Ngjarje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (3)

  • 20 March 2017 - 17:32
Ngjarje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (3)

- E dashur, ai vetëm ka bërë shaka - thashë shkurtimisht. - Shaka? A bëhen shaka të tilla me një trevjeçar? Si mund ta marrë guximin që t'ia marrë lumturinë që sjellin festat dhe pritjet? Nuk do t'ia lejoj. Nëse ti nuk e kritikon, atëherë do ta bëj unë këtë - tha ajo dukshëm e shqetësuar. Ajo që vëllai i kishte thënë Leonit, unë nuk e përjetova në një mënyrë aq dramatike. Mendoja a ta shprehja mendimin tim, apo të pajtohesha me të, e t'ia bëja rrafsh. Vendosa për variantin e dytë. - Ke të drejtë, do të bisedoj me të - i premtova. - Thirre menjëherë! Shikova orën. Petriti me prindërit kishte shkuar në teatër. - Por, ai tanimë është në koncert - ia rikujtova. - Mirë, por gjëja e parë që do ta bësh në mëngjes, është që ta thërrasësh atë. - E dashur, si të thuash ti - pranova unë. Në atë moment në dhomë erdhi djali ynë. - A ka Babadimri shumë para? - pyeti Leoni. Fatmirja dhe unë e shikuam njëri-tjetrin. - Pse të intereson një gjë e tillë? - iu kthye gruaja, duke iu përgjigjur me pyetje. - Sepse gjyshja dhe gjyshi vazhdimisht thonë se është krizë. Nëse Babadimri nuk ka para, atëherë mua me gjasë do të më fshijë nga lista e dhuratave - tha ai. - Pse do të të fshinte? - pyeti me çudi Fatmirja. - Sepse nuk besoj se ai ekziston - u përgjigj në mënyrë logjike djali. Fatmirja dhe unë sërish shikuam njëri-tjetrin. - Por, ke ndryshuar mendimin, apo jo? - e pyeti gruaja. - Atëherë a do të më sjellë sivjet atë që dëshiroj, apo jo? - vazhdoi djali, duke mos e dhënë përgjigjen që e priste gruaja. - Nëse do të jesh djalë i mirë dhe nuk do ta bësh shtëpinë rrëmujë, atëherë jam e sigurt se ai nuk do të të harrojë. - Mami, nuk them se do të më harrojë, por a do të ketë mjaft para edhe për mua, kur dihet se është krizë - shpjegoi trevjeçari. - Babadimri është i mençur. Jam e sigurt se ai do të dijë t'i ndajë financat e veta ashtu që çdo fëmijë të marrë atë që dëshiron - u përgjigj gruaja. - Baba, edhe sa ditë kanë mbetur deri te Viti i ri? - përfundimisht Leoni m'u drejtua mua. Unë i tregova. - Paska edhe shumë ditë për të qenë djalë i mirë - përfundoi ai, duke na puthur mua dhe gruan, e më pas duke u kthyer në dhomën e vet. - Shikon, problemi u zgjidh vetvetiu. Ai është fëmijë. I interesojnë vetëm dhuratat, gjithçka tjetër atij nuk i intereson - i thashë gruas. - Ke të drejtë, por prapëseprapë dua që nesër të bisedosh me Petritin - këmbënguli ajo. I premtova edhe një herë. Saktësisht në mesditë në sallonin e fustaneve të nusërisë hyri një vajzë me pallto të zezë. Flokët e saj të gjatë, e të zeza, ishin të rregulluar, me gjasë nga ndonjë floktar i zoti, por më pas ishin shprishur. Fytyrën e kishte të lagur, grimin të dëmtuar. - Mirëdita! A mund t'i shikoj fustanet e nusërisë? - më pyeti me një zë të ulët nga dera. - Natyrisht, hyni lirisht - i thashë, meqë prania e saj më befasoi. - A mund të më ofroni diçka që do të më rrinte mirë? - mu drejtua sërish, pasi që shikoi disa fustane të varura. Nuk më erdhi mirë që m'u desh ta prishja rehatinë. U ngrita dhe ia tregova disa fustane kuturu, ashtu si më dolën përpara. Ajo me gjasë hetoi erën e birrave, që i kisha pirë pasdite. - A jeni i dehur? - më pyeti duke qëndruar përballë meje. - E ju, a jeni e pispillosur? - iu përgjigja me pyetje duke evituar kështu përgjigjen direkte. Për një moment në fytyrën e saj u paraqit një buzëqeshje, por më pas përsëri u bë serioze. Kur e shikova më mirë, u binda se fytyra nuk i ishte lagur nga bora, por nga lotët. - Ma jep një çfarëdo - më tha. - Çfarëdo? Si mendoni, çfarëdo? - i thash i habitur, meqë nëna dhe vëllai më kishin thënë se nuset e ardhshme me orë të tëra zgjedhin fustanin e tyre të nusërisë. Për dallim prej tyre, kësaj vajze nuk i bëhej aspak vonë çfarë fustani do të merrte. - Ma jepni fustanin për të cilin mendoni se do të më rrijë më së miri, megjithatë, ju jeni ekspert - më tha ajo, derisa një lot iu rrokullis faqeve. U ndjeva në siklet, meqë nuk dija si të sillesha me një femër e cila përzgjedhë fustanin e nusërisë dhe qan në të njëjtën kohë. Nuk e kisha idenë se cilin t'ia propozoja. Mua edhe ashtu të gjithë ato fustane më dukeshin të njëjta. Përsëri veprova kuturu. - Mendoni se kjo ngjyrë e shampanjës do të më rrinte mirë? As që e kisha idenë se çfarë ngjyre ishte ajo. - Po, do t'ju rrinte mirë. - Atëherë do ta marr - më tha, duke e marrë fustanin nga dora ime dhe duke shkuar për ta provuar në kabinë. Përkundër asaj se kishte flokë të shprishur dhe grim të njollosur, ajo dukej për mrekulli. Ajo mërzi, e cila shihej në sytë e saj, e që reflektohej në tërë fytyrën, ia jepte një hir të veçantë. - Dukeni më bukur se 1 milion euro - i thashë me sinqeritet. (vijon)

(Kosova Sot)