Roman dashurie: Vejusha (1)

  • 22 January 2017 - 15:16
Roman dashurie: Vejusha (1)

KAPITULLI I PARË

Në fytyrën e Lumnijes nuk kishte lot. Rrinte drejt, duke shikuar në një pikë, me një pamje dinjitoze me fustanin e zi, të gjatë, me mëngë të tejdukshme. Njerëzit ishin mbledhur në përvjetorin e vdekjes së burrit të saj, për ta shprehur nderimin e tyre ndaj tij. Por, asaj nuk i interesonin ata aspak. Të paktën, ashtu dukej. Në të vërtetë, mund të thuhej se askush nga farefisi i të ndjerit dhe miqtë e tij, kurrë nuk kishin mundur ta kuptonin në tërësi vejushën, bile edhe para se të bëhej e tillë. Kur shkonin në shtëpinë e Krasniqëve, në periferi të qytetit, gruaja e re i priste me mirësjellje, por e përmbajtur, kryesisht rrinte shumë pak me mysafirët, për t'u fshehur më pas në kuzhinë, duke u arsyetuar se i duhej ta përgatiste drekën, a darkën. Era frynte mbi varre, lulet e vyshkura lëkundeshin të pafuqishme, duke treguar shenja të vogla të qëndresës. Flokët e gjatë të Lumnijes ngjyrë bakri valëviteshin dhe ia jepnin asaj një pamje misterioze dhe jo të natyrshme. Kalimtarët ndalonin për ta shikuar gruan e bukur, të gjatë, të vetmuar, e cila dukej e ftohtë, sikur guri. Disa pyeteshin a ishte ajo e ashpër, apo vetëm dinjitoze, derisa femrat pëshpëritnin se nuk ishte me vend ta vishje një fustan të tillë elegante dhe taka tepër të larta për përvjetorin e vdekjes së burrit. Këto nuk i interesonin aspak Lumnijes. Sytë e saj të gjelbër vazhdonin që të shikonin në largësi, në të kaluarën.

KAPITULLI I DYTË

I ati i Lumnijes vinte nga një fshat i vogël, por si person ushtarak që ishte, pjesën më të madhe të karrierës e kishte kaluar në kryeqytet. Kishte vdekur para krizës së madhe, e gruan me dy fëmijë i kishte lënë në një qytezë të vogël. Meqë e ëma e Lumnijes ishte një amvise e mirë, ku nuk kishte send që nuk mund ta bënte, zgjidhja e vetme ishte që të zhvendoseshin te tezja, te motra e nënës, afër kryeqytetit. Aty Lumnija i kishte kaluar vitet e adoleshencës, e hutuar midis respektit për tezen e pasur dhe burrin e saj mburravec, derisa e kishte mbaruar fakultetin e mjekësisë. Menjëherë gjeti punë në kryeqytet, gjë që paraqiste lehtësim, meqë përfundimisht mund ta mbante vetveten, duke mos u bërë barrë për askënd. Vëllai i saj, dy vjet më i madh, u martua me një gjermane të trashë, të cilën e njoftoi në internet. Shumë shpejt ai shkoi për të jetuar jashtë, duke u bërë edhe vetë "i jashtmit". Nëna vdiq dy muaj pas punësimit të Lumnijes, kështu që kjo e fundit ngeli krejtësisht e vetmuar. Me rrogën e saj modeste nuk mund të merrte ndonjë banesë më të madhe, prandaj jetonte në një dhomë te një plakë, por nuk kishte pse të ankohej. Dinorja, apo si e quante Lumnija, halla Dinore, nuk kishte fëmijë, prandaj përkujdesej që qiraxhikes së saj të heshtur t'ia ofronte të gjithë dashurinë që e kishte. (vijon)

(Kosova Sot)