Letra për priftin françeskan/ Kur Frang Bardhi i drejtohej Papës për gabimet e meshtarëve shqiptarë

  • 09 June 2017 - 09:23
Letra për priftin françeskan/ Kur Frang Bardhi i drejtohej Papës për gabimet e meshtarëve shqiptarë

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” vijon publikimin çdo fundjavë të letrave

Në këto dy letra, Mustafa Kruja dhe At Paulini hedhin dritë mbi veprën dhe debatet për Frang Bardhin. Është i rrallë bashkëpunimi i tyre, përmes letrave, edhe në lëmë të studimeve të vjetra të shqipes. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letra të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***                                                                               

Ramleh, 3. II. 1955

Mik i dashun,

Po të shkruej pa pritun përgjegjen t’ânde. I a kam hŷmë nji pune, ku m’u desh nji vegël qi s’e kam e ti po : gjuha latine. Edhe nji herë tjetër të kam pasë lypun do përkthime prej ksaj gjuhe. Tash janë mâ pak, e po të lutem jo veç me m’i bâmë, por edhe sa mâ shpejt qi të mundesh.

Prej teksteve qi po të dërgoj me më përkthyem, ti e merr vesht se çfarë pune âsht: nji studim i plotë mbi fjalorin e Bardhit, i cili fillon me këto copa latine. Copa qi s’kanë lidhje me qëllimin kryesuer të studimit t’em e as nuk e dij ende nëse kam për t’i vûmë këto përkthime në krye të veprës, sikurse i ka teksti vetë. Me gjithë këtê, më pëlqen qi t’a dij fill e për pê se ç’thonë, e jo aqë sa mund të marr vesht vetë prej latinishtes, sidomos Adnotationes…, ku Auktori ep nji shênj shkrole për dh, e spjegon për th e e përdor për të dy këta tinguj! Shum’i “fshtirë” transkriptim’i shqipes së Bardhit me atë shkrim e ato shkrola qi ka përdorë, tue u dhânë këtyne herë nji tingull e herë nji tjetër e tue ngjitun shumë herë disa fjalë bashkë. Fjalor’i Bashkimit na ka blatuem shumë gabime si prej këtij ashtu edhe prej Kristoforidhit, se si njâni tjetri janë plot edhe me gabime shtypi. Por mâ e kam nisun e… ndimo Zot e çarku i Dodës, si kishte pasë thânë nji herë moti nji farë Dode.

Me shëndet jam mirë, e qe këtu ende. Ti mos kij kujdes, se kur të jetë koha kam me të diftuem qi mos të më shkruejsh mâ këtu.

      Me shumë shëndet

        I yti

        Mustafa

 SHUMË TË PËRMENDUNVET PRINCA KARDINALË TË KONGREGACIONIT TË PROPAGANDA FIDE

Frang Bardhi (pel) ?

OROE : Un nuk e kuptoj pse ky Frang Bardhi u drejtohet Kardinajvet shumës, kurse, si e dij vetë, Propaganda Fide, sikurse çdo Kongregacjon, ká ká nji kardinal në krye. Un nuk munda me e gjetë nëse në kohë të Bardhit kanë kenë mâ (se nji) Kardinaj në ket Kongregacjon Propagandet.

I detyrohet Emnit t’uej (u detyrohet Juve), nëse del në dritë nën kujdesin T’uej kjo vepër çfarëdo. Thashë vepër çfarëdo ? Duhej t’a quejsha të shkëlqyeshme. (E jo vetëm në nji drejtim do t’a meritonte këtë epitet. Pra : mâ së pari, qi âsht e panjohun për Ju, mëshira e Njerit të Ndershëm dhe autoriteti e bindi, e mandej dashunija për fenë e kreu)

Oroe : Për ket perjudhën në mes të kllapave nuk jam i sugurtë. Kush âsht ky Njeri i Ndershëm ? A thue don me thânë për vedi ? Njashtu dán. Me gjithkta modestia âsht lânë mbas anet në ket rasë !! A ndoshta kupton Papën vetë ? A por Kardinalin, qi âsht në krye të Kongregacjonit të Propagandës ase qi ishte aso kohe ? At herë, pse e vên titullin shumës në fillim

