Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (2)

  • 18 December 2017 - 12:42
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (2)

Ai kishte pasur një fëmijëri të lumtur. Me momente të mira dhe më pak të mira, me gëzime dhe hidhërime, me plane për të ardhmen. I kujtohej shpesh kur binte në shtratin që mbante erë çarçafësh të pastër, e kur e ëma e mbulonte dhe e puthte në ballë. Me gjasë kurrë në jetë nuk do të përjetonte diçka më të këndshme. Kujtimi shpesh thoshte vetë me vete se bota ekziston aq herë sa ka edhe familje, meqë çdo familje e përjeton atë në një mënyrë unike. Çdo familje është një botë në miniaturë. Në raste të tilla, i vinte keq që një gjë kaq e bukur dhe e dashur, sikur që kishte qenë familja e tij e fëmijërisë, faktikisht më nuk ekzistonte, të paktën jo në atë formë sikur që kishte ekzistuar më parë edhe pse shumica e anëtarëve të saj ishin shëndosh e mirë. Sapo filloi që të kalonte nga bota reale, në atë të ëndrrave, cingëroi telefoni. Ishte infermieri kujdestar. Dr. Kujtim, është një rast! Një “rast” nënkuptonte një pacient. Mirë, që tash po vij! U zgjua, u vesh, e veshi edhe mantelin e bardhë, mori faksimilen dhe lapsin dhe u nis për në zyrën e pranimit. Për të shkuar deri atje, i duhej që të dilte nga ndërtesa e vjetër e Klinikës së Psikiatrisë, meqë zyra e pranimit gjendej në ndërtesën e re, apo UKIP-it, si i thoshin shkurtimisht, e që nënkuptonte Urgjencat dhe Kujdesin Intensiv Psikiatrik. Ishte një natë e kthjellët, me një freski që ta kënaqte shpirtin. Kujtimi ngriti shikimin kah qielli dhe admiroi për një çast bukurinë e yjeve. Prapa klinikës gjendej një fushë e hapur. Më tej, në një kodër, apo sikur që quhej, në Lagjen e Spitalit, pas luftës kishin “mbirë” shumë shtëpi të reja, të cilat tani, gjatë natës, dukeshin disi më të bukura, për shkak të dritave të llojllojshme. Para hyrjes së UKIP-it pa një veturë të tipit “Audi 80”, dy dyer të së cilës, ajo e shoferit dhe një e prapme, ishin të hapura. Sapo hyri brenda, përpara i doli Leka, infermieri i cili i kishte telefonuar pak më parë. - Hajde, doktor! Është një djalë, krejt i çrregulluar! Nuk arrita ta kuptoja se çka thoshte... - A e keni të njohur si rast? - Jo, mua nuk më kujtohet ta kem parë ndonjëherë më parë. As Mirela nuk e njihte. Mirela ishte kryeinfermierja e UKIP-it. Ishte nga Shqipëria. Ajo ishte në zyrën e pranimit me pacientin dhe personat që e kishin sjellë atë në klinikë. Pacienti ishte një djalë në të njëzetat, shtatshkurtër, thatanik dhe me fytyrë sorre, hundë të gjatë e faqet me pikla, me sy të zgurdulluar që pasqyronin një frikë të madhe. Sapo Kujtimi hyri brenda, pacienti filloi të fliste. 

(Kosova Sot)