Republika e oligarkëve të pasluftës shkeli betimin e luftëtarëve

  • 23 February 2019 - 07:21
Republika e oligarkëve të pasluftës shkeli betimin e luftëtarëve

Qarri: Edhe 20 vjet pas çlirimit, në vend të drejtësisë, kemi me bollëk vetëm korrupsion dhe krim të organizuar!

“Shokët tanë, shumica prej shokëve, u bënë luanë për të vjedhur, për të uzurpuar, u korruptuan. Partitë tona politike pothuajse kanë të njëjtin program, por që të gjitha kanë qëllimin kryesor se si të arrijnë në pushtet dhe më pastaj se si t’i rehatojnë militantët e tyre, familjarët e vet dhe të afërmit e tjerë.

Ne betimin që e kemi dhënë të gjithë ushtarët, edhe ata djem që nuk janë gjallë, por kanë rënë në luftë, ka qenë që ta çlirojmë Kosovën dhe ta formojmë një shtet demokratik, i cili nëse nuk arrin të bashkëngjitet me shtetin anë, le të jetë një shtet i drejtë dhe përparimtar, mirëpo të gjitha gjërat po tregojnë tani se nuk është ashtu”, theksoi Enver Baftiu, nga Prizreni, ish-luftëtar i UÇK-së, i zhgënjyer me udhëheqësit e vendit

Analistët politikë, por edhe qytetarët, ndihen të zhgënjyer se si po e gjen Kosovën 20-vjetori i çlirimit të saj, sikurse e priti një javë më parë edhe 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, me korrupsion, krim të organizuar, papunësi, varfëri e nëpërkëmbje nga sunduesit e rinj të saj politikë, që nuk bëjnë gjë tjetër veç zhvatjes së shtetit për xhepat e tyre. Se një nivel i tillë i pakënaqësisë është në rritje e konfirmoi edhe hulumtimi i fundit i UNDP-së, sipas të cilit del se mandati i tanishëm i institucioneve të Kosovës është përbërja më e urryer nga qytetarët që kemi pasur deri më tash, sepse, edhe pse po bëhen dy dekada nga çlirimi i vendit, gjendja mbetet alarmante dhe vendi ynë renditet në mesin e më të korruptuarve, sipas rangimit vjetor, që e bën edhe organizata ‘Transparency International”.

Sipas analistëve politikë dhe qytetarëve, me një politikë të inkriminuar dhe një drejtësi të kapur, luftimi i korrupsionit mbetet një sfidë gati e patejkalueshme, prandaj Kosova edhe 20 vjet pas çlirimit nuk ka drejtësi, por kemi krim të organizuar dhe sot punë gjen vetëm nëse ke një lidhje politike, një të afërm në pushtet, ose nëse jep ryshfet në këmbim të një vendi pune në administratën publike.

Edhe 20 vjet pas çlirimit, mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep dhe shpresa e vetme për punësim mbetet emigrimi, sepse mijëra familje mezi mbijetojnë me 1 euro në ditë, sepse Kosova edhe 20 vjet pas çlirimit, me një krizë të rëndë socio-ekonomike, e shkaktuar nga politika e korruptuar, e cila në vend se të punojë për ngritjen e mirëqenies, po angazhohet vetëm për trashjen e xhepave të inkriminuar.

Salihaj: Serbinë e zëvendësoi një bandë

Ish-deputeti nga LDK-ja, Adem Salihaj, thotë se sivjet do të shënojmë 20-vjetorin e çlirimit nga Serbia, një vit jubilar me plot dy dekada pa sundimin gjakatar serb dhe është e logjikshme të mendojmë se gjatë këtyre dy dekadave ne do të duhej të ishim të kënaqur në rrezet e lirisë, do të duhej të kishim gjenerata të lumtura, të cilat me gëzim të madh të kenë krijuar mirëqenie ekonomike e sociale dhe me besim ndërtojnë të ardhmen e tyre të lumtur, por fatkeqësisht po ndodh e kundërta.“Por, çka ndodhi në të vërtetë? Mjerimi, dëshpërimi, mungesa e perspektivës, humbja e besimit dhe pakënaqësia ka kapluar anekënd Kosovës. Serbinë e zëvendësoi një lloj bande e kyçe, e cila sërish filloi terrorin, vrasjet, dhunën dhe plaçkitjet.