Esht për t’u habitë me gabimet qi bâjnë ministrat (meshtarët) e Kishës në krahinën epirotike e si nuk e njohin gjuhën latine. Nga dita në ditë (e âsht shênj i dallueshëm i të gjitha institucioneve të këqija) futen, përhapen, shpërndahen në dhânien e sakramentevet, zakone të papëlqyeshme e, për faj të priftënvet hupin ritet mâ të mira e mâ të shênjta të fesë krishtene.

Oroe : Prap nji dyshim nder kllapa. Mbas të gjitha gjasash âsht për t’u kuptue kështu : “qysh se ndodhë ata shka shkruehet mbas, don me thânë se lëngon gjithshkafja qŷsh në rrâjë, nelle instituzioni”. Kjo fjala ingenium në ket vend e me ket konstrukcjon, âsht fort e vshtirë të spjegohet. Un e kam përkthye me fjalën shêj i keq, por mjaft lirisht.

E vlerësova mjaft të dobishme për tânë kombin me përpilue formulat e gjuhës epirote së bashku me predikimin latin e me paraqitë rrjeshtin e emnavet e të fjalvet, tue dijtë mirë se e bâj mâ të lehtë hŷmjen e përhapësve t’Ungjillit n’ato krahina. Ju o Princa të shquem, qi përqafoni me mshirën e shkëlqyeshme T’uejën gjithë rruzullin e tokës, ngrejeni Epirin, në mënyrë qi gjithë të tjerët të kuptojnë se Ju e keni në zêmër atë krahinë, jo mâ pak se të gjitha provincat e tjera e të gjitha mbretnitë e tâna. Vleni !

II

Qi të shtypet – ose të mund të shtypet – po t’a besojë e t’a shohë mirë shum’i nderuemi Atë, Mjeshtër i Pallatit të Shênjtë Apostolik.

       A.Torniello, zavêndës

III

Na, Frati Mark Skura, Ipeshkëv Shtjefënist, me urdhën të shumë të Nderuemit Atë Frat Nikollë Rikardi, Mjeshtër i Pallatit të Shênjtë Apostolik, kemi këndue e çmue këtë libër, qi titullohet FJALOR LATINISHT – SHQIP, i përpunuem nga shumë i ndrituni Zotni-Dom-Frangu i Bardhë, Epirot, student i Kolegjit të Propagandës, Profesor Teologjiet dhe besojmë se âsht i pëlqyeshëm e i dobishëm, jo vetëm për Epirotët, por edhe për të tjerë studjues të gjuhëve të hueja.

        Romë, 30 Maj 1635

            Frati Marko Skura, Ipeshkëv Shtjefënist

Dý oroe . – 1) Maestro del sàcro palazzo apostolico âsht nji zyrë qi e ká përherë nji Domenikan. Ky ká në dorë cenzurën e libravet e asht si Teologo del Corte nel Vaticano. Se ai do t’i përkasë Urdhnit domenikan rrjedhë qýsh prej origjinet të këtij urdhni, qi ká pasë përherë në dorë drejtimin e Inkuizicionit.

2) Tue kenë se Ipeshkvi Marco Scura vên para êmnit Frate, don me thânë se âsht kênë rregulltar, dmth. meshtar i nji urdhnit religjoz e jo prift shekullar. Mbas të tana gjasësh n’at kohë, ndër rregulltarë nuk ká pasë tjerë posë se Françeskan (në Shqipni, merret vesht).

Meshtarët e urdhnave religioz ase rregulltarë përdorin titullin Frate ase dhe Padre e zyrtarisht i përdorin të dy, sikurse në ket rasën e këtij Maestro del Sacro Palazzo.

IV

    IMPRIMATUR = të shtypet !

Frati Nikollë Rikardi, Mjeshtër i Pallatit të Shênjtë Apostolik.

