Roman Dashurie: Vejusha (3)

  • 24 January 2017 - 16:07
Roman Dashurie: Vejusha (3)

Pasi doli në autostradë, u ndie më e lehtësuar. E hapi dritaren dhe e qiti dorën jashtë, për ta përjetuar freskinë e ditës pranverore. Mendonte rreth punëve që e prisnin në kryeqytet, ku ishte vendosur menjëherë pas vdekjes së burrit. Kishte mjaft para që ta blinte një banesë, e duke shitur patundshmëritë që i kishte lënë burri, si dhe aksionet që ai i kishte në disa kompani, e kishte siguruar biznesin e vet. Me një gjinekolog të njohur kishte hapur një klinikë private, ku vetë nuk punonte, por i kishte punësuar tre kirurgë të famshëm. Kohën e lirë e kalonte duke mësuar - ndiqte kurse të ndryshme, nga shkolla e grimit, deri te shkolla e gjuhëve të huaja, duke dashur që të fitonte sa më shumë dije nga fusha të ndryshme nëse një ditë, mos e dhëntë Zoti, të mbeste pa asgjë dhe t'i duhej t'ia niste nga fillimi. E mundonte fakti që, tërë atë që kishte, disi e kishte marrë pa mund dhe që vdekja e një njeriu ishte bërë shkak që ajo të ndihej aq mirë.

KAPITULLI I KATËRT

- Zonjë, i kemi marrë çmimet e instrumenteve, të cilat i keni kërkuar. Sekretarja e klinikës, një vajzë e imtë me pamje të këndshme, ishte shtangur nga trema kur Lumnija një ditë kishte hyrë në zyrë. - Të faleminderit, por ato le t'i kontrollojë doktori. Ai e di se çka na nevojitet, e unë do t'i miratoj harxhimet. Sekretarja i la letrat anash dhe filloi ta shikonte me vëmendje gruan leshkuqe me flokët e mbledhur përmbi, e cila kishte veshur një komplet ngjyrë vere të kuqe dhe stoli të shtrenjta rreth qafe. Vërejti se zonja kishte hequr unazën e martesës dhe nuk kishte në dorë asnjë unazë të shtrenjtë. Lumnija vazhdonte që të përdorte parfum të shtrenjtë, i cili sekretares nuk i pëlqente dhe nganjëherë ia zinte frymën. - A ka ardhur kandidati i ri? - Ende jo, zonjë. Më kanë thënë ta shtyj takimin për orën 3, meqë doktori nuk e dinte a do të vinit më parë. Lumnija buzëqeshi. Doktori e konsideronte si fëmijë të papërgjegjshëm, të cilit prindërit ia kishin lejuar të gjitha, kështu që tani mund të luante sa t'ia donte qejfi. Për të gjitha përgjegjësitë e Lumnijes, ai përkujdesej që t'i kryente vetë, në rast se ajo nuk do t'ia dilte. - Lajmëroje doktorin se unë jam këtu dhe që ai mund të relaksohet. Unë do të bisedoj me kandidatin. - Në rregull, do t'i them. Lumnija u lirua në kolltukun e rehatshëm të lëkurës, të cilin, varësisht nga nevoja, e shfrytëzonte ajo, apo doktori. Gjithçka përreth simbolizonte biznesin dhe shëndetësinë. Doktori kishte aq shumë diploma dhe mirënjohje, saqë diploma e saj e vetme thuajse kishte humbur në atë det mirënjohjesh të huaja. Por, Lumnija nuk mërzitej për këtë. Edhe ashtu ajo nuk ishte duke e bërë punën e vet, por mundohej ta lidhte fakultetin me nevojën që të ishte grua profesioniste. Asaj nuk i pëlqente mjekësia, por ai ishte fakulteti i vetëm të cilin tezja e saj, te e cila kishte jetuar, ishte e gatshme t'ia financonte, në mënyrë që më vonë të kishte kush ta mjekonte. (vijon)