Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (42)

  • 24 June 2017 - 16:49
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (42)

KAPITULLI I NJËZETEDYTË 
Të gjitha shoqet e saj rrinin para ndërtesës dhe herë ia bënin me dorë, e herë i fshinin lotët. Shpresa u nis me shpejtësi të plotë, duke lënë pas vetes një re pluhuri. - Shumë mirë iu thash që të mos bënin dramë, por ato menjëherë ia krisën vajit. - Edhe unë e pata vështirë. Në një moment më erdhi që ta ndërroja mendjen dhe të kthehesha prapa. - Mos u bëj e marrë! Ti e di se mua nuk më pëlqen edhe aq shumë fakti që ai u ngrit vampir pas kaq vitesh, por duke qenë se këtu do të vyshkeshe për shkak të atij djalit të ri, atëherë është më mirë të shkosh në Gjermani. Fundja, atje pa dyshim se do ta kesh më mirë sesa këtu. - Nëse vendosi që të martohem, a do të vish në dasmën time? - Natyrisht, moj! Këtë nuk do ta lë të më ikë për asgjë në botë. Hajde, të të martojmë edhe ty njëherë, gjithmonë më nervozonte fakti që vetëm ti nuk kishe burrë, për t'u ankuar në lidhje me të. Shpresa ishte duke vozitur për në aeroport, nga ku duhej që të shkonte për në Dyseldorf, ku e priste me padurim Valdrini. Dy muaj iu deshën që t'i rregullonte dokumentet, por në fund ia arriti t'i kalonte të gjitha pengesat dhe tani fluturonte drejt një jete të re. - Më trego kur do ta lëshosh banesën me qira. - Natyrisht, e deri atëherë do të t'i ujis lulet, mos ke merak. Ia kishte lënë Shpresës që ta gjente ndonjë qiraxhi për të jetuar në banesën e saj. Nuk kishte pasur kohë që vet të merrej me atë punë. I ishte dashur një kohë e gjatë që të mos mendonte rreth Ilirit. E kishte pasur të vështirë ta merrte vendimin përfundimtar, që të shkonte te Valdrini, por e dinte se vazhdimi i qëndrimit në atë qytet do ta shkatërronte. - Shpresa, faleminderit që ishe gjithmonë afër meje. Faleminderit që ishe gjithmonë e sinqertë ndaj meje edhe atëherë kur sinqeriteti yt më lëndonte. - Nuk ka përse, Lule. Vetëm ti të jesh e lumtur. Kjo ka më së shumti rëndësi. Sapo e pa në aeroport, kuptoi se kishte gabuar. Këtu, në terrenin e tij, ndihej sikur ta kishte humbur tërë pushtetin që e kishte. Sikur të ishte vetëm një femër e rëndomtë, bile edhe e braktisur, e cila kërkon shpëtim larg zemrës së saj. Ai e përqafoi fort, por mungoi puthja, e cila do të ishte normale për takimin e dy njerëzve që kanë ndërmend të jetojnë bashkë. Kur mbërritën në banesën e tij, e priti befasia tjetër e keqe. Jo vetëm që gjithç- ka i dukej e huaj, por ai nuk kishte asnjë figurë, asnjë mobile të veçantë, e cila asaj banese dydhomëshe do t'ia jepte një shpirt. Bile, nuk kishte asnjë foto as e fëmijës së tij. Gjithçka kishte nuanca të hirta dhe më shumë ngjante me një dhomë hoteli, sesa në shtëpi. - Si të duket? - Bukur. Është shumë ndryshe nga banesa ime, por megjithatë ka rregull. Tanimë kishte filluar ta ndjente mungesën e banesës. 
 

(Kosova Sot)