Oroe.- Si po e shef prá, libri ká shkue në cenzurë. Tue mos e njoftë shqipen ky Maestro del Sacro Palazzo Apostolico, ká ngarkue Ipeshkvin shqiptar Skura me shqyrtimin e librit. Atherë âsht dhanë zyrtarisht lêja e botimit. IMPRIMATUR. Edhe tash vêhet ndër libra të shtypun prej meshtarësh përherë fjala IMPRIMATUR.

V

SHËNIME MBI GJUHËN DHE SHKROLAT E EPIROTËVE OSE SHQIPTARËVE

Gjuha e folme e gjindes epirote, ose gjuha shqipe, âsht krejt ndryshe nga të folmet Greke e Ilirike ose Slavonike, edhe se qindron midis kufijve të dy popujve. Por në shkrim Epirotët ose Shqiptarët përdorin të njâjtat shkronja, të njâjtat lloje gërmash qi përdorin Latinët. Për mâ tepër përshtaten-bien në ujdi- në të gjitha shkrolat, veçse Epirotët, veç atyne latine, kanë tre të posaçme e të veçanta të cilat vihen në dukje këtu-në këtë letër- figurat, shembujt dhe mënyrat e shqiptimit.

Figurat – e –, shembujt zot, dmth. Domino – Signore – yll – dmth. stella, dhée, dmth.terra.

Mënyra e shqiptimit : e para duhet shqiptuem si z. E dyta si u e frêngjve. E treta si th.

Oroe : Auktori nuk ka mujtë të spjegojë ndryshej mndyrën e shqiptimit, veçse tue krahasue me gjuhë të njoftuna. Per Y ká prû u-n e Françezvet. Per th ká marrë per shembull Hinglizt. Këtê veç e shkruen hinglizi me th e e shqypton dý mndyrësh : herë si th e herë si dh. Per sh. : (si th-ja e jonë) think, thing, three ; (si dh-ja e jonë) : brother, father, there. Plaku i ynë nuk ká dijtë se si me e përcaktue ket ndryshim të madh shqiptimit me shêje.

Nga kjo formë e posaçme e shkrolave e nga shqiptimi i fjalëve, me që ndonjani mund të dyshojë se Epirotët kanë ndonji afërsi me të folmen-predikuese-turke, tue ndejtë ata nën Perandorinë Turke e ligjet e saj, në fund të veprës, ka mundësi jo vetëm me numrue gërmat e shprehuna në turqisht e në shqip, por edhe me pa ndryshimet ndërmjet dy predikimeve, e dy gjuhëve.

SHTJEFËN GASPARI EPIROT, DURRSAK, NXȂNËS NË KOLEGJIN E PROPAGANDA FIDE, AUTORIT

Si burimi i ri Diell – Titan gëzime të reja tokës i jep ; dhe me dritën tânde të mbrêndshme pikturon ujnat. (Kështu) mendja jote o Frang të gjitha të mirat tokave ju nep. E ka me se me u lavdrue në lavdrimin e kândshëm. I bashkohen lavdet e përjetshme lavdisë për me e bâ përgjithmonë emnin tând të paharrueshëm.

Oroe. Këtu kishte me u dashtë t’ishte aquas e jo aqua. Aqua âsht nominativ singular e aquas âsht akuzativ plural. Kështu e kam përkthye.

I NJAJTI TË NJAJTIT

Dysticon = Distico = Dyvargësh

Oroe : Distico âsht nji çift vargjesh, nji gjashtëkambësh dhe nji pesëkambësh ose dy vargje qi bâjnë rimë ndërmjet tyne. Elegjia greke e latine përbâhet nga dyvargësha. Në rastin tonë i pari âsht nji gjashtëkambësh e i dyti nji pesëkambësh.

Nazoni bâni të njoftun Augustin, Homeri Akilin,

Por nuk do të ketë asnji qi të mund të shkruejë me të bâ të njoftun ty.