Populli i Kosovës asnjëherë, që dy dekada, nuk arriti ta shijonte lirinë e vërtetë. Një shtet i krijuar me aq vuajtje e sakrifica të mëdha, në vend që të jetë në shërbim të popullit të Kosovës, ai u uzurpua në të gjitha segmentet e tij, për t'u shndërruar në mjet plaçkitjeje e dhune ndaj qytetarëve të ndershëm të Kosovës. Kjo bandë u bë e pasur me plaçkitje të panumërta të buxhetit të Kosovës. Madje, për interesa personale filloi ta shesë edhe territorin e Kosovës. Asgjë nuk mbeti e shenjtë dhe e paprekshme asnjë vlerë nuk pati sakrifica e mijëra dëshmorëve, të cilët dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. 

Asnjë vlerë nuk pati sakrifica e dhjetëra mijëra grave e fëmijëve që u sakrifikuan nga pushtuesit barbarë. Krejt këto sakrifica, krejt ky gjak u shndërrua në pasuri të vjedhur të kësaj bande të kuqe, e cila tashmë e ka shndërruar Kosovën në një vend, nga i cili të gjithë duan të ikin”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Zeqa: Pushteti aktual, garnitura më e urryer

Analisti politik Florim Zeqa thotë se Kosova 20-vjetorin e çlirimit të saj është duke e pritur me paqartësi politike, me perspektivë të zymtë, pa zhvillim ekonomik, me korrupsion të lartë, me krim të organizuar, papunësi, varfëri e nëpërkëmbje nga sunduesit e rinj e të vjetër të saj.“Në Kosovën e ëndrrave tona, 20 vjet pas çlirimit, për shkak të denigrimit dhe kapjes së sistemit të drejtësisë nga mafio-politika, kemi krim të organizuar në të dyja nivelet e qeverisjes. Në Kosovën për të cilën sakrifikoi shumë popullata e saj, për të gjithë ata që nuk kanë lidhje me të fortët e pushtetit, vendi i punës mbetet akoma ‘mollë e ndaluar’, për shkak se po nuk ke një lidhje politike, me një të afërm në pushtet, ose nëse jep ryshfet e ke të pamundur punësimin në administratën publike apo institucione shtetërore.

Si pasojë e kësaj situate, edhe 20 vjet pas çlirimit mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep dhe shpresa e vetme për punësim mbetet emigrimi (i) legal drejt vendeve të BE-së. Kosova e martirizuar, 20 vjet pas çlirimit të saj, mijëra familje mezi mbijetojnë me 1 euro në ditë, përderisa familjet e pushtetarëve i gëzojnë të gjitha mrekullitë e kësaj bote. Kjo ka bërë që pushtetarët e Kosovës dhe politikëbërja në përgjithësi janë bërë të urryer nga qytetarët e vendit. Këtë e konfirmoi edhe hulumtimi i UNDP-së, për mandatarët e tanishëm të  institucioneve të Kosovës, se si janë bërë garnitura më e urryer politike që ka pasur Kosova ndonjëherë. Si pasojë e klasës aktuale politike, edhe pse kanë kaluar dy dekada nga çlirimi, vendi ynë renditet në mesin e më të korruptuarve në rajon, sipas rangimit vjetor, që e bën organizata "Transparency International".

20 vjet pas çlirimit, Kosova është duke u përballur me një krizë të rëndë socio-ekonomike, e shkaktuar nga politika e korruptuar, e cila në vend se të punojë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, punon vetëm për trashjen e xhepave dhe stërmbushjen e kontove në ‘Parajsat Fiskale’", tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Qarri: Mafia bën çka të dojë

Analisti politik Gani Qarri konsideron se problemi më i rëndë që përcjellë në vijimësi vendin tonë, qysh nga shpallja e pavarësisë e këtej, pa dyshim mbetet krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilat jo vetëm se kanë përfshirë të gjitha segmentet shtetërore e veçanërisht institucionet publike, por sipas organizatës ‘Transparency International’ janë kthyer në kancer shkatërrues për vendin dhe kanë shndërruar Kosovën në shtetin më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor.“Kjo flet qartë se është koha e fundit që të kuptohet nga të gjithë se me një politikë të tillë të inkriminuar dhe një drejtësi tërësisht të kapur nga politika si kjo në Kosovë, luftimi i krimit dhe korrupsionit mbetet një sfidë e patejkalueshme.

