< Kush ishin policët që mbajtën Rinasin të paprekur në vitin e mbrapshtë 1997 - Dossier - Kosova Sot
Kush ishin policėt qė mbajtėn Rinasin tė paprekur nė vitin e mbrapshtė 1997

Kush ishin policėt qė mbajtėn Rinasin tė paprekur nė vitin e mbrapshtė 1997

Duke u përpjekur jo pak në të gjithë këto vite mundohemi të shmangim çdo kujtim të zymtë që lidhet me ato ditë të egra, të paqarta, të panatyrshme për një pranverë. 

12 Dikush për shkak të ndërgjegjes, dikush sepse nuk do t’u hyjë analizave të thella dhe pa dyshim komplekse të ngjarjeve, dikush… thjesht sepse do të harrojë. Nuk ishin ditë të lehta dhe pa dyshim secili u sprovua në mënyrën e vet.
Kam dashur ta shkruaj prej kohësh këtë histori, e cila më ka habitur kur e dëgjova për herë të parë, edhe për faktin se është lënë në heshtje, pasi as personazhet e saj nuk kanë preferuar të flasin. Peripecitë e tyre duket se filluan pikërisht pas kësaj ngjarjeje. Duhej të kishte ndodhur saktësisht e kundërt… Po flas për një grusht policësh, të cilët në marsin e vitit 1997 mbrojtën Rinasin, në një moment kapitullimi total të shtetit.

Nuk u prek asgjë dhe të kuptohemi nuk bëhej fjalë vetëm për godinën, por për sasi të konsiderueshme valute dhe malli, depo armatimesh dhe tunele karburanti. Ishin njerëzit që nuk lejuan të prekej asnjë “tullë” e kantierit “Siemens”, investimit gjerman për aeroportin e ri, edhe pse në inaugurimin e tij, në fillim vitin 1998, asnjë prej tyre nuk ishte ftuar. Përveç komandantit, Kapllan Xhangolli, i cili i shkarkuar në gusht të 1997-s ishte ftuar nga Ambasada Gjermane në mungesë të një ftese shtetërore. Askush nuk e kujtoi në fjalimet e asaj ceremonie deri në momentin që në podium u ngjit ambasadori gjerman.

Falënderimi i tij i veçantë shkoi për djemtë e Rendit të një vendi pa shtet, që për nder, ndjenjë miqësie ndaj njëri-tjetrit dhe burrëri, nuk e braktisën detyrën. Jo se ishin më të mirët, jo se ishin më trimat, jo se nuk i kapte plumbi, por sepse zgjodhën të qëndrojnë. Ata për të cilët, siç tha dhe diplomati në fjalimin e tij, “në Gjermani historia e tyre do të bëhej film”. Me këmbënguljen e Ambasadës Gjermane, komandant Xhangolli u kthye në detyrë në vitin 1998 dhe u shkarkua në vitin 2011, dy vjet përpara daljes së pension.

PRECIPITIMI DREJT KAOSIT TË PLOTË

Në datën 15 janar 1997, strukturat operuese në Aeroportin e Rinasit analizojnë gjendjen, e cila nuk është inkurajuese. Në zonën përreth aeroportit (Vorë-Fushë- Krujë) bandat kanë fituar terren. Raportohen pothuaj përditë vjedhje dhe shkatërrime të pronës private dhe biznesit. Kompanitë ajrore insistojnë të kenë informacion dhe natyrshëm kërkojnë garancitë e tyre në mundësinë apo jo të mbrojtjes së aeroportit. Shefi i Komisariatit të Rinasit, Kapllan Xhangolli, thirret me urgjencë nga ministri i Brendshëm i kohës, Halit Shamata.

Në prani edhe të dy këshilltarëve të Presidentit Berisha, Kolec Topallit dhe Genc Pollos, raporton për situatën. I kërkohet të marrë të gjitha masat për të mbrojtur aeroportin. Në datën 10 shkurt drejtuesit e firmës “Siemens” dhe asaj “Sarantoplas”, që drejtonin punimet e rikonstruksionit të aeroportit, kërkuan të njihen me gjendjen aktuale të sigurisë. Kantieri “Siemens” kishte pajisje, që kapnin shifrën e miliona eurove. U vendos të sistemohen nëpër magazina materialet që mund të shërbenin si “objektiv” i bandave. Në datat 24-25 shkurt shefi i komisariatit të Rinasit, Kapllan Xhangolli, dhe drejtori i “Albtransportit”, Ilir Kurti, zhvilluan takime sensibilizuese me banorët e fshatrave Rinas, Qerek dhe Valias.

