Kombëtarja 'KOSOVA SOT' ishte besnike e informimit të drejtë në kushte lufte kundër okupimit, besnike në liri dhe në procesin e shtetndërtimit

Kombëtarja 'KOSOVA SOT' ishte besnike e informimit të drejtë në kushte lufte kundër okupimit, besnike në liri dhe në procesin e shtetndërtimit
Kombëtarja 'KOSOVA SOT' ishte besnike e informimit të drejtë në kushte lufte kundër okupimit, besnike në liri dhe në procesin e shtetndërtimit

Gani Qarri

  • 24 March 2024 - 14:13

Shkruan: Gani Qarri, analist

-Siç dihet tanimë botërisht, nga të gjithë lexuesit dhe dashamirët e kombëtares "Kosova Sot, numri fillestar për të marrë nismën e vet të mbarë dhe rrugëtimin e vet ndriques, mbi dy dekadash e gjysmë, u publikua për herë të parë më 12 shtator të vitit 1998, apo para mese 26 vjetësh, një rrugëtim ky me mjaft vuajtje, sakrifica e përjetime nga më të rëndat, por edhe plotë arritje e suksese, duke bërë shembull i informimit dhe editimit për lexuesit dhe qytetarët, si rrallë ndonjë e përditshme tjetër në vend.

Dhe tanimë kur po i afrohemi 26 vjetorit, nga dalja e numrit të parë të gazetës KOSOVA SOT, nuk mund të mos i kujtojmë përjetimet tmerruese dhe kohët më të vështira që ishte detyruar ti kalonte populli i pambrojtur i Kosovës nën okupimin e Serbisë fashiste dhe diktaturën pinoqeteske të kasapit të Ballkanit Slloboddan Millosheviq, në fund të viteve 90-ta, pas suspendimit të autonomisë së Kosovës dhe fillimit të rezistencës mbarëpopullore të Kosovës, nën kushtet e rënda të izolimit total dhe okupimit klasik të Kosovës nga Serbia fashiste.

Një okupator tipik, i njohur për terror e masakrime, jo vetëm ndaj njerëzve dhe gllabërimit të pasurive të Kosovës, por një tiran që kishte përqëndruar sulmet barbare edhe kundër mjeteve të informimit të kohës, që një popull të tërë, ta mbante në terr të plotë informativ, e që nga atëherë, numërojmë kalimin e gati 27 viteve.

Kohë nga më të rëndat dhe mote kur me qëllim të ballafaqimit me sfidat e kohës dhe informimit të drejtë të qytetarëve, në vitin 1997 filluan përgatitjet e para, për botimin e gazetës më të re "Kosova Sot", numri i parë i të cilës, u publikua më 12 shtator të vitit 1998, pra, para rreth 26 vjetësh, duke u angazhuar pa kompromis e me plotë sakrifica për një informim, sa më të shpejt e real edhe nën kushte të okupimit, në fushën e tregut të medies së asaj kohe.

Një gazetë më ndryshe, që sillte risi edhe në përmbajtje, për ndryshim nga të tjerat, duke u pozicionuar tërësisht në mbrojtje të interesit nacional të popullit të okupuar shqiptar, e cila, qysh në tre muajt e parë të botimit, arriti të jetë gazeta numër një, dhe me besim të palëkundur në informim, përkundër përndjekjeve dhe vështirësive nga regjimi okupator serb.

Dhe duke qenë se kombëtarja "KOSOVA SOT" doli në treg si alternativë e informimit të drejtë në kushte lufte dhe okupimit të egër serb nga tiranit e Millosheviqit, gazetarët dhe reporterë e gazetës i nënshtroheshin çdo ditë, terrorit fizik dhe juridik, edhe pse kryenin vetëm misionin e tyre fisnik, të informimit të drejtë.

Faji i vetëm i tyre ishte, se ata informonin publikisht edhe për luftën e shenjtë çlirimtare të popullit shqiptar dhe ishin vënë në mbështetje të plot të aktiviteteve luftarake të UÇK-së, duke u shndërruar edhe vetë gazeta me angazhimin e saj në logjistikë të fuqishme të luftës së drejtë të shqiptarëve për liri, kurse secili gazetar dhe punëtor i gazetës, ishte një ushtar më vete i UÇK-së me rolin që kryente nën ato kushte, me mbështetje të luftës, raportim të drejtë dhe pasqyrim besnik të ngjarjeve nga fronti, duke rrezikuar edhe jetën, për të depërtuar deri në zonat më të thella të luftës.

Gazetarët e kombëtares "Kosova Sot", nga atje, ofronin dëshmi e fakte autentike, duke paraqitur zhvillimet në mënyrën më besnike, nga vendi i ngjarjeve dhe betejat e lavdishme të UÇK-s, si dhe pasqyruar në detaje krimet më monstruoze të regjimit okupator serb, të Millosheviqit mbi popullatën e pa armatosur shqiptare, duke u hakmarrë ndaj saj në pamundësi të ballafaqimit me grupet e organizuara të luftëtarëve të UÇK-së në frontet e luftës.

