Xavi: Jam i zhgënjyer si të gjithë tifozët e Barcelonës

  • A.P /
  • 17 April 2024 - 14:09
Xavi: Jam i zhgënjyer si të gjithë tifozët e Barcelonës

Barcelona e përfundoi në çerekfinale rrugëtimin e këtij sezoni në Champions League teksa bluagranat u përmbysën në shtëpi nga Paris Saint-Germain me rezultatin 1-4.

Katalanasit u penalizuan nga një karton i kuq për Ronaldo Araujon në minutën e 29-të të pjesës së parë, teksa më pas nisi edhe festivali i golave të parizienëve.

Pas sfidës, trajneri Xavi Hernandez theksoi se skuadra e tij është jashtë Europës vetëm prej vendimit të arbitrit për të nxjerrë jashtë loje Araujon, që sipas tij ishte tërësisht një vendim i gabuar.

Nga ana tjetër, Xavi shtoi se nuk e ndryshon vendimin e deklaruar para disa muajsh dhe se do të largohet nga Barcelona në fundin e sezonit.

“Jam i zhgënjyer si të gjithë tifozët e Barcelonës, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në Champions dhe më vjen keq që aventura përfundoi për një gabim të arbitrit. Jam krenar për skuadrën dhe besoj se meritonim kualifikimin, këtë e treguam kur në fushë ishim 11 kundër 11. Por, kështu ndodh në futboll, vendimet gjithmonë kanë ndikimin e tyre në fushë dhe për ne ai vendim i arbitrit kushtoi shumë. Sa i përket të ardhmes sime, asgjë nuk ka ndryshuar”, u shpreh Xavi.

(Kosova Sot Online)