Duke qenë se pjesa më e madhe e punonjësve të aeroportit ishin nga këto fshatra u kërkua ndihma e tyre për ruajtjen dhe sigurinë e aeroportit. Në fillim të marsit forcat e policisë kalojnë në gatishmërinë numër një. Situata po precipitonte. Ishte shumë e lehtë të kuptoje se gjendja moralo-psikologjike e efektivit të Policisë së Rinasit, efektivit të Regjimentit të Aviacionit, por edhe çdo punonjësi në strukturën e aeroportit ishte e rënduar. Fillojnë mungesat në punë, largimet nga detyra të efektivëve, të cilët nuk e ndiejnë më veten të sigurt.

U rrit ndjeshëm numri i pasagjerëve që largoheshin nga Shqipëria çdo ditë. Trupi diplomatik i akredituar në vend largon pjesën më të madhe të funksionarëve dhe natyrisht të familjareve të tyre. Ambasadori gjerman i shqetë- suar për fatin e kantierit “Siemens” viziton Rinasin dhe kërkon shpjegime personalisht për mënyrën se si do të mbrohej investimi gjerman. Nuk ka më siguri. Përreth “Rinasit” bëhen qitje të rregullta me armë zjarri. Lajmet që vijnë nga gjithë vendi, kryesisht Jugu, janë demoralizuese. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, më 9 mars 1997 qeveria Meksi jep dorëheqjen. Vendi është zyrtarisht në kaos.

VENDOSËN TË QËNDROJNË…

Momenti i parë i Xhangollit, ish-komandanti i Komisariatit të Rinasit, ishte një votim i fshehtë në mbledhjen që ai bëri mëngjesin e datës 10 mars me oficerët e tij. Nga ajo mbledhje do të vendosej fati i Rinasit. I ndërgjegjshëm se qëndresa tashmë nuk varej më nga urdhrat, por nga vullneti i lirë i njerëzve të tij, ai u kërkon oficerëve të shprehen me votim të fshehtë nëse do të rrinë në detyrë, apo do të largohen. Djemtë shkruan mbi copa letrash, i palosën ato dhe i lëshuan mbi tavolinë.

Shumica kishte vendosur të qëndronte. Megjithatë, askush nuk iku. Ndoshta për shkak të sedrës, ndoshta sepse askush nuk e kishte menduar se shoku pranë do të qëndronte, ndoshta për njëmijë e një arsye të tjera, të cilat nuk kanë më asnjë pikë rëndësie, oficerët e komisariatit të Rinasit, atë mëngjes të paqartë marsi, vendosën të mos kthehen më pranë familjeve të tyre, por të ngujohen në aeroport. Komandant Xhangolli kujton se pasi rreshtoi të gjithë efektivin e komisariatit të Rinasit u komunikoi vendimin e marrë nga oficerët. “Duhet të kenë qenë 80-90 punonjës policie që dëgjonin në heshtje fjalët e mia (të tjerët ishin në pikat e kontrollit).

U mundova t’u rikujtoj se detyra e tyre ishte të mbronin aeroportin, se betimi që kishin bërë shkonte deri në vetëmohim, por kaq… kaq mund t’u thosha. Urdhrat nuk kishin më vlerë në atë situatë. U thashë se ishte koha të vendosnin. Kush nuk do të qëndronte me oficerët mund të dilte nga rreshti dhe ishte i lirë të largohej”. Por askush nuk iku. Vetëm disa kryefamiljarë kërkuan pak orë leje për të çuar ndonjë thes me miell dhe ushqime të tjera pranë familjeve të tyre.

DITËT E VËSHTIRA TË MARSIT

11 mars 1997. Rinasi mbyllet pjesërisht. Avionët e linjave kryesore nuk operojnë më. Aeroporti është i mbushur me qytetarë shqiptarë dhe të huaj që duan të largohen. Punon vetëm “Albanian” dhe “Ada Air”. Me këto dy linja u bë i mundur edhe largimi i qytetarit të fundit. Pas shërbimit punonjësit civilë të aeroportit largohen përfundimisht. Vetëm 5- 6 prej tyre vendosën të qëndrojnë me policinë.

12 mars 1997. Komandant Xhangolli kujton se u bë një takim koordinues ndërmjet Policisë së Rinasit dhe Komandës së Regjimentit të Aviacionit, në të cilin u hartua plani i përbashkët për mbrojtjen e Rinasit. Në po këtë datë, ora 24:00, kulla e vrojtimit njofton për lëvizje të dyshimta në regjimentin e aviacionit. “Urdhëroj shefin e Rendit, Albert Xhahon, të marrë një grup të policisë dhe të verifikojë në vend çfarë po ndodh. Pak minuta më pas më njofton në radio se i gjithë efektivi i regjimentit ka braktisur detyrën”.

