Ngjarje e vërtetë: Grindeshim vazhdimisht, rreth edukimit të fëmijëve (4)

  • 25 December 2019 - 15:18
Ngjarje e vërtetë: Grindeshim vazhdimisht, rreth edukimit të fëmijëve (4)

 Për fat të keq gjendja është kritike - tha me zë serioz. - Fëmija gjatë rrëzimit ka thyer disa rruaza, e duket se është dëmtuar edhe palca kurrizore, gjë që momentalisht shkakton paralizën e këmbëve. - A nuk ka shpresë? - pyeti Meti me zë të dridhur. - Në këtë moment nuk mund të parashikojmë. Por, pas një terapie të gjatë dhe fizioterapie të përshtatshme, ndoshta do të mund t'i lëvizë sërish këmbët. Isha shumë e merakosur. - Biri juaj tani është nën ilaçe qetësuese dhe ka nevojë për pushim, vazhdoi ai. Mund ta vizitoni, por, ju lutem, përpiquni që të jeni sa më të qetë. Ne do t'i tregojmë gjithçka për gjendjen e tij, kur të vijë koha e duhur, por më e rëndësishmja është që ta inkurajojmë që të luftojë me të gjitha forcat që të ecë përsëri. Shpresoj se edhe ju do të na ndihmoni dhe do të bashkëpunoni me ne, në mënyrë që të mos e dekurajojmë fëmijën në fillim të trajtimit. Secili zhgënjim mund të jetë kundërproduktiv për të. Takimi i parë me Edin kaloi shumë qetë. Ai ndoshta falë ndikimit të ilaçeve tashmë e kishte harruar fatkeqësinë nga pak dhe nuk ishte i vetëdijshëm për seriozitetin e pasojave. Gjatë ditëve të ardhshme i qetë i pranoi sqarimet dhe parashikimet e mjekëve, me siguri për shkak se mjekët po bënin gjithçka që mundnin, për ta bindur se vetëm duhet të ketë durim, dhe se do të shërohej.

Edi qëndroi disa javë në spital. Nuk mund t'i lëvizte këmbët, por në to ende e kishte njëfarë ndjenje, gjë që mua dhe Metit na jepte shpresë dhe ishte e vetmja që na ndihmoi që ta mbijetojmë atë periudhë. Ajo fatkeqësi na tronditi thellë, por me njëfarë çudie ia doli edhe të na afrojë. Meti nganjëherë thoshte se e bren ndërgjegjja, për shkak se ka qenë aq i lirë me fëmijët. - Mos u ndiej fajtor për këtë që ka ndodhur - i thosha unë. - Kur ndodhi fatkeqësia, Edi nuk ishte duke bërë asgjë të paarsyeshme apo të egër, këtë ma kanë konfirmuar edhe disa nëna që kanë qenë në afërsi. Thënë shkurt, përpiqeshim që ta mbështesim njëri-tjetrin në momente të vështira. Megjithatë, ditën kur Edi u kthye nga spitali me karrocë invalidësh, m'u desh shumë forcë që të mos qaj. Ai në garazh e vërejti biçikletën e tij të dëmtuar, por ende mbeti i qetë. - Tani për tani le të mbetet në garazh, tha ai. - Por, kur të mundem të eci dhe ta ngas biçikletën si më parë, do të ma blini një të re, apo jo? - Natyrisht - u përgjigj Meti, duke shikuar në drejtimin tim. - Një më të bukur dhe më të pajisur se kjo. E përqafuam, të emocionuar dhe të lumtur që ishte sërish në shtëpi me ne. Nga ajo ditë kaluan gjashtë muaj. Më duhet të them që ajo ngjarje e tmerrshme na solli shumë ndryshime në familje. Bashkëshorti im në punë kishte kërkuar që t'i lejojnë që të punojë kryesisht nga shtëpia, në mënyrë që të kalonte sa më shumë kohë me Edin dhe mua.

Ata kanë një raport të veçantë. Meti e dëgjon, bisedon me të si me një të rritur, por më ndihmon edhe mua me terapitë dhe ushtrimet e tij. Meti dhe unë u bëmë përsëri të afërt dhe përsëri jemi duke i zbuluar ndjenjat, për të cilat mendonim se ishin zhdukur. Por, në fakt ato vetëm ishin fshehur thellë nën grumbullin e shprehive të rrënjosura. I premtuam njëri-tjetrit që prej tani do t'i marrim më shumë parasysh nevojat e njëri-tjetrit, se do të bisedojmë më shumë. Duket se edhe Dreni u rrit shpejt. Tani është shumë më i kujdesshëm me vëllanë dhe mes tyre nuk ka rivalitet e as varësi tipike për atë moshë. Edi ende është duke ushtruar. Përparimi është modest, por i përditshëm dhe mjekët tani janë më të sigurt që ka gjasa të mira për shërim të plotë. Sido që të jetë, të gjithë ne, e veçanërisht Edi, vazhdojmë prej ditës në ditë betejën, duke mos e humbur shpresën që një ditë do të shërohet. Në tërë këtë më e rëndësishmja është, së paku sipas meje, që Edi mund të llogarisë në një familje me plot dashuri dhe mirëkuptim. FUND

(Kosova Sot Online)