Kështu qysh nga dalja e numrit të parë të gazetë, për plotë 6 muaj të botimit nën kushte luftë, "KOSOVA SOT" u bë halë në sy të pushtetit okupator të Millosheviqit, duke u përcjell hap pas hapi, nga regjimi i tij pushtues, duke bërë gjithçka për ta pamundësuar dhe ndaluar botimin e kësaj të përditshme, për ta rivendosur serish, terrin e plotë informativ në Kosovën e okupuar nga Serbia fashiste, që kishte filluar me mbylljen e të gjitha mjeteve të shkruiara dhe audiovizive publike të informimit në Kosovën e okupuar.

Ndaj dhe nuk është për tu habitur, se si vetëm brenda dy muajve të parë të daljes në treg, kombëtarja "KOSOVA SOT" u bë liderë dhe idol i qytetarëve, të të gjitha moshave, dhe vetë ushtarëve të UÇK-s, për informim të guximshëm e të drejtë, gazeta e cila ishte rreshtuar tërësisht në mbrojtje të luftës së drejtë të shqiptarëve të robëruar, që asnjëherë nuk hezitoi të dokumentonte hapur mbi zhvillimet e luftimeve dhe dokumentonte publikisht me pamje dhe fotografi edhe ushtarët e UÇK-së, me rastin e nxjerrjes së kalendarit të vitit 1999, pra më 31-12 1998, dhe 1 e 2 janar të vitit 1999.

Këto ishin shkrimet e kohës në gazetë, bashkë me kalendarin historik, që personifikonte ushtarin e UÇK-s duke përkujtuar mësuesin hero Halit Gecin, të vrarë nga ushtria okupatore serbe, akt që ngjalli reagime shumë të ashpëra të regjimit okupator serb.

Madje ministri i atëhershëm i informacionit në qeverinë e Millosheviqit, që ishte vet krimineli Aleksandër Vuçiq, presidenti i sotëm i Serbisë, aso kohe doli publikisht para kamerave të RTS me ekzemplarin e gazetës dhe kalendarin e publikuar në kombëtaren "Kosova Sot", duke kërcënuar edhe me likuidime, me kërcënimin e tij cinik, se nuk do të durohen më, këto veprime të gazetës "Kosova Sot".

Kërcënim monstruoz ky, që në fakt shpejt, u bë edhe realitet, kur dora e zgjatur e okupatorit serb, vendosi për t`u hakmarrë ndaj gazetës "Kosova Sot", duke e sakrifikuar atë, ndër të parën e mediave të kohës, dhe me 11 mars 1999 regjimi okupues serb përmes vendimit të Gjykatës Komunale të Prishtinës të instaluar nga okupatori serb, dhe urdhër të ish-ministrit të informacionit Aleksandër Vuçiq, presidentit të sotëm të Serbisë, si dhe mbështetjen e veglave të tij në Kosovës, si Boshko Drobnjak, Sekretar i informacionit dhe spiunit besnik të UDB-s Baton Haxhiu, pa mbajtur as edhe një seancë të vetme gjyqësore e dënoi gazetën Kosova Sot me 800.000.00 dinarë të atëhershëm serb, që i binte mbi 500 mijë DM, apo Marka Gjermane.

Dhe krejt kjo, vetëm për shkak të politikes editoriale të kombëtares "Kosova Sot", e cila pati guximin që edhe nën okupim, ta mbronte pa kursim luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe denonconte vazhdimisht okupatorin serb.

Dënimi u shqiptua për botuesin, drejtorin, kryeredaktorin.... dhe krejt gazetën, ngase edhe përkundër kërcënimeve e shantazheve të okupatorëve serb, e përkrahte luftën çlirimtare dhe denonconte krimet mbi popullatën e pa mbrojtur shqiptare në Kosovën e pushtuar nga Serbia.

Mbulimi i aktiviteteve të luftëtarëve të UÇK-së, mbulimi, i ofensivave nga vendi i ngjarjes dhe politika editoriale kundër regjimit okupues të Milosheviqit bënë që gazeta KOSOVA SOT të bëhet halë në sytë e okupatorit dhe armiku NR. 1 i okupatorit vrastar, piroman e flakëvënës serb, andaj dhe u vendosë në listën për asgjësim para datës 24 mars të vitit 1999, pikërisht jkur edhe do të fillonin bom,bardimet e NATO_s kundër ushtrisë okupatore serbe.

Por paraprakisht u dha urdhri për ekzekutimin e dënimit me gjobë, më 16 mars të vitit 1999, në mënyrë urgjente, duke dërguar inspektorët që të zbarkojnë në ndërmarrjen “INTERPRES” për konfiskimin e të gjitha mjeteve, me qëllim të shitjes së asaj pasurie materiale deri në shumën e dënimit të shqiptuar, pa të drejtë ankese.

