Zbulohet dokumenti/ Si organizonte Enver Hoxha kontrabandën e cigareve

  • 13 March 2017 - 11:56
Zbulohet dokumenti/ Si organizonte Enver Hoxha kontrabandën e cigareve

Ish-Drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka publikuar një dokument që tregon kontrabandën e cigareve të organizuar nga shteti komunist në hapësirën kohore midis viteve 1966-1991. Me anë të një shënimi në Facebook, Dervishi shkruan se aktiviteti fillimisht kryhej nga Ministria e Tregtisë, por që më pas kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Nëpërmjet rrugës tokësore (nga Hani i Hotit), futeshin në Shqipëri kamionë me cigare, të cilat shteti komunist i blinte nga firma zvicerane. Këto magazinoheshin afër bregut të detit dhe më pas trafikoheshin me anije apo skafe të huaja që vinin në bregdetin tonë”, bën me dije ai.

Sipas tij, pjesa më e madhe e trafikantëve të huaj përbëheshin nga mafiozë italianë. Dervishi tregon se qëllimi i tranzitimit të cigares në këtë mënyrë sillte fitim për komunistët e Shqipërisë, si edhe për trafikantët ndërkombëtarë, pasi e siguronin mallin pa barrierat doganore.

“Me organizimin e kësaj pune merrej Dega e Veçantë. Për kohën kur ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ajo ishte fillimisht në varësi të Degës së 2-të të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit”, shkruan ai. Më tej, Dervishi thekson se ajo kaloi në Drejtorinë e Tretë të Sigurimit të Shtetit (Zbulimi Politik) dhe në fund u quajt Seksioni i 2-të i Repartit 100/5. Dokumenti bashkëlidhur është i nënshkruar nga shefi i Degës së Veçantë “Antonio”. Është një dokument që nuk bën fjalë vetëm për cigare.

(Kosova Sot)

cigaret