Vetë fakti se asnjëherë deri më tani nuk u jetësua, as nuk u vu në veprim “Ligji Antimafia”, nuk i`u kushtua prioriteti i duhur hetimeve të korrupsionit dhe nuk u bë luftë e njëmendtë ndaj krimit të organizuar, sidomos atij të profilit më të lartë, si ministra, deputetë, gjyqtarë e prokurorë të inkriminuar etj., dëshmon se në Kosovë edhe 20 vjet pas çlirimit, në vend të drejtësisë, kemi me bollëk vetëm korrupsion dhe krim të organizuar, ku sot punë gjen vetëm nëse ke një lidhje politike, një të afërm në pushtet, ose nëse jep ryshfet marramendës në këmbim të një vendi pune-dosido, në administratën publike”, u shpreh ai.“Edhe në zgjedhjet e para dy viteve ish-ministra të PDK-së dhe zyrtarë të lartë të LDK-së, përkundër faktit se ishin të përfshirë në afera të ndryshme korruptive e kriminale, u futën ndër të parët në listat për deputetë të kësaj legjislature, nga të cilët tani nuk ke se si të presësh që pikërisht të njëjtit ta bëjnë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përderisa edhe paraprakisht kanë dëshmuar qartë se ata kanë krejt tjetër zanat e dinë të bëjnë vetëm të kundërtën dhe atë që nuk do duhej.

Ndaj si pasojë e gjithë kësaj sot edhe 20 vjet pas çlirimit kemi mijëra të rinj me shpresa të humbura që enden rrugëve me diploma në xhep, të cilëve edhe në këtë qindvjeçar, e vetmja zgjidhje për punësim e mbijetesë u mbetet emigrimi i imponuar në vende të huaja dhe sa më larg Kosovës së kapur nga mafio-oligarkia dhe politikanët e kriminalizuar”, vlerësoi Qarri për “Kosova Sot”.

Pushteti në luks, populli me një euro në ditë

Edhe sipas analistit politik Ragip Guraziu, me një politikë të inkriminuar dhe një drejtësi të kapur, luftimi i korrupsionit mbetet një sfidë gati e patejkalueshme, tani që po presim 20 vjet në liri, por edhe 20 të tjerë do të presim kot nëse nuk pastrohen politika dhe sistemi i drejtësisë.“Kjo është një arsye, sepse në Kosovë edhe 20 vjet pas çlirimit nuk kemi drejtësi, por kemi krim të organizuar dhe sot punët lëmsh, derisa 20 vjet pas çlirimit mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep dhe shpresa e vetme për punësim mbetet emigrimi, 20 vjet pas çlirimit në Kosovë mijëra familje mezi mbijetojnë me 1 euro në ditë në kufijtë e ekzistencës, madje dikush edhe i rrezikuar nga uria”, u shpreh ai.

“Është një fatkeqësi për këtë popull të urtë dhe punëtor që edhe kësaj radhe po e pret 20-vjetorin e çlirimit në një shtet dhe me një politikë të zhytur deri në maje të kokës në korrupsion, krim të organizuar, papunësi, varfëri e nëpërkëmbje nga sunduesit e politikës vendore që thirret në emër të shtetit dhe ia bën hyzmetin trashjes së xhepit personal e individual të  liderëve të grupeve kriminale të interesit.

Nuk e themi ne analistët një konstatim të tillë krejt kot së koti, sepse këto dyshime dhe konstatime tonat po dalin të jenë të bazuara edhe nga analizat e raporteve kredibile ndërkombëtare. Shikojeni dhe analizojeni se si e konfirmoi edhe hulumtimi i UNDP-së se është pikërisht mandati i tanishëm i institucioneve të Kosovës  përbërja më e urryer nga qytetarët që kemi pasur deri më tash”, vijoi më tej Guraziu për “Kosova Sot”. 

Aliu: Mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep

Ndërsa analisti Bislim Aliu thotë se nuk ka asnjë fije dyshimi se Kosova në 20-vjetorin e çlirimit të saj është në gjendje tejet të rëndë, pra në gjendje alarmante.“Andaj hulumtimi i UNDP-së ka konfirmuar edhe një herë problemet kryesore, sipas qytetarëve të Kosovës. Dhe, në vend se të përmirësohet sadopak korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia e sidomos varfëria, ajo jo vetëm se ka përmirësim, por po shkon keq e më keq! Vendi ynë për këtë po renditet në mesin e më të korruptuarve, sipas rangimit vjetor, që e bëjnë organizatat ndërkombëtare. Ndaj, me një politikë tejet inkriminuese dhe me një drejtësi vazhdimisht të kapur, luftimi i korrupsionit mbetet gjithnjë një sfidë e patejkalueshme dhe zor se do të kalohet pa një “revolucion” demokratik!”, shprehet ai.

“20 vjet pas çlirimit, mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep dhe shpresa e vetme e tyre, për punësim mbetet emigrimi! Për këtë, mijëra familje mezi mbijetojnë me vetëm 1 euro në ditë? E pushtetarët tanë bëjnë vazhdimisht jetë luksoze, me pallate, me jahte e me aeroplanë privatë. Edhe kësaj i thonë drejtësi, njerëzi e demokraci! Pra, bëjnë jetë ‘sheikësh’ e për popullin që po vuan vazhdimisht fare nuk mërziten”, potencoi Bislim Aliu për “Kosova Sot”.

