Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (41)

  • 17 October 2017 - 13:54
Roman dashurie: E vërshuar nga puthjet (41)

Ajo shprehu një entuziazëm të madh me rastin e qëndrimit të ardhshëm në vilë. Dukej se nuk ishte penduar aspak për shkak të lënies së karrierës anash. Megjithatë, Redoni i frikësohej reagimit të Laurës, kur të mbeteshin vetëm, të izoluar, të fshehur midis maleve. Përkundër tërë asaj që ajo e thoshte për veten e saj, Redoni vazhdonte që ta paramendonte Laurën si femër të varur nga komforti dhe të pasionuar pas jetës luksoze. Pasi që mbaruan udhë- timin dhe arritën deri te vila, Redoni pa se më kot ishte frikësuar nga reagimi i Laurës. Ajo ishte sinqerisht e gëzuar për shkak të rrethanave në të cilat ndodheshin. Vilën e quajti "simpatike", derisa për ambientin, i cili e magjepsi, nuk mundi të gjente ndonjë fjalë adekuate.

- Ti e ke shëtitur tërë botën - iu drejtua derisa qëndronin buzë malit, nga i cili ofrohej pamja e një peizazhi me bukuri përrallore.

- Si ka mundësi që të të pëlqejë ky terren i egër dhe i vështirë?

- A hajgare po bën, a? A ka gjë më të bukur sesa këto shkrepa e këto male, se këto bimë të bujshme, këto pisha dhe liqene? A i ndien aromat e barishteve të ndryshme? A e sheh se si janë përshtatur ngjyrat, se si qielli është i kaltër, i çelur? E, mbi të gjitha, Roberto... - u kthye kah ai dhe ia qiti duart në gjoks - këtu jam me ty. Kjo është ajo që e bën magjik këtë vend. Ti je magjike, deshi t'i thoshte. Ajo ishte tepër e bukur në ato momente, e bukur dhe e dashur. Donte ta përqafonte dhe puthte, në një vend ku vetëm natyra e paprekur mund të ishte dëshmi e një gjëje të tillë. Ia kapi duart e saj me të tijat, duke ia bërë me dije se sa fort ishte duke i rrahur zemra.

- Redon! - tha ajo me frikë, pasi që kishte interpretuar gabimisht të rrahurat më të shpejta të zemrës së tij.

 - Pse nuk më tregove se nuk ndihesh mirë?! A të dhemb ndokund?! Me gjasë të lodhi kjo vozitje e gjatë!

- Unë jam shumë mirë, më beso - tha ai, duke ia qitur duart mbi supe.

- Po çfarë miri, more!? Me gjasë ke aritmi! Duhet të shtrihesh dhe t'i pish ilaçet, urgjentisht!

- Ja, do t'i pi... - tha Redoni duke nxjerrë nga xhepi kutinë me ilaçe, ku kishte futur bonbone të vogla. E përpiu njërin prej tyre, për ta qetësuar Laurën.

 - Tanimë ndihem më mirë. Ajo ishte një krizë kalimtare.

 - Të lus që të qëndrosh bile 30 minuta në veturë, derisa unë ta rregulloj dhomën ku do të vendosesh! Supozoj se ajo është plot pluhur, e pluhuri mund të ta dëmtojë frymëmarrjen. (vijon)

(Kosova Sot)