Ngjarje e vërtetë: Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e vet (1)

  • 24 March 2017 - 17:14
 Ngjarje e vërtetë: Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e vet (1)

Vëllait tim Agimit nuk i kam besuar kur më telefonoi para pesë viteve dhe më tha se po martohej. Gjithmonë ishte problematik, dhe mendoja që bëhet fjalë për edhe një mashtrim të tijin, me të cilin do të nxirrte para nga prindërit. Lufta mes nesh ka filluar në momentin kur ai ka filluar që të ecë. Vinte në dhomën time dhe m'i prishte të gjitha lodrat. Kur shkoja duke qarë te prindërit, mendonin se unë si fëmijë më i madh isha xheloze. Edhe shoqet e mia nuk vinin më te unë, sepse Agimi ua shkulte flokët. Nuk e mbushi mend as dënimi kur për herë të parë ia vodhi nënës paratë nga kuleta dhe bleu lodra.

Qysh atëkohë në sytë e tij e pashë një shkëlqim negativ. Edhe pse ishte më i ri se unë, kisha frikë nga vëllai im. Kohë pas kohe në shtëpi kthehej me kokë të përgjakur, rrihej edhe me më të mëdhenj se ai. Qysh nga fëmijëria preferonte çdo gjë të keqe, ndërsa prindërit nuk dinin se çfarë të bënin me të. Me kalimin e kohës edhe vetë u bindën për natyrën e tij të rëndë. Në shkollë nuk mësonte, kujdestarja e ftonte shpesh nënën në biseda. Qysh në klasat e para të shkollës fillore ishte në parapërjashtim, për shkak të sjelljes së tij të keqe, ndërsa në klasën e shtatë e përjashtuan nga shkolla. Agimi problemin e njëshave të tij e rregullonte në mënyrën e tij. Në vend se të mësonte, kur arsimtaret dilnin nga klasa, ai në ditar i shkruante vetes nota të mira. Më pas prindërit e transferuan në një shkollë tjetër. Mezi e përfundoi shkollën fillore, ndërsa me kalimin e kohës po bëhej gjithnjë e më i keq. Pasi që dy herë e përsëriti vitin në shkollën e mesme, u punësua. Prindërit ia siguruan një stendë në treg dhe Agimi atje punonte me çelësa. Besonim se do të kthjellej dhe do ta kërkonte një jetë më të mirë. Dëshironim që të regjistrohet në ndonjë shkollë të mbrëmjes, por ai ende ishte në botën e tij problematike. - Kush është pasuruar nga shkolla? - i pyeste prindërit. - Mendon ta kalosh tërë jetën në treg?

Të mërdhish dimrit ose të digjesh verës? Me kalimin e kohës do të sëmuresh nga reuma, e për vena të zgjeruara nga qëndrimi në këmbë nuk po flas fare - provonte nëna që t'i tregonte që pa shkollë nuk mund të jetohet. - Jeni naivë nëse mendoni se do të jetoj nga puna në treg. Punoj me çelësa vetëm që të mos më mërzisni, ndërsa paratë fitohen në mënyra të tjera - u thoshte ai. Nëna nuk reagoi, sepse e dinte për çfarë po mendonte. Ishte pyetje e momentit kur policia do të paraqitej në derë, sepse Agimi nuk dëshironte asgjë të ndershme e as të zakonshme. Ëndërronte pasurim brenda natës, e një gjë e tillë nënkupton diçka të paligjshme dhe të rrezikshme. Prindërit e mi mund të tregojnë më së miri se nëpër çfarë kanë kaluar me të, por më nuk dëshirojnë as që t'i kujtojnë ato kohëra. Veçanërisht tani, kur bëri të ditur se do të martohet, nënës dhe babait nuk u hiqen buzëqeshjet nga fytyra. Sot u jam mirënjohëse që na kanë ndarë me kohë. Më dërguan në një qytet tjetër, te motra e nënës, që atje ta përfundoj shkollën e mesme dhe fakultetin. Kështu më ruajtën nga problemet në të cilat do të përfshihesha edhe unë po t'i shihja të gjitha marrëzitë të cilat ua bënte Agimi. Nëna i ankohej shpesh tezes, i thoshte se nuk di çfarë të bëjë me të.

E kishte vjedhur dhe shitur arin e familjes, ndërsa paratë i kishte harxhuar në pije. I pëlqente edhe bixhozi, e për t'u kënaqur në shprehitë e tij, merrte edhe hua nga fajdexhinjtë. Nuk kishte as një pikë të ndërgjegjes kur prindërit u desh që t'i shesin dy garsonierat që na i kishin blerë dikur për t'i kthyer borxhet e tij. Kishte shkuar edhe në trajtime të ndryshme për varësitë, por asgjë nuk i ka ndihmuar. Agimi ishte problematik, dele e zezë në familje. Kur dëgjova që kam mbetur pa garsonierë, u zemërova me prindërit, por edhe ndieja keqardhje për ta. Atij, natyrisht, ia kishin siguruar kulmin mbi kokë në shtëpinë tonë familjare. - E sheh se çfarë është, duhet ta mbajmë nën kontroll - më tha nëna. - E unë? Ku do të jetoj unë? - Nuk kemi frikë për ty. Je punë- tore dhe e ndershme, do të jesh e lumtur! Shumë u gëzova kur e përfundova fakultetin dhe u ktheva në qytetin tim. Gjatë studimeve tërë kohën edhe kam punuar, edhe kam kursyer para. Me ato para mendoja që ta rregulloja garsonierën time dhe të pavarësohem, e tani në fakt nuk di ku do të shkoj. Në shtëpi nuk dëshiroja që të kthehesha, e as me tezen nuk dëshiroja që të jetoja. Më së miri është që t'i mbledh gjërat e mia dhe ta kërkoj fatin diku jashtë shtetit, mendoja unë. /Vijon/

(Kosova Sot)