Kurse vetëm dy ditë më vonë, pra më 18 mars të vitit 1999 okupatori serb i hodhi në aksion policinë, që ta ndalonte me dhunë botimin e gazetës më të madhe të kohës në vend KOSOVA SOT, ndërsa numrat e gazetës u konfiskuan në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën, përfshi edhe rrjetin e shitjes të cilit iu konfiskuan të gjitha gazetat, duke i mbledhur ato edhe nëpër veturat shpërndarëse, dhe kërcënuar shpërndarësit e gazetës me jetë, nëse ata ditën tjetër do të bënin shpërndarjen e saj!

Por, lufta e regjimit okupator të Millosheviqit kundër gazetës më të madhe në vend "Kosova Sot" nuk përfundoi as këtu.

Kështu që pikërisht gjashtë ditë më vonë, apo më saktësisht më 24 mars të vitit 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi që kishin filluar bombardimet e aleancës veri-atlantike, kundër forcave okupatore serbe, përgjigjja e regjimit pushtues të Milosheviqit vjen e trisht, duke u vënë flakën mbi 3000 metrave katrore të hapësirave të shtypshkronjës se gazetës KOSOVA SOT dhe djegur e shkrumbuar pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin edhe shumica e librave shkollor dhe materialeve shkollore, për shkollat në gjuhën shqipe në mbarë Kosovën.

Pra duke qenë se ndikimi i gazetës KOSOVA SOT ishte një goditje tepër e madhe kundër regjimit okupator të kriminelit serb Milosheviq, që nga dita e parë e fillimit të botimit të gazetës më 12 shtator 1998 e deri në ditën kritike të ndalimit dhe të djegies së saj të qëllimshme, më 24 mars 1999, zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës KOSOVA SOT si të paren e NR. 1 për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që edhe vetë roli dhe Dëmi i djegies ishte mbi 5 milionë Euro.

Megjithatë, edhe përkundër të gjitha dëmeve dhe goditjeve të okupatorit serb, kombëtarja "KOSOVA SOT" nuk është dorëzuar dhe po gjatë kohës së bombardimeve përsëri është riorganizuar për informimin e qytetarëve kosovar, duke zhvendosur një pjesë të redaksisë në Shkup dhe pjesën tjetër në Tiranë, dhe shpërndarë gazetën për kosovarët që gjendeshin asokohe në Maqedoni dhe Shqipëri, për të mos munguar informimi nga frontet e luftës dhe forcuar kauza e shenjtë e lirisë, për të cilën po luftonte, me të gjitha mjetet populli i Kosovës.

Pas përfundimit të luftës gazeta KOSOVA SOT rifilloj punën për të vijuar me sukses, misionin e saj fisnik, duke i mbetur besnik në informim lexuesit dhe raportuar e mbetur dëshmitare e të gjitha rrjedhave të procesit të ndërtimit të shtetit dhe demokracisë se re, pa hezituar asnjëherë për të denoncuar edhe devijimet dhe afirmuar vlerat e vërteta të procesit të shtet-ndërtimit.

Kombëtarja "Kosova Sot", edhe pas lufte nuk ka amnistuar devijantët, përkundrazi ka kritikuar dhe denoncuar hapur, të gjithë ata që në emër të meritave të luftës, apo të benefiteve të ndryshme politike, u rreshtuan për tu bërë dorë e zgjatur dhe bashkëpjesëmarrës të instalimit të krimit në Kosovën e pasluftës.

Misioni për informim të drejtë i gazetës KOSOVA SOT, deri para disa vitesh është zhvilluar në formën e shtypur, kurse tani si shumica e ish gazetave ditore, vazhdon publikimin në versionin elektronik, pa devijuar në misionin e saj fillestar, që nga dita e parë kur është botuar.

Por edhe pse tanimë po bëhen 25 vjet nga përfundimi i luftës, dhe përpjekja për ta realizuar të drejtën e vet, përkundër faktit që në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës, ajo fatkeqësisht as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar kurrë nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetent, duke udhëzuar që padia të dërgohet në gjykatat e Serbisë në Beograd, atje ku edhe sot, në krye të shtetit serb, sundon po i njëjti kriminel, që vet ka dhënë urdhër për dënimin dhe shkatërrimin e gazetës dhe pronave të kombëtares "Kosova Sot" pra Aleksandër Vuçiqi, i cili çuditërisht, nga ish ministër i informacionit dikur në regjimin okupator të Millosheviqit, sot është president dhe kontrollon përsëri të gjitha shtyllat e shtetit hegjemonist serb!

Kështu që megjithëse krimi i Serbisë është kryer në Prishtinë (Kosovë), gjykatat "tona" të kapura, nuk e kanë parë të arsyeshme për ta marr parasysh e gjykuar këtë rast dhe kërkuar kompensimin e dëmit të shkaktuar nga okupatori serb, duke udhëzuar kombëtaren "Kosova Sot" që padia të dorëzohet në gjykatat serbe në Beograd, duke harruar kontributin e madh dhe rolin vendimtar e të pazëvendësueshëm të kombëtares "Kosova Sot", para, gjatë luftës dhe në liri, pra për më tepër se dy dekada, në periudhat më të ndjeshme, në procesin e informimit, shtet ndërtimit dhe konsolidimit të shoqërisë së re demokratike të Kosovës!