Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (3)

  • 17 May 2017 - 12:18
 Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (3)

Biçikleta me të vërtetë ishte e mrekullueshme, por ai nuk kuptoi me kohë se nuk ishte çdo gjë vetëm te biçikleta e shtrenjtë. Unë doja që me atë blerje t'i blinim dy biçikleta, për të dhe për mua, që t'i zgjidhnim bashkë, të shkonim e t'i provonim. Doja që bashkërisht t'i planifikonim fundjavat. Por, kisha bërë hesapet pa hanxhiun. Armendi im është praktik. Ai nuk harxhon në imtësi. Koha e tij është e çmueshme. Në fakt, ai pranon se nuk do të ishte keq sikur të qëndronim pak më shumë në ajër të freskët, ai do të shkojë në piknik meqë një gjë e tillë është e shëndetshme, por nuk është e thënë që, nga kjo, tani të ngrihej shumë pluhur. Pse të humbej koha e vlefshme, kur gjërat mund të zgjidheshin edhe ndryshe, më thjesht? Për çka shërbejnë sekretaret, nëse jo për të të ndihmuar? Pa kurrfarë hezitimi, blerjen e biçikletës ai ia la në dorë sekretares, Lule. Jo vetëm që është e besueshme, por ajo di edhe si t'i gjejë gjësendet me çmim të volitshëm. Sa më shumë kualitet me një çmim sa më të vogël dhe, pa shpenzim të panevojshëm të kohës - kjo është motoja e tij. E premtja edhe ashtu është një ditë e marrë në punë. Të gjithë bëhen nervozë meqë duan që tërë atë që kanë planifikuar, ta kryejnë për një ditë, sikur më nuk do të ketë ditë të tjera, të punës. Dhe, derisa dita fillon të kalojë, të gjithë fillojnë që të sillen si kuajt para garës: turfullojnë, gërryejnë tokën dhe mezi presin që të hapet dera, për të dalë në pafundësinë e madhe.

E, nëse të premten parashikohet një mot i keq, atëherë kjo është katastrofë edhe për ata që nuk janë meteoropatë, e lëre më për neve që jemi. Jo vetëm që e kisha kokën të rëndë, por edhe Armendi më njoftoi se kishte ardhur deri te ndryshimi i planit. Nuk do të mund të shihemi menjëherë pas punës, meqë ai i paska disa obligime, të cilat do t'i zgjasin deri vonë, në mbrëmje, e shtuna në mëngjes përndryshe i është rezervuar për... tani as që më bie ndërmend për çka. E mbajta mend vetëm porosinë kryesore: nuk do të shihemi deri në mbrëmje, por në orën 19.00 më duhet të jem e gatshme për të dalë. Do të shkojmë në një gala mbrëmje, ku do të ketë shumë njerëz të rëndësishëm... bla, bla, bla. Ajo shprehja "plot njerëz të rëndësishëm" nënkuptonte se duhet të rregullohem me të vërtetë mirë. Nuk kam asgjë kundër gardërobës së bukur dhe grimit të mirë, por nga unë kërkohet që të jem reklamë lëvizëse e suksesit të Armendit, gjë që herë pas here më duket e neveritshme. Por, kjo është pjesë e çmimit të cilin e paguaj për tërë atë që ai ma ofron. E, ajo nuk ishte pak. Sa herë më kishte ndodhur nga shoqet duke më thënë "e lumja ti", kur iu tregoja për udhëtimet tona. Po, çdo gjë tingëllonte si mos më mirë, por ato nuk e dinin se, në ato udhë- time e darka, shpesh ndihesha shumë e vetmuar.

Fundjavën e kisha planifikuar ndryshe. Koha ishte e mirë dhe shpresoja që do të shëtisnim së bashku me biçikletat e reja, në ajër të pastër, apo të paktën, të shëtitshim buzë lumit. Por, ja, atij i doli diçka më e rëndë- sishme. Ndihesha si një fëmijë të cilit ia kishin blerë një lodër të premtuar, por që nuk e lënë të luajë me të. Karakteri im meteoropatik vetëm sa i keqësonte gjërat edhe më shumë në këtë aspekt. Logjika e shëndoshë më thoshte që të mos dorëzohesha aq lehtë para depresionit. - E, nuk do të më fundosësh, valla - thash vetë me vete. Fundja, unë mundesha edhe vetë të dilja në ajër të pastër. Çka më pengonte që ta merrja biçikletën dhe ta ngisja sa të doja? E thënë - e bërë! Ndërrova rrobat, mora biçikletën e re dhe u nisa në një aventurë çikliste. Synoja buzën e lumit, e cila nuk ishte aq afër, por meqë isha me biçikletë, aty do të arrija për një orë. Por, ta dini se ai që thotë se, pasi që njëherë të mësosh të notosh dhe ta ngasësh biçikletën, nuk e harron kurrë më, ka të drejtë vetëm pjesërisht. Këtë e dëshmoi edhe fillimi i përdorimit të biçikletës së re. Ajo ngjante shumë në "rodeon" e filmave amerikanë me kauboj. E dini, kur burrat trima mundohen me çdo kusht të vazhdojnë të qëndrojnë mbi kuajt e pashaluar. Dija gjithçka që më duhej ta bëja, por disi nuk më shkonte për dore. As për dore, e as për këmbe. Nuk arrija ta mbaja ekuilibrin. E, çka nëse do të më shihte ndokush? Do të bëhej kiameti... Askush nuk më shikonte nga anash, por nga lartë, po. Nga një dritare e katit të dytë. Me gjasë do të jem dukur shumë interesante, pasi që shikimi zgjati rreth dhjetë minuta, aq sa zgjatën përpjekjet e mia për ta nisur biçikletën (vijon)

(Kosova Sot)