Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (2)

  • 26 May 2017 - 14:15
Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t'i besoja (2)

- Pse nuk e thërret menjëherë, për t'i propozuar që të takoheni e ta pini një kafe? Sot edhe ashtu ke ditë të lirë, apo jo? - më propozoi duke m'i fshirë lotët. Ende vazhdoja të isha tepër e shqetësuar nga ajo që sapo kisha parë. Në shenjë të pajtimit, mezi arrita të bëja me kokë. - Tani jam duke u ngutur për në punë. Shihemi sonte dhe të uroj fat, Arbnore - më tha, duke e marrë çantën. Pasi që ajo përfundimisht e mbylli derën, ndjeva një lloj vetmie sikur kurrë më parë në jetën time. D.m.th, e vërtetë qenka që Orhani më mashtron. Më ka gënjyer kinse i duhet të shkojë në stërvitje, vetëm që të mund të takohet me atë rrospinë? E, jo valla - mendova duke e marrë telefonin në dorë. Derisa shtypja numrin e Orhanit, më dridheshin duart, lotët edhe më tej vazhdonin të më rridhnin faqeve. Pasi që telefoni i tij cingëroi disa herë, m'u lajmërua sekretaria telefonike. Edhe pse më vinte që menjëherë ta mbyllja telefonin, dashuria të cilën, përkundër të gjithave, vazhdoja ta ndjeja ndaj Orhanit, ndikoi që të mos e bëja këtë. Mora frymë thellë disa herë, për t'u qetësuar, e më pas, me qetësinë më të madhe të mundshme, Orhanit ia lash një porosi, duke i thënë se duhej të bisedonim urgjentisht. Derisa atë pasdite shkoja në kafenenë tonë të preferuar, isha goxha nervoze. Në mesin e mysafirëve të paktë shumë shpejt e vërejta Okin. Me bluzë sportive dhe me pantallona, i saporruar, dukej tepër i hijshëm. - Tung, e dashur! Çka ishte kaq urgjente që nuk mundi të priste deri në mbrëmje? - buzëqeshi, duke iu bërë birat në faqe, të cilat më pëlqenin pa masë. Duke u kujtuar pse, në fakt, kisha ardhur këtu, me mund të madh arrita që të mos ia ktheja buzëqeshjen. - Orhan, do të jem e drejtpërdrejtë. A mund ta di me kë ishe mbrëmë? - e pyeta, duke shikuar me vëmendje reagimin e tij. - Arbnore, edhe ti! Isha në stërvitje, e ku tjetër? A nuk të thash se java e ardhshme na sjell një ndeshje tepër të rëndësishme. Nuk kuptoj çka d.m.th. tërë kjo? - më pyeti me kujdes. - Këtë duhet të pyes unë, Oki. Pse më rrenë kur e di se nuk ke qenë në stërvitje, por në një darkë romantike? - fillova, derisa në sy përsëri pa dëshirë filluan të më mblidheshin lotët. - Hej, vogëlushe, çka po thua? Për çfarë darke e ke fjalën? Ja, merre celularin tim dhe thirre kë të duash nga ekipi. Secili prej tyre do të ta konfirmojë se mbrëmë jam stërvitur me ta - më tha i ofenduar, duke ma zgjatur celularin. Më duhet të pranoj se fjalët e tij goxha më hutuan. - Por, si është e mundur?! Isha e bindur se, në atë xhirim, ishe ti me njëfarë... - bërbëlita unë. - Për çfarë incizimi e ke fjalën? Shpresoj që të mos mendosh... O Zot, Arbnore, më intereson ta di kush t'i paska mbushur veshët? E dashur, ti e di se të dua vetëm ty - vazhdoi që të më bindte, duke ma kapur dorën. Edhe pse mund të bëja be që në celularin e Samires e kisha parë Okin me një femër tjetër, përnjëherë besova se si mashtrimi i supozuar i të fejuarit tim në fakt është vetëm pjellë e intrigave të saj. Gjithmonë kisha dyshuar, e tani isha bindur, që motra ime ishte xheloze për lidhjen time me një futbollist të famshëm dhe me perspektivë, sikur që ishte Oki. - Ti je femra që gjithmonë kam ëndërruar dhe, së shpejti do të martohemi, e më pas askush nuk do të mund të na pengojë që të jemi të lumtur. Arbnore, më beson, apo jo? Më shiko, të lutem - më luste derisa unë hezitoja ta shikoja, duke mbajtur kokën ulur. - D.m.th., nuk është e vërtetë që mbrëmë ishe me një tjetër? - kjo ishte krejt çka munda të thosha, pasi që na u takuan shikimet. - Natyrisht se nuk është. Ti je dashuria ime e vetme. Sa herë duhet të ta them? - më pyeti duke buzëqeshur.- Hej, e kam një ide! Pse sonte nuk vjen te unë. E di? Darka romantike, muzika, qirinjtë... - më buzëqeshi me atë buzëqeshjen e veçantë. Për disa momente u bëra kinse isha duke menduar, e më pas e pranova propozimin e tij. Kur, duke u ndarë, më puthi në faqen përsëri isha femra më e lumtur në botë. Derisa atë mbrëmje përgatitesha që të dilja në takim me Okin, isha tepër e eksituar për shkak të darkës së mrekullueshme që më priste. Bile as mendimi për motrën time, e cila pritej që në ato momente të kthehej nga puna, nuk e zvogëlonte gëzimin tim. E dija se Samires nuk do t'i vinte mirë kur të kuptojë se, me gjithë dëshirën e saj të flaktë, nuk isha ndarë nga Orhani, por nuk mërzitesha për këtë. (vijon)

(Kosova Sot)