Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, test për ta dëshmuar shtrirjen e plotë të sovranitetit

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, test për ta dëshmuar shtrirjen e plotë të sovranitetit
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, test për ta dëshmuar shtrirjen e plotë të sovranitetit

Gani Qarri

  • 10 March 2024 - 08:59

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Procesi i regjistrim të popullsisë në Kosovë, mbarëvajtja dhe bashkëpunimi i komunitetit serb në këtë proces, veçmas në veriun e Kosovës, duket se do të jetë edhe treguesi më besnik për rezultatet pozitive që kanë treguar masat e ndërmarra të Qeverisë, për rivendosjen e rendit dhe të ligjit edhe në këtë pjesë të territorit të vendit tonë.

 

Shtrirja e sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, ndalimi i organizatave terroriste serbe të ashtuquajtura "brigada e veriut" e "mbrojtja civile", si dhe luftimi konsekuent e përndjekja sistematike e bandave kriminale dhe dëbimi jashtë territorit të Kosove, i strukturave ilegale të armatosura serbe, të cilat kanë rrezikuar integritetin territorial, sigurinë në veri dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të komunitetit serb, nga Qeveria Kurti dhe Policia e shtetit të Kosovës, kanë mundësuar që përveç rivendosjes së rendit e të ligjit, të bëhet Regjistrimi i popullsisë edhe në këtë pjesë të vendit tonë, njëjtë si në gjithë territorin e Kosovës. Proces ky me rëndësi mjaft të madhe, e pse jo edhe jetike, për qytetarët e vendit, që tanimë është në fazën finale të përgatitjeve praktike, teknike e logjistike dhe sipas vendimit të Qeverisë, do të zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj të këtij viti, për herë të parë, pa pengesa të bandave kriminale serbe dhe organizatave terroriste të Radojçiqit & Co, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Përndryshe siç dihet, para 13 vitesh, pjesëtarët e minoritetit serb ishin detyruar ta bojkotonin regjistrimin e popullsisë, kohë kur pothuajse të gjitha vendbanimet e banuara me pjesëtarë të pakicës serbe ndodheshin në ndikim të plotë të strukturave ilegale, bandave kriminale dhe organizatave terroriste serbe të dirigjuara nga Beogradi që financoheshin dhe komandoheshin nga Serbia, të cilat aso kohe funksiononin lirshëm në Kosovë dhe i detyruan me forcë e kërcënime të hapura, qytetarët serb që të mos merrnin pjesë në procesin e regjistrimit. Krejt qëllimi ishte që minoritarët serb, të mos mund të numëroheshin saktësisht, në mënyrë që Serbisë hegjemoniste ti mbetej hapësirë e mjaftueshme për dezinformim të opinionit ndërkombëtar dhe manipulim me të vërtetën rreth numrit të vërtetë të pjesëtarëve të pakicës serbe që jetojnë në territorin e shtetit të Kosovës, gjë që me ndryshimet e fundit dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në gjithë territorin, ku edhe serbët në veri, tanimë janë çliruar nga presioni direkt i bandave kriminale dhe Beogradit, shpresojmë, që regjistrimi të kryhet me sukses edhe në këtë pjesë të vendit tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".