Edhe pengesa në të folur është aftësi e kufizuar

Edhe pengesa në të folur është aftësi e kufizuar
  • 02 June 2016 - 08:04

Shkruan: Irfan Bojaxhiu

Të folurit është mrekullia, dhurata dhe pasuria më e madhe dhe më e shtrenjtë e njeriut me cilën është shpërblyer vetëm njeriu në mesin e miliona llojeve të gjallesave në natyrë dhe, duke falënderuar këtë, njeriu dominon mbi të gjitha. Të folurit është mjet marrëveshjeje dhe komunikimi në mes njerëzve. I vetmi është njeriu që duke falënderuar të folurit ka mundur të bëjë lidhjen e veshit, trurit dhe gojës, kështu që me vesh merr informacionet, i ruan në tru dhe në momentin kur duhet t’ua transmetojë të tjerëve këtë e bën me anën e të folurit. Se sa rëndësi ka të folurit në jetën e njeriut mund ta dinë vetëm njerëzit të cilëve u mungon ky. Pa të folur nuk ka zhvillim intelektual, mendor, kulturor, ekonomik, shkencor, argëtues dhe çdo gjë që i nevojitet njeriut në jetën e tij. Të folurit nuk lindet së bashku me njeriun, ky zhvillohet nën ndikimin e familjes dhe rrethit shoqëror në të cilin rritet dhe jeton fëmija. Zhvillimi i të folurit fillon që nga lindja apo me qarjen /kamjen/ e parë. Qarja me rastin e lindjes llogaritet edhe si komunikim i parë me rrethin familjar dhe shoqëror. Kjo qarje në fillim bëhet instinktivisht apo pa dashje, por bëhet nga nevoja për të aktivizuar organet e frymëmarrjes, kjo qarje me vonë do të shndërrohet në nevojë sociale komunikimi dhe do të qajë׃ kur është i sëmurë, kur është i lagur, i  uritur, kur ka të ftoftë, i frikësuar etj. Rruga e zhvillimit të të folurit kalon nëpër disa faza siç janë׃ gugatja, murmuritja, krijimi i tingujve, krijimi i rrokjeve, fjalëve, fjalive të shkurta e deri te të folurit e artikuluar dhe me kuptim.

Faktorët që shkaktojnë pengesa në të folur

Të folurit nuk zhvillohet tek të gjithë fëmijët në një kohë. Disa vonohen, disa nuk flasin mirë, te disa nuk zhvillohet fare të folurit. Në zhvillimin dhe moszhvillimin e te folurit ndikojnë shumë faktorë, por me këtë rast do të përmend këta׃ 1. Dëgjimi është kushti primar që të përvetësohet të folurit /pa dëgjim nuk ka zhvillim të të folurit,  2.  Shëndeti po ashtu ndikon në zhvillimin e të folurit, 3. Inteligjenca, 4. Gjendja e aparatit të të folurit / kordat zanore, lëvizja dhe madhësia e gjuhës, gjendja e dhëmbëve, buzëve, rezonatorit të gojës, njerithit, qiellzës etj., 5. Rrethi shoqëror dhe kultura gjuhësore e familjes dhe rrethit shoqëror, 6. Gjendja sociale ekonomike e familjes, 7. Angazhimi dhe komunikimi i përhershëm me fëmijën në familje, 8. Personat e prekur me sindromin DOWN, 9. Personat e prekur nga AUTIZMI, 10. Grindjet në familje, 11. Frika  nga ndonjë shtazë apo diçka tjetër, 12.

Përdorimi i tepruar i televizionit dhe lojërat në kompjuter e shumë e shumë faktorë të tjerë. Çrregullimi i ndonjë nga këta faktorë  do të manifestohet edhe në moszhvillimin e të folurit apo paraqitjen e ndonjë nga pengesat e të folurit. Gjatë zhvillimit të të folurit dhe me çrregullimin e ndonjë nga këta faktorë që i përmenda do të paraqiten edhe pengesa në të folur, të cilat e pamundësojnë të folurit e mirë dhe të rregullt, kështu që njeriu me pengesa në të folur nuk do të mund të funksionojë në jetë ashtu si dëshiron dhe do të ndijë zbrazësi të përhershme shpirtërore në jetën e tij. Pengesat janë të shumëllojta, prandaj edhe nuk paraqiten te të gjithë individët të njëllojta, pra ato dallojnë edhe tek individët. Këto pengesa mund të jenë të lehta dhe të rënda, por që të gjitha e pengojnë personin në ngritjen e tij mendore, intelektuale dhe profesionale. Pengesa në të folur është sikurse kur personit i mungon ndonjë gjymtyrë׃ këmba apo dora, i mungon dëgjimi, shqisa e shikimit /syri/, gjendja mendore apo mentale, /nuk mund të mbaj mëndë/ etj. Edhe pengesa në të folur në masë të madhe e kufizon personin dhe ia zvogëlon aftësinë për të ushtruar ndonjë profesion për të cilin ka talent. Prandaj mund të themi se edhe personat me pengesa në të folur janë persona me AFTËSI TË KUFIZUARA, apo me nevoja të veçanta.

