Pompeo fillon turneun në Evropën Qendrore, kërkon të luftohet ndikimi i Rusisë dhe Kinës

  • 11 February 2019 - 12:20
Pompeo fillon turneun në Evropën Qendrore, kërkon të luftohet ndikimi i Rusisë dhe Kinës

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e ka filluar një turne në pesë shtete të ndryshme evropiane. Sipas zyrtarëve të administratës amerikane, vizita e tij në këto vende do të jetë e përqendruar në kundërshtimin e rritjes së ndikimit të Rusisë dhe të Kinës në Evropën Qendrore.

Pompeo do të arrijë sot në Hungari, ndërsa më pas do ta vizitojë Sllovakinë dhe Poloninë. Udhëtimin e tij në Evropë do ta përfundojë me vizitat në Bruksel të Belgjikës dhe Rekjaivik të Islandës, të cilat do të ndodhin më 15 shkurt.

Një zyrtar i lartë amerikan ka njoftuar se Pompeo do të takohet me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili njihet për përkrahjen e madhe ndaj politikave të presidentit amerikan, Donald Trump. Ky zyrtar ka thënë se biseda do të jetë e përqendruar në forcimin e marrëdhënieve të sigurisë dhe kundërshtimin e agresionit rus.

Për më tepër, në këtë takim do të diskutohet edhe për sistemet e mbrojtjes antiraketore dhe rolin e ushtrisë hungareze në Afganistan dhe luftës kundër ISIS-it në Lindje të Mesme. Pritet që Pompeo të takohet edhe me udhëheqës të organizatave të ndryshme joqeveritare.

Në Poloni, Pompeo do të marrë pjesë në një konferencë për Lindjen e Mesme, e cila do të mbahet më 13 dhe 14 shkurt dhe në të cilën do të diskutohet kryesisht për Iranin. Në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot)