Kur ai ju refuzon për shkak të shoqërisë

  • 17 January 2017 - 16:45
Kur ai ju refuzon për shkak të shoqërisë

Jemi të prirë që të mendojmë se dashuria është e paepur, por, për fat të keq, në jetën reale nuk është gjithmonë kështu.

Në disa raste mjafton që të mos i pëlqeni shoqërisë së tij dhe të marrë fund çdo gjë, përkundër asaj se, deri në atë moment, mund ta keni pasur një lidhje të mrekullueshme. Ndokush do të mund të thoshte: "Sikur të më donte me të vërtetë, do të rrinte me mua, përkundër asaj çka mund të thonë shokët e tij". Kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Djali mund t'ju dojë me të vërtetë dhe sinqerisht, e në të njëjtën kohë t'i mungojë pjekuria dhe vetëbesimi. Duhet ta dimë se mënyra e të dashuruarit ndryshon te 14, 15-vjeçarët, nga 20, 30- vjeçarët, transmeton gazeta Kosova Sot.

Ju do, por...

Ai ju do ju, por për të rëndësi të madhe ka edhe mbështetja e miqve; me anë të miratimit, apo mos miratimit të tyre, ai e vlerëson edhe suksesin, respektivisht dështimin e vet. Meqë shoqëria e tij mund të mendojë se ju nuk jeni mjaft "cool" për të, ai mundohet t'i shtypë ndjenjat e veta. Mendoni se një sjellje e tillë është sjellje axhamiu? Nuk themi se nuk keni të drejtë. Por, nuk duhet harruar se kemi të bëjmë me një adoleshent (me gjasë as ju nuk e konsideroni veten plotësisht të pjekur, apo jo?!). Edhe për ju rëndësi të madhe ka mbështetja e shoqes. Me gjasë nuk do të ishit të lumtura sikur shoqja juaj e ngushtë t'ju thoshte se i dashuri juaj është "pa lidhje". Varësisht nga ajo se sa të lartë e keni vetëbesimin, ju mund të preferoni diçka që shoqërisë tuaj nuk i pëlqen. Ndoshta këtë do ta mbani për vete, apo edhe do t'iu tregoni atyre. Por, lidhjen është vështirë ta mbani sekret, vetëm për vete. Herët a vonë të tjerët do ta marrin vesh. E, nuk është ndjenjë e mirë kur i dashuri ju mban fshehur nga shokët e tij. Ndiheni keq edhe në këtë rast, apo jo? 

Çka të bëni në një situatë të këtillë?

Njëra nga mundësitë është që ta gjeni dikë që ka më shumë vetëbesim, apo dikë që shoqërohet me njerëz të cilëve ju u pëlqeni. Ky variant është i lehtë për t'u realizuar nëse ndaj të dashurit aktual nuk keni ndjenja të forta. Ju pëlqen, por nuk do t'ju plasë zemra nëse ndaheni nga ai. Mundësia e dytë është që të mundoheni, pak nga pak të dashurin, që të ketë sa më shumë vetëbesim. Ta bëni më trim. Mundeni edhe ta ngucni, duke i thënë se a do t'i pyes shokët edhe kur të shkojë në WC, apo si t'i presë flokët. Nëse një "ngucje" e tillë ju duket e tepruar, ajo me të vërtetë është e tillë, por ka një qëllim të mirë, që atë ta bëjë të pavarur nga ajo që mendojnë të tjerët, ta bëjë të mendojë me kokën e vet. Ekziston edhe mundësia e tretë. Që t'i bëni shokët e tij të mendojnë se ju qenkeni "cool", por ata nuk e paskan vërejtur. Se si do ta bëni këtë, varet nga ajo se çfarë shoqërie ka ai. 

Përfundim 

Ajo që ka rëndësi më së shumti është që ata ta dinë se ju nuk do t'ua merrni shokun, e as nuk do t'ia ndaloni të shihet me ta, edhe pasi të bëhet i dashuri juaj. Pa marrë parasysh se për çka përcaktoheni, ne ju urojmë fat!

(Kosova Sot)