Ishte lajmi i keq për ju komandant? Edhe tani pas 20 viteve, ai kujton tronditjen që i dha lajmi i dezertimit të ushtarakëve. “Mendoni çfarë katastrofe mund të ndodhte, nëse shpërthenin tunelet me karburant dhe municion të aviacionit. U detyruam të vendosnim njerëzit tanë t’i ruanin në rast sulmi nga bandat”. Ai ka hamendësimet e veta në lidhje me mosqëndresën e regjimentit të aviacionit, por nuk dëshiron të flasë për to, as tani pas kaq vitesh. Nuk do të rëndojë askënd.

Dezertimi i ushtarakëve e bëri edhe më të vështirë detyrën e atij grushti policësh. U rikonceptua me urgjencë plani i mbrojtjes, u ngushtua perimetri i mbulimit, u përgatitën pozicione të reja duke përdorur të gjitha mjetet rrethanore ( automjete të vjetra, vagonët e transportit të mallrave), u bllokua me blloqe betoni ura hyrëse në fshatin Rinas, u përforcua postblloku i krijuar në hyrje të aeroportit.

13 mars 1997. Rrethimi në anën verilindore të aeroportit çahet. Në pistën e avionëve lëvizin qindra njerëz. Burra, gra, fëmijë hyjnë lirisht në godinat e regjimentit dhe marrin materiale të ndryshme. Gjatë ditës grupe nga turma tentojnë t’i afrohen zonës së sigurisë së aeroportit. U bëhet thirrje në vijimësi me altoparlant të bëjnë kujdes se është zonë ushtarake dhe se po tentuan të hyjnë, do të qëllohen. Me kalimin e orëve dhe ardhjen e muzgut situata përkeqësohet.

14 mars 1997. Minutat e para të kësaj dite do të rezultojnë shumë të vështira. Ora 00:30 kulla e vrojtimit njofton se një grup makinash po i afrohen rrethimit nga ana e fshatit Valias. Pak më vonë me radio një mësues i fshatit Qerek lajmëron se një grup i armatosur nga ky fshat po i drejtohen Rinasit. Nuk vonoi, nisën të shtënat. Oficerët drejtues me megafona u bënin thirrje të mos qëllonin, të largoheshin.

“Jemi të vendosur të mbrojmë aeroportin, tërhiquni, mos qëlloni, nuk duam të derdhet gjak… forcave të rendit po u mbaron durimi”, fjalë që merrnin si kundërpërgjigje breshëritë e pandërprera të kallashnikovëve. Efektivi kishte marrë udhëzime të vijueshme për të hapur zjarr demonstrativ, duke qëlluar në ajër mbi kokat e personave të armatosur, me municion gjurmëlënës. Për katër-pesë minuta, me zjarr intensiv, u harxhuan rreth 5000 fishekë automatiku, mitralozi të lehtë dhe mitralozi 12.7. Municioni gjurmëlënës ndezi flakë gjithë zonën përreth, duke intimiduar dhe detyruar grupet e armatosura të largojnë me shpejtësi makinat nga pista e aeroportit.

Ata u pozicionuan pak më tutje dhe vijuan për orë të tëra të qëllojnë në mënyrë sporadike. Mëngjesi i 14 marsit ishte i ftohtë. Era e barutit të çante hundët. Komandanti kujton se njerëzit e tij kishin 24 orë pa futur asgjë në gojë. Lajmet që jepeshin në media ishin të ndryshme. Flitej se aeroporti ishte sulmuar dhe kishte rënë në duar të personave të armatosur. Familjarët e policëve të tmerruar u dyndën në Rinas. Rreth orës 10:00 u bë një turmë e madhe që kërkonte të dinte nëse ishin gjallë apo jo të afërmit e tyre.

Turma u lejua të futej në sallën VIP, që njerëzit të mund të shikonin dhe të takonin djemtë. Në pasdite drejtori i aeroportit, Ilir Kurti, interesohet në radio për shëndetin e efektivëve. I bëhet e ditur se aeroporti vijon të jetë në duart e policisë, por problem më i madh është i ftohti dhe ushqimi. Afër mbrëmjes, edhe pse rruga ishte e rrezikshme, Ilir Kurti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Albert Brojka, të shoqëruar me dy makina nga punonjës civilë të aeroportit, mbërrijnë në Rinas me batanije dhe me ushqim (rreth 200 hamburgerë).

