Paloka: ‘Rai3’ i tregoi Melonit se ka bërë marrëveshje me një Qeveri mafioze

  • A.P /
  • 24 April 2024 - 17:43
Paloka: ‘Rai3’ i tregoi Melonit se ka bërë marrëveshje me një Qeveri mafioze

Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, në një intervistë  tha se objekti i atij emisioni në RAI3, ishte fakti se kemi të bëjmë me një marrëveshje për emigrantët mes Qeverisë italiane dhe Edi Ramës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ata i kanë thënë Melonit jo se është e korruptuar, por i kanë thënë ke bërë marrëveshje me një Qeveri mafioze, se në fund të ditës Olsi Rama nuk është vëllai i Melonit, as Engjell Agaçi nuk është Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave”, tha Paloka.

Ai u shpreh se natyrisht që gazetarët italianë mund të kenë synim të godasin Melonin, por kanë përdorur të zezat e Edi Ramës, i kanë treguar se ja çfarë shoku ke, me kë bën marrëveshje.

Paloka tha se lidhjet e Qeverisë me krimin dhe çdo e zezë, madje edhe skandale të niveleve ‘5D’ që është kulmi i arrogancës, apo që Olsi Rama rezulton i lidhur me laboratorë të drogës, janë kthyer në diçka normale dhe kjo është për të ardhur keq që qytetarët nuk reagojnë.

“Reagim nga Qeveria është e kot të presësh, ata janë të zhytur dhe është e kotë të presësh reagim prej tyre.

Këto reagimet e drejtësisë, mendoj se është një dëm që po i bëhet shqiptarëve, përsa kohë kemi një drejtësi me regji, dhe regjinë e kanë në dorë fatkeqësisht Edi Rama.

Edhe këta që arrestohen nisin për korrupsion dhe vjedhje dhe përfundojnë me shpërdorim detyre a thua se kanë thyer pllakat e banjës”, tha Paloka.

(Kosova Sot Online)