Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (8)

  • A.P /
  • 10 September 2020 - 15:40
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (8)

Udhëtimi kaloi shpejt. Eci këmbë deri te hoteli dhe tanimë ndjente lodhje, e më pas personeli i sjellshëm e pranoi dhe e drejtoi për në dhomën e saj. Priste që ndaj saj do të silleshin më keq, meqë qëndrimi i saj aty ishte falas, por ishte mashtruar. Ia dhanë një dhomë me dy shtretër, me pamje kah një mal i dendur dhe i duhej të pranonte se nuk i kishte rënë pishman që ishte nisur pa Gentën. Pas drekës e thirri atë. Asaj i kishte vdekur kushëriri, por Genta u gëzua kur mori vesh se Ganja me të vërtetë kishte shkuar në banjë. Kjo e qetësoi ndërgjegjen e saj. pasdite shëtiti rreth hotelit dhe u ul në një kafene aty afër. U habit kur pa se sa shumë njerëz kishte aty, si dhe nga fakti se nuk ishin shumica prej tyre të vjetër, sikur që kishte menduar, por kishte edhe çifte të reja të cilët mbaheshin për dore, si dhe kishte njerëz të moshës së saj, ku mund të shiheshin edhe nga tri-katër shoqe në grup.

Në fund, Ganja filloi të ndihej më mirë, pasi që kuptoi se në një vend të tillë, vetmia e saj nuk ishte asgjë e çuditshme dhe se nuk do të binte në sy. Darka ishte e lehtë dhe i bëri mirë barkut të ndjeshëm të Ganes. Nuk mundi të mos shkonte deri në qendër, për të marrë pak ajër të freskët. I shikonte kalimtarët dhe ua kishte lakmi çifteve që përqafoheshin. Mendonte se sa mirë do të ishte të ishe i dashuruar dhe të vije këtu me personin e dashur. E paramendonte Blerimin afër vetes. A do të mundeshin të paktën këtu të shëtisnin dorë për dore, pa frikë se do t’i shihte ndokush dhe do t’i tregonte gruas së tij? A ishte ngjallur midis tyre një ndjenjë më e thellë, e cila, për pasojë, do ta kishte dëshirën e tij të mëvonshme që të shkurorëzohej. Nuk e dinte përgjigjen. KAPITULLI I SHTATË Në fund i dhembnin këmbët nga të ecurit, prandaj vendosi që të ulej diku dhe të pushonte. E gjeti një kafene ku nuk kishte tollovi.

E zgjodhi një vend në kënd, afër dritares dhe porositi një pije. Nga altoparlanti vinte një melodi e këndshme. Disa minuta më vonë në kafene hyri një grup të rinjsh të zhurmshëm në rroba sportive. Ishte evidente se ata ishin sportistë, me gjasë në përgatitje, por sjellja e tyre dhe pijet e shumta alkoolike që ua solli kamerierja, thjesht nuk përputheshin me jetën sportive. Ata qeshnin zëshëm, flisnin zëshëm, prandaj Ganja më nuk e kishte atë oazën e vet të qetësisë. (vijon) 


(Kosova Sot Online)