Kurthi i britanikëve për takimin e Abaz Kupit me komunistët

  • 16 April 2017 - 10:10
Kurthi i britanikëve për takimin e Abaz Kupit me komunistët

ZBULOHEN DOKUMENTE NGA OFICERËT BRITANIKË

Takimi "aksidental" më 1944 nuk u realizua kurrë

Telegrami sekret: "Po përgatisim një takim "aksidental", Billi Maclain, një prej oficerëve më në zë prej britanikëve në Shqipërinë e kohës së luftës, raportoi për komandën e aleatëve në muajin maj se po përgatisin një kurth për Abaz Kupin. Ky kurth kishte të bënte me një takim që ata kërkonin të realizonin mes Kupit dhe komunistëve"

Në muajin maj të vitit 1944, oficerët britanikë përgatitën një kurth që të mundësonin një takim mes Abaz Kupit dhe komunistëve, në mënyrë që të realizohej një front i vetëm lufte kundër gjermanëve. Ndonëse kishin marrë dakordësinë e Abaz Kupit për një takim të tillë, ku kushti i vetëm i Kupit ishte që të mos bënte pjesë Enver Hoxha në delegacion, britanikët nuk arritën të bindin komunistët për një takim mes tyre. Ndaj, në fillin të muajit qershor, ata menduan që në Pezë të Tiranës të thërrisnin një numër të caktuar elementësh komunistë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare e më pas atje paralajmëruan të dërgonin Abaz Kupin. Por, ky takim "aksidental" nuk u realizua kurrë për shkak se Enver Hoxha nuk u bindej më britanikëve dhe shikonte me dyshim çdo kërkesë të ty re. Telegrami i oficerit britanik, Maclain, shprehet se Kupi ka rënë dakord për një takim, por me kusht që Hoxha të mos jetë i pranishëm. Ai do të takonte Hoxhën vetëm në rast se kjo do të ishte e pamundur të ndalohej. "Kupi do të dëshironte të kishte një takim me Malëshovën, Dishnicën dhe Gjinishin, por ai bie dakord të takojë edhe Hoxhën nëse kjo është e paevitueshme", thuhet në telegramin e Maclain dërguar komandës aleate. Ndodhet edhe një raport i oficerit tjetër britanik, Julian Amery , për lëvizjen zogiste. "Nëse FNÇ fillon zgjerimin e zonës së vet, Kupi duket se do të bashkojë armët me Ballin Kombëtar dhe qeverinë. Ai ka rënë dakord të takojë përfaqësuesit e FNÇ-së, me shpresën se misioni i aleatëve do të ndikojë në arritjen e një marrëveshjeje, që të ndalojë një sulm të FNÇ-së ndaj trupave të tij. Kupi e kupton qartë se ai duhet të kontribuojë mes aleatëve në luftë, në mënyrë që të përfitojnë ndihmën e ty re", raportoi Amery .

Çka thuhet në telegramin sekret?

Telegrami sekret: Po përgatisim një takim "aksidental" Billi Maclain, një prej oficerëve më në zë prej britanikëve në Shqipërinë e kohës së luftës, raportoi për komandën e aleatëve në muajin maj se po përgatisin një kurth për Abaz Kupin. Ky kurth kishte të bënte me një takim që ata kërkonin të realizonin mes Kupit dhe komunistëve. Duke mos arritur të bindin palën komuniste të takonte Abaz Kupin, britanikët menduan që të organizojnë në Pezë të Tiranës një takim, që për të dy ja palët do të ishte i papritur. Por, ky takim dështoi dhe nuk u realizua kurrë. DOKUMENTI NR 1 Mesazh nga terreni nga Maclain. Kopje e telegramit nr. 3041, i datës 28 maj 1944. Më poshtë janë kushtet, në të cilat Abaz Kupi ra dakord t'i takojë LNÇ. 1. Për të realizuar takimin ai do të jetë "aksidental", i organizuar nga misioni britanik. Ne do të ftojmë Kupin dhe më pas aksidentalisht në të njëjtën kohë do të ftojmë edhe LNÇ. 2. Oficerët e misionit britanik do të jenë prezentë gjatë gjithë takimit. 3. Kupi do të dëshironte të kishte në takim Malëshovën, Dishnicën dhe Gjinishin, por ai bie dakord të takojë edhe Hoxhën nëse kjo është e paevitueshme. 4. Takimi do të ndodhë në çdo moment pas datës 1 qershor 1944. Shpresojmë ta organizojmë takimin në zonën e Pezës.

