Roman dashurie: Punë fati (18)

  • 20 March 2017 - 17:18
 Roman dashurie: Punë fati (18)

- Po, do të jem invalid. Do të lëviz me karrocë. Këmbët e mia janë aq të lënduara, sa që më nuk do të kenë rast të ecin vend e pa vend. Ata që ma bënë këtë nuk kanë mundur të më ndëshkonin më rëndë. Por, unë nuk dorëzohem. Nuk do të më mposhtin kaq lehtë. Tani edhe më shumë do të vazhdoj me të gjitha ato punë për të cilat edhe gjendem këtu. Anita nuk e kishte aspak të qartë moralin e tij luftarak. Kishte pritur gjithçka - edhe ta gjente duke qarë, nervoz, që të kërkonte nga ajo që të mos e shikonte të tillë, vetëm nuk kishte pritur që Çuni aq shpejt të pajtohej me fatin edhe atë, në këtë formë të guximshme.

- Anita, fol diçka! Ajo e mori veten shpejt, e vetëdijshme se mund të duket sikur nuk e mbështetë në atë qëndrim të tij. - Më habite për të mirë. Për këtë shkak nuk po flas. Ai buzëqeshi me atë buzëqeshjen e tij karakteristike. - Engjëlli im, më habitë ti, që rri këtu me mua, duke e ditur mirë se më nuk jam ai i vjetri. Dëgjo! Dua të jem i sinqertë dhe i hapur me ty dhe dua që edhe ti të jesh e tillë ndaj meje. Më premton se do të jesh e sinqertë? - Natyrisht se po. - Atëherë mund të të them se je e lirë të shkosh dhe të mos më shohësh më kurrë, nëse dëshiron ta bësh këtë. Nuk do të zemërohem. Nuk do të mendoj keq për ty, nuk do të them se më le dhe më braktise kur mu deshe më së shumti. Je e re dhe e bukur, prandaj nuk pritet nga ti që të rrish pran një njeriu i cili edhe ashtu kurrë nuk të ka ofruar diçka stabile dhe të qëndrueshme, sidomos tani kur ai njeri është invalid. Nuk do të doja që të rrije me mua vetëm për shkak të keqardhjes. Kjo do të më lëndonte. Anitës i rrihte zemra si e marrë, sikur të donte t'i dilte nga gjoksi. E, në fyt i ishte formuar një duq. Mezi arrinte t'i mbante lotët. E dinte se Çuni me të vërtetë mendonte ashtu si fliste. Thjesht, ai e linte të shkonte, që të nxirrej nga kurthi i keqardhjes dhe simpatisë, të cilin ia kishte servuar jeta. Nuk kishte obligime ndaj Çunit, këtë e dinin të dy ata. Por, diçka sikur e pengonte që të ngrihej dhe të largohej. Ajo ishte tepër e njerëzishme që të mund të largohej në ato momente, e të mos i binte pishman më vonë.

Për këtë shkak, vazhdoi të qëndronte aty, duke e shikuar me një shikim neutral. - Anita? Çka je duke menduar? I duhej t'ia jepte një përgjigje, por nuk dinte çka t'i thoshte. Filloi ta vriste mendjen, për ta gjetur ndonjë fjali, e cila do ta kthente bisedën në një kah tjetër. Asaj i duhej kohë për të menduar se çka do të bënte, por Çuni donte që t'i zgjidhte të gjitha çështjet menjëherë. - Anita, të lutem, u morëm vesh se do të jemi të sinqertë ndaj njëri-tjetrit. Më trego tani çka mendon, çka të sillet ndërmend? Nga goja asaj i dolën fjalët për të cilat edhe vet u befasia, sikur nga ajo të fliste dikush tjetër, e ajo dhe Çuni të ishin vetëm dëgjues. (vijon)

(Kosova Sot)