Ngjarje e vërtetë: Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e vet (2)

  • 25 March 2017 - 15:43
Ngjarje e vërtetë: Besonte se do ta ndryshonte me mirësinë e vet (2)

Mora frymë thellë, me një dozë pikëllimi, pasi që isha e vetëdijshme se të gjitha planet e mia ranë në ujë. Kursimet e mia ndoshta më mjaftonin që ta mobiloja banesën, por jo edhe për ta blerë atë. Ende nuk kisha punë, kështu që as nuk mund të mendoja të merrja kredi për banesë. Lajmi për martesën e tij në familje u përhap me shpejtësi të dritës. Tezja ime i paketoi gjërat me shpejtësi, por ende nuk i kishim blerë dhuratat. - Pse po ngutet kështu? Që të mos i ik nusja? - bëra shaka unë. - Mos fol budallallëqe. Më intereson a ka ajo vajzë dy kokrra mend në kokë. Me çka ai e bëri për vete? Cila femër normale do të martohej me një njeri të tillë? Mezi pres ta takoj! - thoshte tezja. Kunata ime e ardhshme, Vera, ishte në një shtatzënësi të shtyrë. Ishte e këndshme, e buzëqeshur dhe menjëherë më pëlqeu. Në njëfarë mënyre më erdhi keq për të, meqë me gjasë ende nuk e kishte marrë vesh se kush ishte Agimi. Shtëpia ishte plot njerëz dhe nuk arritëm të uleshim për të biseduar. Këmbyem vetëm disa fjali, gjë që mjaftoi që njëratjetrës t'ia jepnim numrin e telefonit. - Mezi pres që të takohemi - i thash. Ndoshta mendoi se isha e çuditshme, por megjithatë ma ktheu me një buzëqeshje të sinqertë. Më telefonoi që të nesërmen. Mendova që idili i dashurisë kishte mbaruar dhe ajo kërkonte që, në momentin e fundit, të tërhiqej disi. U habita kur me një zë të butë më ftoi që të shkoja e të jetoja te ta. - Shtëpia është mjaft e madhe për të gjithë ne. Agimi dhe unë do të donim që ti të jetosh me ne. - Ka ardhur koha që të kthehesh në shtëpi, bija ime - shfrytëzoi rastin e më tha edhe nëna. Kur i tregova tezes për bisedën tonë, ajo shprehu pakënaqësinë dhe më tha që assesi të mos pranoja. - Nuk e besoj që Agimi të ketë ndryshuar. Duke jetuar afër tij, mund të presësh vetëm probleme. Ke punuar shumë, ke kursyer. Nëse kthehesh te ai, lehtë mund të mbesësh pa asgjë. Më mirë rri me mua, ti - më tha ajo. Nuk e di çka ndikoi në vendimin tim. Gjatë tërë këtyre viteve sa kisha qëndruar te tezja, kisha kaluar shumë mirë, por unë doja të pavarësohesha dhe të rrija me të rinj. Ndoshta në vendimin tim ndikoi ideja e shoqërimit me Verën, kunatën time. E thirra pas tri ditësh dhe i thash se do të kthehesha në shtëpi. Të dyja ato më pritën në stacion. Agimi ishte aq i sjellshëm, sa që mori valixhet e mia dhe i çoi deri te vetura. U habita nga ky ndryshim i madh, por nuk mund të besoja se vëllai im ishte përmirësuar. Ndoshta vetëm donte ta impresiononte gruan e tij të re. - Falë Zotit që erdhe. Assesi nuk mund ta kuptoj si munde të duroje tërë këto vite te tezja jonë bajate - më tha pasi arritëm në shtëpi. - Nga kujdesi! Që të mos bija edhe unë pre e shoqërisë së keqe - iu përgjigja. - Për mua ke jetuar tetë vite te ajo? - E për kë tjetër? Ti je delja e vetme e zezë e familjes! Derisa ai zgërdhihej, Vera na shikonte me kureshtje. - Asgjë mos pyet! Shumë shpejt do ta kuptosh edhe vetë! - i thash asaj. - Ngadalë, motërz! Nëse vazhdon të flasësh kështu, shumë shpejt do të kthehesh te tezja! - më tha ai. - Te tezja? Kjo është edhe shtëpia ime. Fundja edhe ti ende je në shtëpinë e prindërve. Vetëm ata mund të flasin kështu. Më shpoi me shikim, e unë u frikësova nga kërcënimi i tij. E dija se Agimi nuk e kishte vështirë t'i kthente prindërit kundër meje. Fundja, faji i tij edhe kisha mbetur pa kulm mbi kokë. Ata do të bënin gjithçka vetëm e vetëm që ai të largohej nga shoqëria e keqe, që të jetonte si të gjithë njerëzit normalë, gjë që d.m.th se mund të më thonë sërish: "ti je e vyer dhe e ndershme, do të gjendesh disi". Më vinte inat që Agimi tallej me tezen. Edhe pse nuk më kishte lënë të dilja, për të kisha vetëm fjalë të mira. Ishte kujdesur për mua me të gjitha mundësitë që i kishte pasur. Dhe, gjithmonë do t'ia di për nder për dashurinë, të cilën ma dha me aq zemërgjerësi. Mendonte se nëse më rriste me ashpërsi, do të më mbronte nga shoqëria e keqe, e unë nuk doja t'i kundërvihesha asaj. E dija se kishte frikë që edhe unë mund të shkoja rrugës së gabuar, por më lëndonte mendimi i saj se edhe unë do të bëhesha si vëllai im. Për këtë shkak nuk kisha bërë zakon që të rrija me të, duke shikuar TV-në. Vitet më të mira i kisha kaluar pa miq dhe pa dalë. Mu për këtë shkak edhe bisedat e këndshme me kunatën më ishin më të dashura sesa mbrëmjet e vetmuara me tezen. Tre muaj pas jetës së përbashkët, Vera lindi një djalë, të cilit ia lanë emrin Milot. Në fillim, Agimi rrinte gjithmonë pranë tyre. Edhe unë, gjatë tërë kohës përcillja sjelljen e tij. Gjatë atyre muajve fillestarë unë nuk kisha asnjë vërejtje, meqë ai sillej si një baba dhe burrë i vëmendshëm.(vijon)

(Kosova Sot)