Kush ishte kapiteni Julian Amery

Julian Amery ishte një nga oficerët e veçantë që luftuan në Shqipëri. Ai qëndroi disa muaj me trupat e Abaz Kupit, ndërsa mbahej mend për sjelljen e tij prej aristokrati, si dhe veshjen fine, edhe pse në mes të luftës. Ai ishte djali i një prej zyrtarëve të lartë në qeverinë britanike. Por, pas luftës në Shqipëri, Amery do të bëhej një nga politikët më në zë në Britaninë e Madhe, duke mbajtur edhe post ministri në qeveritë e konservatorëve. Tepër antikomunist, Amery mbështeti hapur Abaz Kupin në përpjekjen e tij për të ndaluar ardhjen e komunistëve në pushtet. Dy javë pas ardhjes së tij në Shqipëri, Amery dërgoi këtë raport për zyrën e komandës aleate. 

Raporti për situatën në Shqipëri

DOKUMENTI NR. 2 Të dhëna nga kapiteni Amery , pas dy javësh turi në zonën e Matit dhe Krujës. 1. Background: Pas rënies së Italisë, vendi është kthyer në një shtet anarkie dhe autoriteti i qeverisë shtrihet vetëm në qytetet kryesore. Në jug të vendit është LNÇ revolucionare, e cila kundërshtohet nga grupet antikomuniste si Balli Kombëtar, që mbështeten nga gjermanët dhe qeveria. Në veri gjendja e revolucionit nuk është arritur ende, kjo për shkak të strukturës sociale etj. Me rritjen e besimit se rënia e Gjermanisë do të jetë e shpejtë, elementi nacionalist i trembet një regjimi komunist të LNÇ, të mbështetur nga Tito, dhe shpresojnë në një ndërhyrje politike të britanikëve, nisur nga konflikti i interesave të Rusisë dhe Britanisë në Ballkan. Nacionalistët e të gjitha llojeve, në veri dhe në qendër të vendit, por edhe elementë të fortë nga Tirana, mbajnë marrëdhënie me Kupin. Këto marrëdhënie nuk janë rritur, por janë njësoj si një notë që dërgova më herët për ftohjen e marrëdhënieve mes Fiqri Dines dhe Mehdi Frashrit, ndërsa ato me Gjon Markagjonin dhe me Mustafa Krujën janë sërish në fillimet e ty re. 2.Kupi dhe Komiteti i tij: Marrëdhëniet nuk janë ende të qarta, por duket se shqiptarë me influencë diskutojnë direkt me dikë që, për hir të situatës, t'i japë atij një status politik. Ata konsistojnë kryesisht në mbështetës të Zogut me reputacion të mirë në luftën kundër italianëve, si dhe rekrutime nga qytetet kryesore për partinë zogiste. Këto unione i sigurojnë Kupit kontakte me qeverinë dhe ndoshta edhe para kesh. 3. Organizata ushtarake: Përbëhet nga një numër i madh ish-ushtarakësh dhe oficerë të xhandarmërisë, që ikën në Jugosllavi pas vitit 1939 e që ishin mbështetës së Zogut. Fuqia në Krujë, Mat dhe Tiranë është afërsisht 5 mijë burra te armatosur, por sasia e armëve është e papërfillshme dhe po ashtu edhe organizimi ushtarak. 4. Situata politike: Mbështetësit e Kupit kanë rënë dakord për një front të përbashkët me Ballin Kombëtar dhe qeverinë kundër elementit komunist, me argumentin se LNÇ-ja do t'i sulmojë ata dhe britanikët do të humbasin përballë Rusisë. Gjithsesi, deri tani Kupi është mjaft dashamirës me misionin tonë. Por neutraliteti do të jetë i vështirë të qëndrojë nëse FNÇ do të dalë nga kufiri i saj dhe Kupi kërkon të na bindë për ngritjen e një froni antikomunist. Ai e kupton se një situatë e tillë komprometon Mbretin Zog dhe do të mbajë situatën e neutralitetit, në të kundërtën do të dezertojë tek aleatët. Nëse FNÇ fillon zgjerimin e zonës së vet, Kupi duket se do të bashkojë armët me Ballin Kombëtar dhe qeverinë. Ai ka rënë dakord të takojë përfaqësuesit e FNÇ, me shpresën se misioni i aleatëve do të ndikojë në arritjen e një marrëveshjeje, që të ndalojë një sulm të FNÇ ndaj trupave të tij. Kupi e kupton qartë se ai duhet të kontribuojë mes aleatëve në luftë, në mënyrë që të përfitojnë ndihmën e ty re. 5.Përfundime: Me shumë gjasa të një penetrimi të FNÇ në zonën e Kupit dhe me një rënie të gjermanëve së afërmi, Kupi kupton se mbajtja e neutralitetit është pothuaj e pamundur. Nëse ne e inkurajojmë Kupin si dhe të ndalojmë FNÇ që ta sulmojë atë, besoj se ai do të jetë tepër i dobishëm për ne, përndryshe ai do të ndjekë të njëjtën rrugë si Mihailoviq. Komunistët në prag të pushtetit, britanikët besojnë se brenda tyre ka shumicë nacionaliste. Në një nga raportimet e komandës aleate në Bari të Italisë për Ministrinë e Jashtme në Londër, thuhej se brenda lëvizjes partizane ka nacionalistë të shumtë. Sipas këtij raporti, afërisht 25 për qind e tyre janë nacionalistë, që i shprehin hapur bindjet e ty re, por që edhe mund të jenë më shumë dhe nuk shfaqeshin për shkak të frikës. Ky raport thotë se edhe mjaft prej drejtuesve ishin nacionalistë, por vetëshpalleshin si komunistë. 

