Deputeti i Kuvendit tregon se ku dështoi qeveria

  • 20 January 2019 - 13:53
Deputeti i Kuvendit tregon se ku dështoi qeveria

Informaliteti në Kosovë vazhdon të jetë në nivele alarmuese, ndërsa buxheti humbet qindra milionë nga evazioni fiskal dhe kontrabanda e mallrave. Raporti i Progresit për fushën e ekonomisë, që erdhi për Kosovën në vitin e kaluar, thoshte me kritika më të mëdha se Qeveria nuk e ka shtuar luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, kjo ngase sërish nga ana e krerëve të shtetit nuk u ndërmor asgjë në këtë drejtim.

 Deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën " Kosova Sot",thotë se vërejtjet e bëra në Raportin e Progresit, që flet për Kosovën për fushën e ekonomisë dhe që ishte për vitin e kaluar, duhet të merren me seriozitetin më të madh.

Image
Salih Salihu

 

"Prandaj, vlerësoj se ishte e drejtë kritika më e madhe e Raportit të Progresit që qartë e thoshte se Qeveria e Kosovës nuk e ka shtuar luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal", u shpreh ai.

"E them lirshëm se kjo indiferencë dhe heshtje e pushtetarëve tanë është e qëllimshme, ngase sërish krerët e shtetit nuk ndërmorën asgjë në këtë drejtim. Prandaj, edhe unë u bashkëngjitem vlerësimeve të përfaqësuesve të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë që me të drejtë po thonë se ekonomia informale dhe kontrabanda po e gërryen ekonominë e brishtë të Kosovës", vijoi më tej Salihu.

Sipas tij, Kosova nuk do të kishte evazion fiskal që sipas institucioneve financiare ndërkombëtare sillet mbi 40 për qind, nëse politikanët e pushtetarët tanë nuk do të kishin interesat e tyre në biznese, të cilat i lënë qëllimisht për t'u ikur taksave, sepse më lehtë përfitojnë në këtë mënyrë. "Po deshën politikanët tanë që janë në krye të shtetit do të ndalej edhe evazioni fiskal, informaliteti dhe kontrabanda dhe e tëra kjo nuk po ndodh, ngase janë sundimtarët tanë të pasluftës si dhe kjo Qeveri e tashme ata që po përfitojnë nga hisja e kulaçit që e kanë me bizneset që janë hisedarë të tyre", shpjegon Salihu.

(Kosova Sot)