Grapci: Ekonomia, në prag të rrënimit

  • 20 January 2019 - 13:36
Grapci: Ekonomia, në prag të rrënimit

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se problemi kryesor pse Kosova nuk ka ndërmarrë kurrgjë për luftimin e ekonomisë informale dhe evazionit fiskal është se deputetët i kemi të korruptuar, si dhe janë në bashkëpunim me mafio-oligarkët, të cilët po e rrahin gjoksin kinse janë BOSS-a në Kosovë dhe jo Qeveria e Kosovës.

“Kontrabanda ilegale, ekonomia informale e kanë shkatërruar Kosovën, saqë bizneset e drejta po detyrohen të mbyllen, kurse bizneset, të cilat janë të lidhura direkt me pushtetarët politikë, ata paguajnë ndoshta haraç sa për të qenë ende hapur dhe duke iu ikur taksave, që ata të përfitojnë 50 për qind më shume se zakonisht. Nëse Qeveria e Kosovës nuk e merr me seriozitet Raportin e Progresit, kam frikën se vitet në vazhdim për Kosovën do jenë të errëta dhe pa kurrfarë shprese”, potencoi Grapci. Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, tha për “Kosova Sot”, se vërtet janë të sakta vërejtjet e bëra në Raportin e Progresit, që flasin për Kosovën .

“Rreth 35-38 për qind llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk iu bindet ligjeve të Republikës së Kosovës. Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale”, potencoi Beqiri. Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim se të gjitha këto bëhen me bekimin e krerëve më të lartë të shtetit edhe nga Qeveria e tashme.  

Lexo edhe këtë: 2-3 miliardë humbje vjetore, Qeveria kapitullon me informalitetin

(Kosova Sot)