Historitë e rralla të pijetarëve të famshëm shqiptarë

  • 28 July 2016 - 11:24
Historitë e rralla të pijetarëve të famshëm shqiptarë

Nga Konica, Agolli e deri te Nano

Faik Konica habiste diplomatët e huaj si njohës i verërave

Kanë drejtuar shtetin, kanë bërë art, janë shquar në fushat e tyre. Por në jetë kanë pasur edhe një dashuri me shumë, atë të pijes. Rilindësi Shahin Kolonja nuk rrinte pa rrëkëllyer disa gota në ditë.

Teksa kthente kupat e rakisë, Fan Noli nxori vargun e famshëm “Moj raki, moj bukuroshe, që më çon qoshe më qoshe”.

Faik Konica habiste të gjithë diplomatët e huaj teksa zgjidhte verërat e rralla dhe të famshme franceze.

Kur e pyesnin nëse do të pinte ndonjë gotë, Mihal Grameno përgjigjej se do të pinte një nga një.

Kalojmë më pas te Dritëro Agolli. Kur Niko Nikolla, që për ta nxjerrë Dritëroin nga shtëpia, i tha së shoqes së tij, Sadijes, se kishte ardhur një shkrimtar turk me emrin Moskat Kanella, që në fakt ishin dy litra raki “Moskat”.

E për të ardhur te Fatos Nano, politikani që njeh mjeshtërisht verërat si Faik Konica. “Tirana Observer” boton sot suplementin “Pijetarët e famshëm shqiptarë”.

Shahin Kolonja, çështja shqiptare dhe rakia shqiptare

Profesioni: Gazetar

Pija e preferuar: Rakia

Një nga gazetarët më të spikatur të Rilindjes Kombëtare kishte edhe një tjetër dashuri në jetë: atë të rakisë. I pari që e vlerësonte Kolonjën ishte Fan Noli, i cili e mbyste me lëvdata, duke e cilësuar atë “rilindësi më idealist që kishte njohur”. A ishte i pa korruptuar dhe nuk abuzonte me asgjë. Por nga ana tjetër Faik Konica kundërshtonte Nolin. Sipas Konicës, Kolonja ishte një pijanec dhe vetëm kaq. Por, në mes të kësaj lufte duket se më shumë fitoi vajza e Naim Frashërit.

Bukuroshja e Frashërllinjve ia ndihu në zemër për Shahinin dhe shumë shpejt ata u martuan. Por, rilindësi, që hapi gazetën e vetme si organ i Rilindjes me emrin “Drita” nuk hoqi dorë nga rakia.

Gjatë qëndrimit në Sofje ai kishte dy pasione: çështjen shqiptare dhe rakinë po shqiptare. Një pije që ia dëmtoi imazhin. Madje të dhënat flasin se vdekja e tij në moshë të re të ketë ardhur nga pija. Gjithsesi për asnjë çast nuk është zbehur formati dhe vlera e tij si një gazetar shumë i zoti dhe një aktivist mjaft i spikatur për çështjen shqiptare.

Faik Konica, habiste diplomatët e huaj si njohës i verërave

Profesioni: Shkrimtar, politikan, historian, diplomat

Pija e preferuar: Vera

Faik Konica është pijetari më aristokrat që ka njohur historia. Një përzgjedhës i veçantë i verërave, Konica dinte çfarë të zgjidhte. Kjo është shquar në shumë dreka dhe darka që janë shtruar në selitë diplomatike.

Duke qenë se kishte jetuar dhe studiuar në Francë, Konica kishte një pasion të veçantë për verën. Kjo i sillte atij një klas, që jo vetëm shqiptarët, por edhe shumë personalitete të huaja nuk e kishin. Dhe të gjitha këto vlera i shfaqi kur ishte ambasador në Uashington.

Në çdo pritje ai dinte se ç’të zgjidhte, dinte të porosiste verën më të famshme dhe më të rrallë, dhe kjo i habiste të gjithë të pranishmit. Por ai me pijen kishte raporte ekuilibri. Konica ishte shumë i përkryer dhe asnjëherë nuk e tepronte.

Fan Noli, kur pinte raki, thurte vargun: Moj raki, moj bukuroshe

Profesioni: Shkrimtar, politikan, historian, diplomat

Pija e preferuar: Rakia

Fan Noli është një ndër personalitetet e rrallë që mezi futet te lista e pijetarëve të famshëm. Ai nuk shquhej për pije. Nuk pinte pothuajse aspak, por çuditërisht kishte një afeksion të rrallë për pijen.

Noli nuk mungonte kurrë nëpër dreka dhe darka të shtruara nga miqtë dhe dashamirësit e tij.

Dhe Noli që kthente në poezi çdo fenomen, çdo histori, nuk kishte si të mos i thurte vargje rakisë.