Edhe pengesat në të folur mund t’i quajmë sëmundje

Persona me aftësi të kufizuara janë ata të cilët kanë ndonjë nga të metat që e pengojnë personin në kryerjen e ndonjë pune apo veprimi dhe sipas OKB PËR SHËNDETËSI klasifikohen apo grupohen në׃ 1. Persona me dëmtime fizike, 2. Persona me pengesa në të folur, 3. Personat e shurdhër dhe gjysmë të shurdhër, 4. Persona me pengesa mentale, 5. Personat me sindromin DOWN, 6. Personat AUTIKË, 7. Persona me pengesa shikimi /të verbër/ etj. Si u tha më lartë pengesat në të folur janë të llojeve të shumta që do të përmendi disa prej tyre si׃ 1. Belbëzimi, 2. Ngecje në të folur, 3. Të folurit me hundë apo nazal, 4. Çrregullimi i fjalëve dhe shprehjeve, 5. Çrregullimi i artikulimit të tingujve, 6. Çrregullimi i leximit, 7. Çrregullimi i shkrimit, 8. Të folurit e shpejtë, 9. Të folurit e ngadalshëm, 10. Të folurit e pazhvilluar në nivel, 11. Çrregullimet e zërit e pengesa të tjera. Çfarëdo qofshin këto pengesa, e pengojnë personin në jetën e tij të përditshme e sidomos në ngritjen e tyre mendore, intelektuale dhe profesionale. Personat me pengesa në të folur janë shumë në ”SIKLET” të madh dhe të përhershëm, ngase të folurit është pjesë përbërëse e shpirtit të njeriut. Edhe pengesat në të folur mund t’i quajmë sëmurje të cilat nuk blihen dhe as nuk shiten, por ato vijnë vetvetiu. Pengesa në të folur nuk dhemb sikurse sëmurjet e tjera, por dhemb thellë në shpirtin e atij që ka pengesa në të folur. Personi me pengesa në të folur e ndien veten si të humbur, të pashpresë, të pavlershëm, të nënçmuar, të kufizuar, të pakënaqur me jetën e tij, gjithnjë është në një stres shpirtëror, të demoralizuar, ka depresion shpirtëror, pa identitet njerëzor, është gjithnjë në panik, e sidomos kur gjendet në rrethin e panjohur shoqëror, shikohet si person për keqardhje etj. Njerëzit të cilët kanë pengesa në të folur i përkasin grupmoshave më të reja prej 2 viteve deri në 5-6 vite dhe nëse nuk trajtohen apo mjekohen në moshën më të re, pengesat do t’i kenë tërë jetën, edhe pse pengesat mund të trajtohen pa marrë parasysh moshën. Përqindja  e këtij grupi mund të arrijë deri në 7- 15% e në disa vende edhe më e madhe.