Oroe. Nasone (lat. Naso) âsht Publius Ovidius Naso. Ky âsht êmni i plotë i këtij poeti latin aq të përmêndun, i cili njifet mâ fort me êmnin e dytë Ovidius = Ovidio. Nevoja e poezís e ká shtŷ këtu poetin shqiptar të përdorë Naso.

VII

FRANCESCO AZZOPARDO MALTESE (Melita = Malta ; Melitensis = Maltese) NXȂNËS I TË NJȂJTIT KOLEGJ (të Prop. Fide).

Kush dishron me dijtë se çfarë gjuhe âsht e përhapun në krahinën e Epirit, duhet të këndojë me kujdes (këtë) libër. Ai do të gjejë thesaret qi Pallada (Zoja e Poezís) epirotase prodhoi, qi në vetvete janë monumente. Shijoje Epirin, gëzou me stemën Bardhi, qi dha prova të dênja për atdheun e vet (vargu i fundit nuk âsht qind për qind).

VIII

MATTEO DUDESIO, DALMATIN Absorens(ket vênd nuk e njoh) LEXUESIT

Vargjet 1 – 2 – Nëse dishron me njoftë (me dallue) qytetet (e shpërdame) në fushat e pafund të Epirit, (qytete qi gjinden jo larg nga toka argolike (dmth. greke).

Oroe : Rreshti i tretë âsht i zorshëm, pse nuk mundem kurrsesi me e kuptue se shka shenjon këtu fjala Lunis. Luna âsht hana (mund të jét edhe muej në shumës), përndryshej, mbas mendimit t’êm, nuk ká vetëm se nji hanë të njoftun prej nesh. Fjalë për fjalë kishte me kênë :

Vargjet 3 – 4 – Ku shpesh, të spërkatuna hanat me gjak otoman, Marsi (Zoti i luftës) Epirot shkatërroi (shpartalloi)krenët shitë.

Shitët, banorët e Skythia, qi asht nji krahinë mbî Dét të Zí, por kjo nuk ká nji shtrîmení të caktueme, e mund të shtyhet deri kthelltë n’Azí, prandej në ket rasë kuptohen Tyrqt.

Vargjet 5 – 6 – Këndoje këtê, lëvroje këtê e ruej me kujdes librin e vogël të gjuhës, i cili (libër) kallzon monumentet e atdheut të vet.

  I dashuni Mik,

U mundova me e perkthye sa mâ mirë ket latinishten klasike me tirqë të ktyne poetvet shqiptarë e tjerë. Poezít janë perherë të vështira. Persa i perket vendit kû janë le anotazioni, s’ka kurrnji dyshim.

Drue se ksaj herë mund të jét edhe ndoj gabim shtypit ase edhe ndoj gabim i kopjuesit, si p.sh. në rreshtin e parë, në vend të Sacrae âsht shkrue gabim Dacrae; në të pestin, rresht i parambram âsht crit (gabim) në vend të erit.

E kam perkthye italisht, pse per mue mâ kollaj, mbasi italishtja e latinishtja janë gjuhë motra.

Me shndet gjindem mirë. Tash nji javë qi po bân dimen pse sivjet e kemi pasë dimnin e butë. Gjith dimnin nuk ka rá borë. Por tash, ditët e mbrame, nuk po don me prâ bora. Âsht teper vonë tash, e po bâni në marc të xêtë, at herë âsht rrezik valangash. Të xêtit i ulë ortiqet teposhtë e mbysin njerzt e ngratë nder male. Bora qi bjen në fillim të dimnit, shkon tue u shkrî dalë-kadalë e nuk damton gjinden.

Këto rreziqe nuk i njifni ju andej.

Me sot po e kpus, pse u lodha sa s’ka me këto kater faqe.

Shum shndet e davlet.

Sot mora rivistën e N. Resulit e lexova vetem artikullin t’and : QUKRRIME GJUHSORE, pse sá per tjerë nuk po më lên kohë kjo letra e Jote.

  Edhe nji herë, shum shndet e të mira.

Graz, me 25 fruer 1955.                     

Miku i Juej

P. Margjokaj O.F.M.