Çdo kujt i kujtohen vargjet “Moj raki, moj bukuroshe, po më çon qoshe më qoshe”.

Vargje që dolën nga mendja e tij, por që i trashëguan brez pas brezi pijetarët, por edhe nga njerëzit.

Është një poezi që Fan Noli ia çon mikut të tij, gazetarit Milto Sotir Gurra. Një letër të cilën nis e shkruan me një shishe raki përpara, të cilën ia kishte dhuruar pas meshës një shqiptar. Kishte kaq kohë që donte t’i shkruante mikut të tij, dhe vetëm kur ktheu gotën e parë të rakisë, e më pas tjetrën e tjetrën, u ndje i çliruar të shkruante të gjithë ato çfarë kishte në zemër, duke mos fshehur dhe trishtimin dhe pasigurinë që ndjente në atë periudhë.

Mihal Grameno: “Do pimë një nga një dhe jo nga një gotë”

Profesioni: Shkrimtar

Pija e preferuar: Rakia, vera

Është një nga të rrallët që pijen e ka nisur nga halli. Atij i krijoi një zhgënjim fakti që revolucioni që u quajt demokratiko-borgjez dështoi dhe shkrimtari dhe luftëtari i madh e gjeti ngushëllimin te rakia.

Mihal Grameno e nisi pijen në vitin 1924 dhe më pas ajo u bë bashkudhëtare e ngushtë në jetën e tij. Në atë kohë dolën histori për raportet e tij me pijen, por më e veçanta është ajo që ka treguar Dritëro Agolli.

“Kur e pyesin Mihal Gramenon se a do ta pinte një gotë raki, ai përgjigjej: Do pimë një nga një dhe jo nga një gotë.”

Ishte një lloj të piri që vetëm Mihal Gramenon dinte ta shijonte në mënyrën e vet.
Por edhe Mihal Gramenos pija i shkaktoi probleme me shëndetin dhe për krijimtarinë. Ai vdiq në moshë shumë të re dhe një nga arsyet ishte pija. Humbja e tij në vitin 1931, ishte një humbje e madhe për vendin, kjo për potencialin dhe bagazhin kulturor që ai kishte.

Beqir Balluku, nga vodka e Rusisë te rakia në Tiranë

Profesioni: Politikan

Pija e preferuar: Rakia, vera

Ka një të vërtetë në ato çka thuhet për Beqir Ballukun.

Ai nuk ishte si pjesa tjetër e nomenklaturës komuniste. Por nuk mund të cilësohet si mëkat.

Ndryshe nga modeli i komunistëve që hiqeshin si puritanë deri në imtësi, Beqir Balluku nuk e fshihte se bënte pjesë te pijedashësit.
Ish-partizan, oficer i lartë i ushtrisë, një tiranas i vjetër, ai nuk e kishte kompleksin të tregonte hapur se i pëlqente biseda në tavolinë me ndonjë gotë raki.

I shkolluar në Akademinë Ushtarake Ruse dhe me një karakter tradicional shqiptar, Balluku bënte pjesë në listën e pijedashësve të famshëm shqiptarë.

Rakia ishte sigurisht pija që zinte gjithmonë pjesën qendrore në çdo tavolinë.

Për ata që e kanë njohur nga afër gjatë që kohës që ylli i tij politik ishte në zenit, ai mbahet mend si një nga rekordmenët e Bllokut për afeksionin ndaj pijes.

Nuk dihet nëse në ndëshkimin që mori si organizator i një puci ushtarak në vitin 1974 mund të ketë pasur ndikim edhe imazhi që kishte krijuar si një babaxhan, larg klisheve të udhëheqësit lindor.
Por, në fund të fundit, një njeri që kishte luftuar, mbase kishte pasur dikur edhe ideale për komunizmin, mund të ishte zhgënjyer tek shihte si realizohej në praktikë. Mbase pija i jepte atë forcën për të kaluar ngarkesat, sepse në atë kohë të dehur me terror, njeriu nuk mund të qëndronte esëll.

Niko Nikolla: “Rakia dhe shkrimtari turk Moskat Kanella”

Profesioni: Gazetar

Pija e preferuar: Rakia, vera

Kryeredaktori i revistës “Hosteni” dhe një nga shkrimtarët më të humoristikë të kohës, Niko Nikolla ka qenë një ndër pijedashësit më të mirë.

Niko Nikolla kishte një miqësi të ngushtë me Dritëro Agollin, dhe kjo miqësi ishte përforcuar edhe më shumë nga pasioni i përbashkët për pijen.