Tradita dhe mentaliteti i prindërve

Nga praktika ime profesionale shumëvjeçare kam vërejtur se në pothuaj çdo klasë të shkollës fillore, e sidomos në klasat e ulëta, ka nga dy e më shumë nxënës të cilët kanë ndonjë lloj të pengesave në të folur. Popullata jonë, si në Kosovë si ajo në Shqipëri dhe trojet e tjera shqiptare, ka trashëguar një prapambetje arsimore, kështu që shumë pak i kushtojnë rëndësi të folurit, e sidomos pengesave në të folur, duke mos llogaritur se çfarë pasojash do të kenë këto në zhvillimin mendor, intelektual, profesional dhe shpirtëror të fëmijëve të tyre. Po ashtu, për moskujdesin ndaj këtij problemi ndikojnë edhe besëtytnitë e tyre, duke menduar se këto vijnë nga Perëndia dhe ajo e ka në dorë këtë problem, duke shpresuar se do t’u kalojë me kalimin e kohës, por në realitet është e kundërta, ngase me kalimin e kohës edhe pengesa në të folur do të “rritet” dhe do t'ia bëjë jetën skëterrë dhe të vështirë. Po ashtu  ndikon edhe tradita dhe mentaliteti i prindërve të cilët mundohen ta fshehin të metën e fëmijës së tyre, e sidomos të gjinisë femërore, por edhe nëse hetojnë se fëmija i tyre ka ndonjë pengesë në të folur, ata e dërgojnë fëmijën në ndonjë vend të shenjtë si janë tyrbet, xhamitë, kishat, varrezat pastaj tek personat që merren me magji, sehire e vende të tjera. Edhe pse grupi me pengesa në të folur është me numër më të madh, kujdesi shoqëror është më i vogël dhe pothuajse fare shoqëria nuk janë të interesuar.

Në vendet e tjera çdo shkollë dhe çdo institucion shëndetësor kanë shërbimet e logopedisë, ndërsa tek ne asnjë shkollë nuk e ka logopedin e vet, e po ashtu edhe në institucionet shëndetësore gjendja është e njëjtë. Logopedia edhe pse është një shkencë e vjetër për shumicën popullatës sonë është e panjohur në nivel, prandaj edhe nëse prindi heton se fëmija i tij ka pengesa në të folur, atë e dërgon në vende të gabueshme, të cilat i ceka më lart. Çka është edhe më interesant se në Kosovë, por edhe në të gjitha trojet shqiptare, numri i logopedëve është tejet i vogël, prandaj edhe shumë njerëz të profileve të tjera profesionale, për përfitime materiale, kanë filluar të merren me trajtime logopedike edhe pse nuk e kanë profesion logopedinë dhe ia humbin vlerën logopedisë, pasi nuk mund të kenë sukses. Prindi si prind kërkon çare apo ndihmë, por zhgënjehet kur fëmija i tyre i trajtuar nga këta “ekspert” nuk ka pasur sukses. Pengesat në të folur nuk mund të eliminohen menjëherë, disa prej tyre kërkojnë ushtrime për kohë më të gjatë si që është belbëzimi, të folurit me hundë, kur fëmijës i mungojnë shumë tinguj etj., por edhe janë disa më të kushtueshme nga se duhet me e dërguar fëmijën në ndonjë qytet tjetër ku ka logoped, e këtë ndoshta për shkak të krizës ekonomike në të cilën momentalisht gjendet popullata jonë, shumë fëmijë mbesin pa trajtim defektologjiko-logopedik apo sakat gjatë tërë jetës së tyre. Po ashtu me këtë rast është për t’u cekur, se në çdo vit shkollor bëhen edhe vizitat  mjekësore, por në ekipin mjekësor nuk gjendet asnjë defektolog-logoped gjë që është shumë e mangët kjo vizitë, pasi ekipi mjekësor nuk ka mundësi që të zbulojë edhe pengesat në të folur, për arsye se këto nuk mund të shihen /shikohen/ sikurse tek disa të meta apo sëmurje të tjera, gjë që është shumë me rëndësi jetike për nxënësit me pengesa në të folur.

Deri vonë, por edhe tash popullata jonë nuk e kanë të ditur dhe nuk e din se të gjitha llojet e pengesave në të folur mund të eliminohen me shumë sukses.  Për të ilustruar këtë që u tha më lart, në mesin e shumë qindra i-meleve dhe bisedave në internet, me përmbajtje të njëjtë, personat me pengesa në të folur kërkojnë ndihmë, si për shembull: Përshëndetje - jam një djalë 25-vjeçar, shkaku i belbëzimit të fjalëve në këtë po me streson shumë... nuk arrij dot në një zyrë punësimi ose institucion tjetër se ndihem shumë keq. Më thuaj çfarë të bëj që të jam normal si gjithë të tjerët...do bej ç'të mundem që ta largoj këtë gjë, ju lutem me ndihmoni. Nga këto letra dhe biseda mund të kuptojmë se sa vuajnë njerëzit me pengesa në të folur dhe sa rëndësi ka të folurit në jetë.

Autori është defektolog

(Kosova Sot)