Shqetësimet për situatën e Kryeziut

DOKUMENTI NR. 3 tetor 1944 1 .Në lidhje me letrën tonë EGB/Al/2181/3 të datës 21 tetor 1944 lidhur me shqetësimin për situatën e Kryeziut, ne sapo morëm informacion nga Bari, dërguar nga oficerët tanë në terren. a) Oficerët tanë të ndërlidhjes në shtabin e korporatës së parë partizane deklarojnë se gjeneralmajor Dali Ndreu, komandanti i kësaj korporate, ishte despotik dhe nuk kërkoi aspak ndjesë. Ai ishte këmbëngulës në lidhje me subjektin e bashkëpunimit për "bashkëpunëtorët dhe armiqtë e tjerë të LNÇ", të cilët nuk ndahen nga njëritjetri. Partizanët mbrojnë linjën se ata gjithnjë kanë prova për bashkëpunimin e armiqve të ty re politikë, me përjashtim të Gani Kryeziut, për të cilin ata mendojnë se do të bashkohen me LNÇ, për shkak se kërkon të shpëtojë lëkurën e tij. b)Në një artikull të gazetës qeveritare "Bashkimi i Kombit", jo fort e besueshme për rastin konkret, deklarohet se në datën 4 tetor forcat e FNÇ sulmuan Kryeziun, duke i shpërndarë forcat e tij. Ganiu është plagosur, por besohet se është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë Saidi, i vëllai, dhe Lazar Fundo, ishin të burgosurit e FNÇ. Fundo është deklaruar nga oficerët tanë të ndërlidhjes si një person me aftësi të shumta dhe përgjegjës për fushatën e propagandës antigjermane për llogari të Kryezinjve në Kosovë. Ai ka një rekord pune kundër fashistëve dhe nazistëve dhe është konsideruar si probritanik i sinqertë. 2. Një oficeri ynë i ndërlidhjes në zonën e Gjirokastrës ka raportuar elementët e krahut të djathtë brenda partizanëve. Ai thotë se këta partizanë nacionalistë kërkojnë një Shqipëri republikë. Numrat e tyre brenda lëvizjes partizane nuk dihen, sepse pozicionet me përgjegjësi në lëvizjen partizane janë të zëna nga elementë të vetëshpallur si komunistë, por mund të arrish në një konkluzion se 25 për qind e ty re janë qartësisht nacionalistë të hapur, të cilët dallohen nga shqiponja shqiptare në kapele apo edhe me yll të kuq. Numri mund të ishte edhe më i madh, por nisur nga presioni dhe propaganda, e kanë dobësuar atë në sipërfaqe. Shumica e fshatrave në territorin partizan janë vërtet "nacionaliste", në veçanti ato të krishtera. Sipas oficerit tonë, ai shpreh bindjen se nëse zgjedhjet mbahen vërtet të lira në jug të vendit, atëherë komunistët janë në minorancë. Elementët nacionalistë do të mirëprisnin ndihmën amerikane dhe britanike. 

(Kosova Sot)