Takimi me Brojkën në njëfarë mënyre pati ndikim pozitiv në moralin e njerëzve të rendit. 17-18 mars 1997. Efektivi i Rinasit njoftohet se kryeministri i qeverisë së pajtimit kombëtar, Bashkim Fino, për të dhënë një mesazh inkurajues për të gjithë shqiptarët do të zhvillojë një takim me të vetmin komisariat të mbetur në këmbë. Komandant Xhangolli është kategorikisht kundër një “reklame” të tillë, duke pasur frikë se ekspozimi do t’i vinte në rrezik njerëzit e tij, por vizita ishte vendosur. Kryeministri u prit.

Fjalët e tij ishin inkurajuese. Në mbrëmje kronika e vizitës së tij u pasqyrua në televizionin shtetëror. Komandant Xhangolli kujton se efektivi i policisë atë mbrëmje ishte shumë entuziast. Ai dhe oficerët jo. Frika se kronika televizive mund të sillte një efekt nxitës te bandat e zonës e detyroi të porosiste njerëzit e tij të qëndronin nëpër pozicione dhe të mos ulnin vëmendjen.

Nuhatja prej ushtaraku të vjetër nuk i kishte gabuar. Vetëm gjysmë ore më vonë kulla e vrojtimit njofton se një grup me 5-6 makina ishin futur në pjesën verilindore të fushës së aeroportit, ndërkohë që vëreheshin lëvizje edhe në zonën e regjimentit të aviacionit. Urdhëroi të hapej zjarr në ajër me fishekë gjurmëlënës, si dhe të qëllohej me raketa ndriçuese në afërsi të grupit. Kundërpërgjigjja ishte po aq e ashpër. Personat iu afruan kantierit “Siemens”, duke thirrur me zë të lartë: “Nuk kemi punë me policinë, nuk duam gjakderdhje, na lejoni të grabisim kantierin”, duke përparuar personat qëllonin në drejtim të forcave të rendit.

Në këto kushte komandanti jep urdhër për zjarr të pandërprerë mbi kokat e tyre. Grupi i armatosur u tërhoq drejt fshatit Valias, duke u ndjekur deri në njëfarë vendi nga autoblinda e vetme që kishin e që drejtohej nga punonjësit e policisë Nebi Alipaj, Valter Bace dhe Altin Dalipi. Afër mëngjesit, nga një distancë e largët, personat e armatosur nisën të bënin qitje drejt punonjësve të rendit. Një nga plumbat kap në shpatull punonjësin e policisë, Sinan Veizi. Është pa dyshim një nga momentet më të vështira të atyre ditëve. Për fat, çdo gjë shkoi mirë për të në Spitalin Ushtarak.

ARDHJA E VRANICKIT

Vranicki ishte pa dyshim udhëtari më i çmuar i atyre ditëve kaotike. Forcat e komisariatit të aeroportit në bashkëpunim me forcat e tij të sigurisë të mbërritura një ditë më parë ishin në gatishmëri. I dërguari i OSBE-së, njeriu që do të mundohej të kuptonte se çfarë po ndodhte realisht në vendin e vogël ballkanik të ndezur flakë, ishte më i paqartë se kurrë. Atë nuk e priste askush në Rinas. I vetmi që mund të bënte “nderet e të zotit të shtëpisë” ishte komandant Xhangolli.

Ai kujton shtrëngimin e fortë të duarve me Vranickin, në fund të shkallëve të vogla e të ngushta të avionit. Kujton pyetjen tij të parë, e cila do ta kapte në befasi ushtarakun e sprovuar: “Sa larg nga aeroporti janë rebelët?”. Nuk dinte si t’i përgjigjej. “U kapa ngushtë, nuk dija realisht çfarë t’i thosha, por mblodha veten dhe fola ‘mund të jenë 20 kilometra larg, por mund të jenë edhe 200 metra që këtej… këtu nuk ka më kufi ndarës mes atyre që janë rebelë dhe atyre që nuk janë të tillë’”.

“Bashkë me shoqëruesit e tij e çuam në sallën VIP, ku ai deshi të dijë gjithçka mbi situatën e ditëve të fundit dhe unë e informova me aq sa munda”, tregon komandanti. Franc Vranicki u shoqërua për në Tiranë me dy automjetet e vetme që kishte komisariati i Rinasit. Çuditërisht, ai në ardhjet dhe ikjet e tij të shpeshta në atë periudhë të vështirë, nuk do të harronte kurrë të kujdesej të takonte komandantin e djemve që mbrojtën aeroportin, të cilit i përsëriste përherë: “M’u kujtuan fjalët e tua kur thashë në Shqipëri nuk e mora vesh kush është engjëll e kush është djall”.

(Kosova Sot)

15 orë e 48 minuta më parë