Të dy e quanin veten pijetarë dhe e urrenin fjalën pijanec. Ata njihnin mrekullisht të gjitha llojet e pijeve dhe gëzimi i tyre më i madh ishte ta gëzonin pijen pa u bërë grindavecë, por duke e kaluar me të qeshur dhe me histori nga më të ndryshmet.

Flora Nikolla, e bija e Niko Nikollës ka treguar një histori që në atë periudhë u bë e famshme.

Nikos i kishte ardhur ca raki “Moskat” nga Pogradeci dhe kishte dëshirë ta pinte me mikun e tij, Dritëroin. Por ky i fundit i tha se nuk e linte Sadija të pinte. E pasi shkoi në shtëpi, Dritëroi kishte bindjen se rakia “Moskat” nuk do të pihej asnjëherë. Sadija nuk donte që ai të dilte fare nga shtëpia. Por Nikoja e gjeti zgjidhjen. Mori në telefon Sadijen dhe i thotë se kishte ardhur nga Turqia një shkrimtar i famshëm me emrin Moskat Kanella dhe i duhej Dritëroi ta shoqëronte. Sadija ishte shumë e re në atë kohë dhe kërkesën se një shkrimtare i huaj donte të takonte Dritëroin nuk mund ta refuzonte. Dhe kështu Dritëroi doli nga shtëpia dhe së bashku me Nikon e pinë të gjithë rakinë “Moskat”. Për tre ditë ata nuk shkuan në shtëpi. Kishin justifikim të fortë. Dhe kur Sadija i pyeti se si ia kishin kalu

+ar me shkrimtarin e huaj, përgjigja ishte pak a shumë e tillë: Shkrimtar më të mirë nuk kishin njohur ndonjëherë.

Teodor Keko dhe netët e gjata te “Kafe Evropa”

Profesioni: Shkrimtar

Pija e preferuar: Rakia, vera

Te kafe “Evropa”, në qendër të Tiranës, ka qenë një tavolinë ku gjithmonë do të gjeje Teodor Kekon. Përpara një gote konjaku, xhini apo whisky, poeti kthente banalitetin e jetës në art. Mbase ka një të vërtetë në atë që thotë poeti i madh skocez Robert Bërns, pija shpirtrat e mëdhenj i fisnikëron. Intelektuali, publicisti dhe poeti Teodor Keko bën pjesë në njerëzit pijedashës.

Por Keko ishte shpirt i lirë artisti, një karakter i papërsëritshëm që nuk mund të identifikohet me të tjerë. Një batutë do të ishte shumë pak.

Për ata që e kanë njohur nga afër, Keko ishte mjeshtër i bisedës në tavolinë. Janë me qindra batuta që ka bërë gjatë netëve që pinte me miqtë në kafe “Evropa”. Më mirë për të rrëfejnë poezitë miqve të tij pas ndarjes nga jeta, siç është ajo e Timo Fllokos.

“Jo, nuk do ta pimë më dot
Një gotë në bar Evropa, Teodor
Kjo fundvere ngricë ma bëri zemrën
Dhe një bosh më la në kraharor…!

Si do të gdhijë kjo natë pa ty
Hënë e plotë ndrin dhe yjet bien
Nga lartësitë e përtejme ku të pret
Me porta të hapura qielli?!

Ti u nise, ike…pas na le…
Ke mbërritur sakaq, do të desha ta di
Shpirti yt endet nëpër parajsa 
A në ferrin e asgjësë pambarim?!

***

Paqe paç ngaherë, atje ne qiell
Lus Zotin këtë natë gushti
Ai vetë qysh sonte për ty
Si një mik gotën do ta mbushë…

***

Jo çdo kush si ti i deshi zogjtë, fëmijët
Ndaj shkëlqimi kurrë në sy s’tu fik
Të gjithë mik të kishim në këtë jetë
Vetëm vdekjen kishe ti armik…!

Netëve të vona, në vetminë time
Tok me heshtjen do të të kujtoj ty
Në çdo skaj të kësaj jete, ku le veten
Teodor, i shtrenjti, miku im…!

Dritëro Agolli: “Kur ngritëm dolli dhe për bagëtinë”

Profesioni: Shkrimtar

Pija e preferuar: Rakia, vera

Nëse e pyet sot Dritëro Agollin se çfarë është pija, përgjigja është befasuese: Një mjet komunikimi. Dhe me të vërtetë. Historia e jetës së këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe ka qenë e tillë. Që pija ka pasur rolin e saj në të gjitha rrethanat. Dhe ia nis që kur njohu Sadije, ai përpara kishte një gotë konjak “Skënderbeu”, për të cilin Sadija tregonte se sa e pa me sy e rrëkëlleu me eks.

