, këto janë sinjalet më alarmante që po paralajmërojnë tragjedinë, e cila pikërisht në vitin e 11- të të Pavarësisë po i përgatitet Kosovës nga politikanët e shitur e tradhtar të saj. Politikanët aktualë, të kriminalizuar deri në fyt, në krye me krye kuislingun Hashim Thaçi, në koketim me mafinë politike e biznesore, po ua vrasin edhe shpresat e fundit të rinjve të Kosovës, të cilët, nëse për asgjë tjetër, atëherë për paralajmërimet e ndryshimit të kufijve dhe ndarjen e vendit, kanë më tepër arsye, se për çdo gjë tjetër, për të protestuar vërtet fuqishëm, deri në shkarkimin dhe dërgimin në burg të politikanëve të inkriminuar si në pozitë,ashtu edhe në opozitë, të cilët na kanë sjellë në këtë gjendje", potencoi analisti Qarri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)