Profesori tregon se si Thaçi e ka shtrirë ndikimin e tij në drejtësinë kosovare

  • 19 March 2019 - 18:57
Profesori tregon se si Thaçi e ka shtrirë ndikimin e tij në drejtësinë kosovare

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e shohin me shqetësim të madh rikthimin e fenomenit të vrasjeve në Kosovë. Vetëm gjatë vikendit të kaluar në Therandë kanë ndodhur dy vrasje, e disa të tjera janë regjistruar edhe në javët dhe muajt e kaluar. Duke parë rritjen e kësaj forme kanunore të marrjes së drejtësisë në duart e qytetarëve, njohësit e sistemit të së drejtës theksojnë se vendi po rrezikohet që nga mungesa e sistemit të drejtë e të pavarur të drejtësisë, vetë qytetarët kosovarë ta marrin ligjin në dorë, ta bëjnë sipas tyre vetëgjyqësinë, sepse javën e fundit kemi dy vrasje pikërisht për shkak të problemeve pronësore.

Prof. Muhamet Kelmendi tha për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë dyshim që vrasjet janë rezultat i një vetëgjyqësie, e cila në kushtet e Kosovës, po bëhet vepër e domosdoshme, sepse nuk po funksionon drejtësia si institucion ligjor e kushtetues.

"Prokuroria dhe gjykatat kanë dështuar. Kudo gjykatat nuk po e ndajnë drejtësinë në bazë të ligjit, por kryesisht në bazë të interesave financiare dhe lidhjeve e grupeve të interesit. Tash po del qartë se varshmëria e policisë, e prokurorisë dhe e gjykatave nga dy baza, ajo e oligarkëve mafioze ekonomike dhe nga politika, kryesisht klani 'Pronto' i Hashim Thaçit", u shpreh ai.

Image
Muhamet Kelmendi

 

"Edhe vetë ministri i Drejtësisë është i dërguari i z. Thaçi. Ai nuk ka shkuar atje për te zgjidhur çështjen, për të bërë drejtësi dhe ligjshmëri, por për të thelluar varshmërinë nga ata dhe për të mos u dënuar nga gjykatat njerëzit e ndryshëm të klaneve. Kjo po vërehet zyrtarisht. Nuk ka dënime të asnjë personi të lartë zyrtar, apo të oligarkëve a të klaneve të ndryshme. Të akuzuarit lëshohen dhe nuk dënohen. Ministria e Drejtësisë bënë vetëm fjalë bashkë dhe përpiqet me megalomaninë e një sharlatani politik për të arsyetuar dështimet", vijoi më tej Kelmendi.

Ai potencoi se si rezultat të këtij dështimi të dy ministrive, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë, kemi rritje të krimeve të ndryshme, deri te vetëgjyqësia.

Lexo edhe: MPJ-së, 'nuk ia ndjen' për deputetin slloven që paralajmëroi rezolutë të BE’së kundër Kosovës

 "Populli e ka humbur shumë besimin në drejtësinë ligjore. Njerëzit e thjeshtë dënohen ashpër e ata që janë të pasur lihen në liri dhe nuk dënohen. Turpi i këtyre dy ministrive, të Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë, vazhdon. Ato po karakterizohen me shumë pika të dobëta: 1. Me pa aftësi të ministrave, 2. Me megalomani fëmijërore dhe 3. Me varshmëri totale. Kjo gjendje mund dhe duhet të shërohet. Natyrisht jo me politikën e tashmë vartëse, por me një përzgjedhje të kuadrit dhe me largimin e këtyre dy ministrave nga pushteti. Me këta nuk mund të ecet përpara, nuk luftohet krimi dhe nuk ndërtohet shteti ligjor. Kjo tani më shumë se kurrë është dhe po bëhet shumë e qartë", tha Muhamet Kelmendi për Kosova Sot".