U divorcova pas 25 viteve martesë do shohë jetën time tani

  • A.P /
  • 04 September 2020 - 23:50
U divorcova pas 25 viteve martesë do shohë jetën time tani

Kur vendosa të ndahem nga bashkëshorti pas 25-viteve martesë, shpesh familjarët dhe miqtë më thonin të njëjtën fjali: “Po pse tani, keni të dy njëfarë moshe, nuk mund ta bëje më parë?”.

Mosha të cilës i referoheshin ata ishte mosha ime, 50- vjeç në atë kohë. Në fakt ndarja jonë ishte një nga ato ndarjet e qeta, me marrëveshje, pa britma dhe pa pjata që fluturojnë në kuzhinë. A mund ta bëja më parë? Ndoshta edhe po.

Ndoshta ata mendonin se kur arrin një moshë të caktuar, një çift duhet të qëndrojë bashkë, për t’u plakur në shoqërinë e njëri- tjetrit. Në fakt është e dhimbshme të mendosh se ka të moshuar që jetojnë dhe plaken në vetmi, apo jo?

Pastaj njerëzit thonë edhe “po e bëj për fëmijët”, gjë që për mendimin tim është budallallëk. Por unë dhe ish-bashkëshorti im nuk patëm kurrë konflikte dhe mësuam të jetojnë si dy njerëz të qytetëruar nën të njëjtën çati.

Vetëm se dashuria kishte vdekur me kohë dhe ndonëse e dinim të dy, askush nuk merrte guximin për t’ia thënë tjetrit dhe kështu e mbajtëm kufomën e saj në shtëpi.

Tani do të më thoni që është normale, që me kohën dashuria dhe pasioni zbehen dhe e vetmja gjë që mbetet është respekti. Për ju mund të jetë normale, por ndoshta mua nuk më pëlqente kjo gjë.

Më kujtohet ende dita kur e kuptova këtë. Dy muaj para ditëlindjes sime të 50-të, isha duke dalë nga shtëpia,  u ktheva për të marrë një shall për ta hedhur në qafë.

Po shihesha në pasqyrë dhe në një moment pashe dhe reflektimin e tij,vazhdova të shoh.

Nuk më dukej vetja as e vjetër as e re, as e bukur as e shëmtuar, thjesht nuk më dukej sikur po shihja veten te ajo pasqyrë. Nuk isha unë, nuk ekzistoja, nuk po shkoja askund. Thjesht kisha lënë  të më tërhiqnin ujërat e asaj që mund të quhet një jetë normale.

Dola nga shtëpia dhe vendosa të shkoj në një park. U ula për disa orë në vetmi dhe kështu vendosa që të mos e ndaj më jetën me bashkëshortin.

Unë dhe ish bashkëshorti im kemi tre fëmijë që na bëjnë krenarë. Ai është një baba shumë i mirë, por unë nuk dëshiroja ta kaloja jetën me një njeri që nuk e dua më, në vend të kësaj preferoj vetminë. Nuk doja të vazhdoja të luaja rolin protagonist në teatrin e martesës sime.

Sot kanë kaluar 10 vite nga ai moment. Jam bërë gjyshe dy herë dhe po pres të dal në pension, kuptova që jeta mund të jetë e bukur edhe nëse nuk e ke një partner në krah.


(Kosova Sot Online)