Dhe kur vajza e druajtur e pyeti si kishte mundësi që e piu menjëherë, ai i tha se nuk e kishte problem. Por në fakt kjo ishte hera e parë që pija për Dritëroin përbëri një problem. Ai më parë nuk vinte në gojë pije, as kur studioi në Rusinë e ftohtë të vodkës, as kur nisi punë si gazetar. Dashuria me lëngjet e alkoolit nisi pas të 30-tave. Ashtu me konjak dhe raki, sidomos kjo e fundit. Një pije për të cilën Dritëroi ka thurur edhe poezi. Por asnjëherë nuk ka shkruar pasi kishte pirë. Pija më turbullon mendjen dhe nuk jam i kthjellët, thotë Dritëroi. Madje ai shton se kur ka shkruar ndonjë poezi në të tilla rrethana, ai e ka grisur.

Por mjeshtri i letrave nuk rri pa treguar histori nga më interesantet. Sidomos ajo në fshatin Pleçisht të Korçës, kur një natë dimri dollitë i linin vendin njëra-tjetrës dhe rakia derdhej lumë.

Por pasi pinë dollitë për udhëheqjen, partinë, njerëzit e shtëpisë për secilin të pranishëm, komshinjtë dhe tërë fshatin, nuk dinin më se për këtë të ngrinin dolli. Për të pirë pijen deri në fund erdhi propozimi: Të ngrihej dolli për njerëzit e fshatit. Dhe ashtu u bë. Nisën dollitë për bagëtitë kokë më kokë, derisa arritën në dollinë 101. Aty u kthyen dolli për lopën, gomarin, etj. Kjo ka qenë një momentet dhe dollitë më të bukura.

Por Dritëro Agolli ka edhe tjetër në raport me pijen.

Ai është i pari shqiptar që hoqi nga fjalori fjalën “pijanec” dhe e ndërroi në “pijetar”. Një fjalë që kishte një tjetër kuptim, pa diskutim më e dashur dhe krejt ndryshe nga fjala që artikulohej me parë që kishte një konotacion negativ.

Po tani? Pi shumë pak, por nuk e ka lënë përfundimisht. Pi nga një gjysmë gote verë në drekë ose në darkë. Për Dritëronë vera është për pleqërinë, e butë, e ëmbël. Ah, kur ishte i ri çfarë i bënte rakisë!…

JAM SOKRATI PLAK
Jam plak gazmor që dehem nga rakia, 
Ku rrugës më ngacmon një pijetore, 
Pastaj me zor shtyj këmbët tek shtëpia 
Në çaste vape, shiu apo dëbore.
Dy sytë e mi, të dy si xixëllonja, 
Largojnë njeri-tjetrin, qajnë e feksin 
Dhe dy pastruese rrugës si dy zonja, 
Më duket se plot nderim më presin.
Jam plak çapkën, i çmendur nga rakia, 
I çmendur jam, por jam shumë i gëzuar. 
Dhe si Sokratin plak më shan Sadija, 
Sadija ime, grua e bekuar…/ Dritëro Agolli

Fatos Nano, politikani që e ka alkoolin me protokoll

Profesioni: Politikan

Pija e preferuar: Xhini, vera

Është një nga politikanët që ka një raport të veçantë me pijen. Pa dyshim që njohja që ka ai për verën dhe xhinin, por edhe shumë pije të tjera alkoolike futen në kulturën e tij gjenerale.

Nano është nga të rrallët politikanë shqiptarë që njeh të gjitha llojet e verërave. Dhe të njohësh verërat kërkon një kulturë që Nano e ka, por shumë politikanë të tjerë nuk e kanë.

Megjithatë shumë njerëz ia marrin për dobësi të pirën Nanos. Por në fakt, ai asnjëherë gjatë administrimit të detyrës nuk ka gabuar apo të ketë bërë ndonjë gafë. Nano edhe kur ka mbajtur fjalime në letër, asnjëherë nuk ka gabuar në ato që ka thënë. Ndryshe ka ndodhur me miq dhe kolegë të tij që kanë bërë edhe gafa duke mbajtur fjalime. Kjo tregon se pija për të është pjesë e kulturës dhe jo e një vesi. Fatos Nano futet tek ata që quhen pijetarë. Për hir të së vërtetës, asnjëherë pija e tij nuk ka krijuar as incidente dhe as probleme me protokollin. Nano është një lloj Churchilli në këtë fushë. Ish-kryeministri legjendar britanik ka thënë se “ka marrë më shumë nga alkooli sesa alkooli ka marrë nga ai”.

Winston Churchill pinte shumë dhe personat që e njihni nga afër atë dëshmojnë: “Për atë të ngrënit pa pije nuk quhej e ngrënë”. Por zor se do të gjendet ndonjë njeri i cili ta ketë parë gjatë kësaj të dehur ndonjëherë atë. 

(Kosova Sot)