Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (4)

  • 18 May 2017 - 16:43
 Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një trofe (4)

Pasi që përfundimisht ia dola të qetësohesha dhe të rrija mbi të, vendosa ta vërtetoja atë që dija. Para se të hyj në trafik, vendosa ta bëja një qark në rrugët periferike të mëhallës. Nuk është se isha e mrekullueshme në ngasjen e biçikletës, por as të rrëzohesha, nuk u rrëzova. Derisa pak para përfundimit të qarkut.. Derisa isha duke iu afruar startit, fillova të përshpejtoja. Duke mbajtur fort dorëzat e biçikletës, sikur doja t'ia bëja me dije se kush ishte shefi. Në atë moment afër meje vrapoi një qen. Nuk ishte i madh, e as i rrezikshëm. I gëzuar, ai më shumë ngjante në një lodër me bateri, sesa në një krijesë të gjallë. Duke dashur që t'i ikja ndeshjes me të, frenova me të shpejtë. Apo, ndoshta as nuk frenova fare, kushedi çka bëra, por e humba kontrollin mbi biçikletën dhe ekuilibrin e nevojshëm. Nuk e di as vetë si u gjenda mbi automobilin e parkuar afër rrugës. U ndie zhurma e thyerjes së xhamit, e shoqëruar me të lehurat e qenit, i cili më pas iku te pronarja e tij. Çfarë zhurme dëgjohet kur ndeshen dy automobila, derisa ndeshja ime me automobilin qe kaq e zhurmshme? Nuk vonoi e erdhi pronarja e qenit, duke më pyetur a isha mirë. Isha mirë deri pak më parë, por tani më dhembte dora, kisha një gërvishtje në fytyrë dhe më dhembte koka nga goditja.

Nuk isha kushedi sa e lënduar, por as automobili nuk mbeti pa pasoja. Duke e humbur ekuilibrin, instinktivisht kisha tentuar të mbahesha për diku. Retrovizori m'u duk më i përshtatshmi. U kapa për të dhe e këputa, natyrisht. Ai tani varej në disa tela, si i gjorë. Pasi që kisha goditur derën me biçikletë, e ndoshta edhe me kokë, xhami ishte thyer. Nuk më kujtohej saktësisht çka kishte ndodhur. Kur u ngrita nga toka, e kapa kokën në dorë, më shumë nga turpi, sesa nga dhimbja. Zonja me qen përpiqej të më ndihmonte. Nuk dihej kush ishte më i frikësuar apo i hutuar, qeni apo unë. Derisa pronarja e mbante ngryk, qeni tentoi që të më lëpinte. Me gjasë kjo ishte mënyra e tij e të kërkuarit falje. Nuk munda të mos i buzëqeshja dhe ledhatoja. Unë atij ia fala, e mua? Kujt duhej unë t'i kërkoja të falur? Automobilin e kujt e kisha dëmtuar? Nuk u desh shumë që pronari të paraqitej. - A jeni mirë? Ju shikoja nga dritarja se si bënit leqe dhe menjëherë e dita se çka do të ndodhte. Vetëm që nuk kisha parashikuar se do ta shkatërroni mu automobilin tim. - Shpresoj të mos e kem shkatërruar. Vetëm...

- Mirë, mirë! Por, retrovizori duhet ndërruar të hënën. Vikendi pa veturë nuk është katastrofë. Por, ju, si ndiheni? A ju merren mendtë? - Jo, jo. Në rregull është. U lëndova pak në kokë dhe, kjo është e tëra. - Mirë shpëtuat. Keni mundur ta thyenit hundën, apo ta nxirrni ndonjë sy nga vendi. - Do t'jua kompensoj dëmet e shkaktuara. Ju lutem, shkruajeni numrin tim të telefonit! Banoj këtu afër. - E di ku banoni. Ju shoh çdo ditë, vetëm ju nuk keni mundur të më vëreni mua. E tani edhe këtë gabim e korrigjuam. T'ju prezantohem, unë jam Deliu. A jeni për çaj, a kafe? Te unë, apo në kafene, këtu afër? - Në rregull, propozoj që ju të vini tek unë. Edhe ju, e edhe zonja, nëse pajtohet. Zonja me qen nuk u pajtua. Qeni mezi priste që ta hante porcionin e tij të ushqimit. Ata shkuan rrugës së tyre, e Deliu u përkujdes për biçikletën time. U pa se edhe ajo ishte dëmtuar shumë. Nuk shkonte drejt. - Asgjë e tmerrshme. Është shtrembëruar paksa. Tani do ta rregullojmë - tha Deliu duke qeshur - do ta kap për brirësh dhe do t'ia dredh qafën, nëse nuk e dëgjon pronaren e vet. Pasi që ai e pruri paksa në "iman" biçikletën, e pyeta se a merrej me mjekësi alternative, apo ishte mjeshtër i biçikletave. Ai buzëqeshi me pyetjet e mia. Buzëqeshja e tij kishte një energji të gëzimit jetësor. Ishte i shëndetshëm dhe i këndshëm. Ai ma ndreqi ditën, e cila kishte filluar krejtësisht gabimisht. Kafen e pimë tek unë. Biseda rrodhi aq lehtë dhe spontanisht, sa që të dy neve na u duk sikur njiheshim më parë. Për çka biseduam? Për gjithçka. Rreth librave, politikës, motit të "trentë", rreth asaj se sa mirë bën çaji në këto kohë, rreth udhëtimeve... Atë mbrëmje rashë në shtrat e kënaqur. Mora në dorë një libër të cilin e kisha lexuar kohë më parë, rreth të cilit kishim biseduar sot. Vetëm kah mesnata m'u kujtua se Armendi nuk më kishte telefonuar as edhe një herë. Nuk i kisha telefonuar as unë, që të mos e pengoja në bisedime. (vijon) 

(Kosova Sot)