E rrallë: Kur pionerët e “Met Hasës” krijonin radion e parë shqiptare…“Pioneri”

  • 26 March 2017 - 10:04
E rrallë: Kur pionerët e “Met Hasës” krijonin radion e parë shqiptare…“Pioneri”

Shumëkush prej shqiptarëve që i përket brezave të kohës së komunizmit, duhet ta mbajë mend radio “Pionerin”, siç dhe radio “Fatosin”, siç dhe radio “25-vjetorin” – e destinuar sidomos për berberhane – apo radio “Iliria”-n, e cila ishte e destinuar edhe për rininë, duke u mbajtur në parakrah gjatë xhirove. Tashmë ato i përkasin një kohe të shkuar, por që kanë mbetur në memorie si relike të vyera të së kaluarës. Por pak kush e di se radioja e parë shqiptare, ajo “Pioneri”, është e sajuar pikërisht nga pionerë, pra fëmijë, nxënës shkollash, të inkuadruar në kurset e Shtëpisë së Pionerit “Met Hasa” në Durrës. Dhe siç dihet, tek ky qytet më vonë do ndërtohej dhe Uzina e Radiove dhe Televizorëve, URT, prej shqiptarët furnizoheshin me këto mjete komunikimi, herë me emra proletare, herë gjeografike, e herë historikë siç “Dajti”, “Lura”, “Butrinti” apo më vonë, në fundin e viteve ‘80 televizorët me ngjyra “29 Nëntori”.

Por si ndodhi krijimi i radios së parë?

Në vitin 1959 u projektua radiostacioni i parë lokal në qytetin e Durrësit, që 13 vite më vonë, në nëntor të vitit 1962, do shërbente dhe si indicie e projektimit  dhe realizimit të  radios së parë shqiptare “Pionieri”. Ishin pikërisht fëmijët e “Met Hasës”, të cilët nxorrën nga fantazia e talenti i tyre radion “Pionieri”,  prodhimi i parë zyrtar shqiptar. Nga ajo periudhe po sjellim 2 foto të rralla eksluzive të punës se tyre.

Një ndër drejtorët e parë të suksesshëm të kësaj qendre për fëmijë, ka qënë  Fatos  Hoxha. Nën drejtimin e tij të vegjlit ndërtuan dhe dy radiostacione, një tek Mauzoleumi i Dëshmorëve dhe një tek Porti duke vendosur në taracën e objekteve antenat për të përhapur sinjalin e valët shtëpi më shtëpi në të gjithë Durrësin, Plazhin e Shijakun. Hoxha tregon se transmetimi ishte dy herë në javë dhe çdo qytetar që e ka jetuar atë kohë e kujtonte edhe sot tematikën e larmishme të emisioneve, për të cilat Hoxha pohon se i ndan sukseset bashkë me drejtues të seksioneve e reparteve të ndryshme në këtë shtëpi pionieri. Ai përmend si pjesë të këtij projekti dhe Vasil Aleksin, inxhinieri i radioteknikës, si dhe Ali Çitakun, që më pas u bë edhe drejtor tek URT-ja të cilën e themeloi po vet. Hoxha thotë se Uzina e Radios dhe Televizionit në Durrës është themeluar pikërisht nga ata nxënës që ishin frekuentues dhe pasionant të rregullt të rrethit radioteknik. 

Nga Mark Brunga

(Kosova Sot)