Kërcënimet me vrasje, flasin nga Gjykata Speciale: Ky është alarmi për Gani Gecin dhe dëshmitarët

  • 21 March 2019 - 13:54
Kërcënimet me vrasje, flasin nga Gjykata Speciale: Ky është alarmi për Gani Gecin dhe dëshmitarët

Ish deputeti i LDK-së, Gani Geci, kohë më parë e akuzonte rëndë presidentin, Hashim Thaçi për vrasjet politike. Madje ai kishte paralajmëruar se do të jetë dëshmitar edhe në Gjykatën Speciale kundër Thaçit.

E ditë më parë, familja Geci përmes një reagimi për media kanë bërë të ditur se jeta e Gani Gecit është në rrezik. Ata kanë paralajmëruar të gjithë ata që duan ta eliminojnë Gecin se do t’ua kthejnë më të gjitha forcat që ata disponojnë.

Por, kërcënimet ndaj Gecit a janë mesazh për të gjithë ata dëshmitar që do të jenë në Gjykatën Speciale dhe a do të arrijë Specialja t’i mbrojë ata?

Lidhur me këtë, “Kosova Sot”, ka kontaktuar me Christopher Bennett, zyrtar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar i jep shumë rëndësi mbrojtjes së dëshmitarëve, por nuk komenton rreth çështjeve operacionale”, ka thënë për “Kosova Sot”, Christopher Bennett.

Kurse, ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, për “Kosova Sot” thotë se shumica e dëshmitarëve të proceseve gjyqësore për krimet e kryera gjatë luftës dhe pas luftës, janë likuiduar.

Image
Adem Salihaj

 

“Kjo është arsyeja kryesore se përse pothuajse asnjë krim serioz nuk e ka marrë epilogun gjyqësor. Likuidimi i vazhdueshëm i dëshmitarëve ka ndodhur për shkak se as Gjykata e Hagës, e as gjykatat në Kosovë, nuk kanë ndërmarrë asgjë serioze për mbrojtjen e tyre. Kjo shpjegohet me faktin se ndoshta prokuroritë dhe gjykatat kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe qëllimisht i kanë lënë dëshmitarët të pambrojtur”, është shprehur Salihaj.

Sipas tij, të gjithë dëshmitarët e mundshëm e Speciales janë në rrezik për jetën.

Lexo edhe: Mustafa ‘godet’ Haradinajn, Kurtin, Limajn e deputetët e LDK-së, ja kërkesa e tij

“Tash, me rastin e gjykimeve nga Gjykata Speciale, ka mundësi që sërish të paraqitet rreziku për jetën e dëshmitarëve. Nuk është hera e parë që njerëz të krimit nga Kosova të angazhojnë me pagesë grupe kriminelësh nga Shqipëria për eliminimin, jo vetëm të dëshmitarëve, por edhe të figurave politike. Kjo ka ndodhur shpesh edhe në të kaluarën. Një gjë duhet ditur, dëshmitarin mundohet ta eliminojë pikërisht ai që është i akuzuar dhe do të gjykohet nga Gjykata Speciale apo nga ndonjë gjykatë e Kosovës”, ka përfunduar për “Kosova Sot”, ish deputeti, Adem Salihaj.

(Kosova Sot)