Badallaj: Hajnat dirigjojnë shtetin

Analisti Reshat Badallaj thotë se Kosova në 20-vjetorin e çlirimit të saj nga shteti fashist, Serbia, mjerisht është e futur në krim, në korrupsion, në varfëri të skajshme dhe me papunësinë më të madhe në tërë Evropën, sepse Kosova për fatin e zi që nuk e ka menduar askush ra në duart e mafiozëve, në duart e bandave dhe të mafio-oligarkëve. “Kosova ra në duart e hajnave me nam dhe akoma me afera e skandale për hajni, akoma me procedura penale, se Kosova ra në duart e udbashëve, në duart e mafio-oligarkëve, në duart e banditëve të kanaleve të nëntokës kriminale, në duart e langonjve që vrapojnë pas hajnisë tamam si ata korbat pas kufomave të vdekura.

Kosova për fatin e zi ra në duart e klaneve mafioze dhe më të rrezikshme në tërë Ballkanin, që do të thotë që nga presidenca, qeveria kuislinge e hajdute, që nga kuvendi rrugaçësh e vagabondësh dhe kryebanditët e bandave politike, si thonë peshku kalbet nga koka. Prandaj, nuk ka mundësi të jetë më mirë, mjerisht, kur njerëzit e paditur me diploma të blera false, gjysmë analfabetë, por më vonë morën gradat mr. e dr. dhe këta banditë janë në krye të vendit. 20 vjet pas çlirimit vendin e kanë në dorë njerëz të shërbimeve të huaja, njerëz të shitur dhe tradhtar që nuk japin kurrfarë shprese për një jetë më të mirë”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”.

Qytetarëve po u humb durimi

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta kanë deklaruar se, ndonëse Kosova festoi 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe tani jemi në pritje të shënimit të 20-vjetorit të ditës së çlirimit, të gjitha këtyre festave shijen dhe gëzimin po ua zhbën ballafaqimi ditor me krimin e korrupsionin, me papunësinë në rritje, me varfëri të skajshme të shumicës së qytetarëve dhe nëpërkëmbje të tyre nga  sunduesit dhe oligarkët e politikës së inkriminuar. “Kaluan 11 vjet dhe shteti i Kosovës nuk është ai që ne e kemi menduar dhe dëshiruar. Tani jemi në pritje të shënimit të 20-vjetorit të çlirimit  dhe disponimi është i njëjti, sepse po jetojmë në një shtet akoma të pazhvilluar sa duhet, pa perspektivë të sigurt për të rinjtë që po shkollohen e po mbeten rrugëve të pashpresë për një vend pune, duke menduar si të gjejnë një mundësi për të ikur jashtë vendit.

Po ashtu akoma është në nivel të lartë edhe korrupsion, krim të organizuar, papunësi e varfëri e nëpërkëmbje për qytetarin e thjeshtë, prandaj edhe këtë përvjetor të çlirimit po e presim me shumë zhgënjim për të ardhmen tonë”, theksoi Salihu për “Kosova Sot”. Qytetari Enver Baftiu është nga Prizreni, pjesëmarrës i luftës, por i zhgënjyer skajshmërisht në mënyrën se si po qeveriset tani vendi nga ata që kanë dhënë betimin për liri e shtet të së drejtës në ditët e vështira, e që lakmia për pushtet dhe pasurim të pa drejtë ua mori mendjen pas luftës dhe harruan betimin, shkelën edhe mbi gjakun e dëshmorëve të lirisë. “Jam pjesëmarrës i luftës dhe profesor i lëndës së historisë dhe kam ecur edhe unë gjithë rrugën historike nëpër të cilën ka ecur edhe Kosova. Si shumë kosovarë të tjerë jam edhe pjesëtar i luftës dhe kam kryer detyrën e zëvendës komandantin të moral dhe prezantim pranë shtabit të UQK-së në rajonin e Prizrenit.

Edhe betimi ynë luftarak aso kohe, por edhe qëllimi ka qenë që ta çlirojmë Kosovën prej Serbisë dhe që ta bëjmë një shtet që do të jetë shtet i drejtë, i pakorruptuar, pa hile, një shtet që do të ketë edhe një gjyqësi të drejtë dhe një shkollë shumë kualitative, një polici shumë popullore, do të ketë një udhëheqësi politike e cila jashtë interesat personale do ta vërë interesin shoqëror, interesin e përgjithshëm të Kosovës. Mirëpo, t’ju them të drejtën unë jam i zhgënjyer pas luftës”, theksoi ai, duke akuzuar ish- bashkëluftëtarët se u korruptuan. Sipas tij, betimi i dikurshëm është shkelur.

(Kosova Sot)