< Viti 1967, kur Enver Hoxha ndaloi Biblën e Kuranin dhe vendosi botimin e librave të tij - Dossier - Kosova Sot
Viti 1967, kur Enver Hoxha ndaloi Biblėn e Kuranin dhe vendosi botimin e librave tė tij

Viti 1967, kur Enver Hoxha ndaloi Biblėn e Kuranin dhe vendosi botimin e librave tė tij

Dashnor KALOÇI

Vendimin e marrë nga Komiteti Qendror i PPSh-së në vitin 1967 për “mbylljen e objekteve të kultit dhe ndalimin e besimeve fetare”, gjë e cila dhjetë vjet më vonë (1976)u sanksionua dhe me ligj në Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, duke e bërë kështu Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë, shumëkush e lidh kryesisht me ndikimin dhe nën shembullin e “Revolucionit kulturoro-proletar” të ndërmarrë asokohe në Republikën Popullore të Kinës, nga “partia motër” e udhëhequr nga “timonieri i madh” Mao Ce Dun?! Por krahas këtij fakti që tashmë është i njohur, një vit më parë, (18 gusht 1966), ndërsa nuk kishte filluar ende sulmi dhe barbaritë e “organizatave të rinisë”, ndaj objekteve të kultit si dhe klerikëve të tre besimeve fetare, (Ortodoks, Katolik, Mysliman), Komiteti Qendror i PPSH-së, i udhëhequr nga Enver Hoxha, morri një vendim të veçantë. Atë të krijimit të një sektori të posaçëm pranë Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, (që drejtohej nga Nexhmije Hoxha), i cili do merrej me “botimin e dokumenteve dhe materialeve të Partisë së Punës së Shqipërisë”, që, në fakt, do të thoshte: “botimin e veprave të shokut Enver”. Dhe me këtë vendim që mban siglën “sekret” (shiko faksimilen përkatëse), Enver Hoxha ëndërronte dhe synonte që të fuste e radhiste veten e tij krahas katër klasikëve “Marks, Engels, Lenin, Stalin”. Por që të bëhej realitet kjo gjë, dhe ai të përjetësohej si “klasiku i pestë”, duheshin lënë të shkruara “mësimet dhe veprat” e tij, ashtu siç i kishin edhe udhëheqësit e tij shpirtëror, ideologët e marksizëm-leninizmit. Gjë e cila filloi që atë vit të vihej në zbatim, nën kujdesin e bashkëshortes së tij, Nexhmije Hoxhës, drejtoreshës së Institutit të Studimeve Marksise-Leniniste. Por për vendimin e marrë nga Enver Hoxha, lidhur  me botimin e veprave të tij, ka dhe një version tjetër: Që nga fillimi i viteve ’60-të, Enveri kishte filluar të kishte një farë xhelozie e smire ndaj shkrimtarëve, apo më saktë ndaj popullaritetit që ata gëzonin në popull. Kjo kuptohet, ndaj atyre shkrimtarëve që kishin një emër të madh, siç ishin: Agolli, Kadare, Shuteriqi, e ndonjë tjetër?! Të cilët, dhe jo vetëm këta, për hir të së vërtetës, duhet thënë se në atë kohë dhe më pas, jo vetëm që kishin një popullaritet të madh, por edhe se gëzonin shumë respekt në “masat punonjëse” e publikun e gjerë. Gjë e cila duhet thënë se vinte edhe për shkakun e thjeshtë se elita e shkrimtarëve dhe artistëve kishin një nivel dhe formim intelektual shumë më lart se Byroja Politike e K.Q të PPSH-së dhe gjithë pjesa tjetër e udhëheqjes komuniste, që linte shumë për të dëshiruar. Po kështu shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi ishin edhe më “afër masave”, ndërsa udhëheqja e lartë komuniste bënte një jetë të mbyllur dhe të izoluar nga populli i thjeshtë. Dhe gjithë këto “avantazhe”, po themi, të shkrimtarëve dhe artistëve ndaj elitës së udhëheqjes komuniste, vinin edhe për shkak të propagandës së madhe që bëhej asokohe për letërsinë, artin e kulturën në përgjithësi, gjithnjë në funksion të “vijës së partisë dhe edukimit komunist të masave”, siç thuhej rëndom nga propaganda zyrtare e kohës, ku si busull ishin “mësimet e shokut Enver”. Në kontekst të sa më sipër, thuhet se Enver Hoxha vendosi në vitin 1966 botimin e veprave të tij, duke u bërë kështu edhe “shkrimtar”?! Por që të botoheshin dhe publikoheshin “veprat e shokut Enver Hoxha”, duhej që më parë të zhdukeshin “Bibla” dhe “Kurani”, si dhe gjithë literatura e librat fetare me të cilat shqiptarët e katër komuniteteve fetare ishin ushqyer e lidhur shpirtërisht prej disa shekujsh. Dhe kështu ndodhi vërtet. Që në sulmet e para që iu bënë objekteve të kultit, kisha xhamia, manastire, teqe, seminare, etj., gjëja e parë që bëhej nga “organizata e rinisë” dhe “shokët e partisë” që i udhëhiqnin, ishte djegia e të gjithë librave dhe literaturës fetare që ndodhej në ato objekte. Pas këtyre vandalizmave që u bënë në mënyrë demonstrative në fillimin e fushatës kundra objekteve të kultit, në mënyrë që të mblidhej dhe të mos mbetej asnjë libër fetar, me vendim qeverie u sanksionua konfiskimi i të gjithë inventarit me libra dhe literaturë fetare që dispononin religjionet fetare e bibliotekat e tyre kudo në Shqipëri, (përfshi dhe ikonstase, e objekte e relike të tjera të rralla fetare), duke i kaluar ato në inventarin e Arkivit Qendror të Shtetit, muzetë, etj. institucione shtetërore. Që nga ajo kohë e në vijim (deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1990-’91),jo vetëm propaganda zyrtare, por edhe të gjitha strukturat e tjera të shtetit komunist, me në krye ato të “diktaturës së proletariatit” si Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, prokuroria, hetuesia, gjykata etj., godisnin dhe dënonin këdo që mund t’i gjendej ndonjë libër apo literaturë fetare. Aq e ashpër ishte lufta ndaj librave dhe literaturës fetare, saqë në atë kohë nën zë thuhej: “Më mirë të mbash dhe strehosh një diversant në shtëpi, se sa një Kuran apo një Bibël”. Dhe kjo ishte më se e vërtetë, pasi të detyruar nga represioni i egër i regjimit komunist, pothuaj pjesa më madhe e besimtarëve i hoqën ato nga shtëpitë e tyre dhe vetëm një pjesë e vogël i fshehën në vende të sigurta, duke shpresuar se një ditë do t’i nxirrnin përsëri?! Dhe kjo gjë konfirmohet dhe bëhet e ditur edhe nga dokumentet arkivore të asaj periudhe (1966-1990), të proceseve gjyqësore, ku janë të paktë ata shtetas që janë dënuar për “mbajtje dhe posedim” të librave dhe literaturës fetare. Ato tashmë ishin zëvendësuar me “serinë e veprave të zgjedhuar të shokut Enver” (rreth 70 libra) apo “materiale e dokumente të Partisë së Punës së Shqipërisë”, të cilat zinin jo vetëm bibliotekat tona, por shpërndaheshin kudo nëpër botë, tek “miqtë e Shqipërisë”. Pasi nën mësimet e marksizëm-leninizmit, ku “komunistët nuk kanë atdhe” dhe moton “Proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni”, Enveri synonte të “eksportonte” komunizmin e tij edhe në vende të tjera të botës?! Po sa ia arriti Enver Hoxha të bëhej edhe shkrimtar?! Duke përjashtuar tek tuk ndonjë libër, kryesisht ato me kujtime, si “Vitet e vegjëlisë”, “Midis njerëzve të thjeshtë”, apo ndonjë tjetri të kësaj natyre, që Enveri iu diktonte dhe nga incizimet më pas ktheheshin në “libra” nga njerëz të përzgjedhur enkas dhe të stafit të ngushtë të tij, pjesa tjetër e librave që mbajnë emrin e tij, si: “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, Imperializmi dhe revolucioni” “Shënime për Lindjen e mesme”, “Teoria dhe praktika e revolucionit”, etj. etj., sipas disa burimeve shumë të besueshme thuhet se janë shkruar nga fillimi në fund nga specialistë të fushave përkatëse të rekrutuar pranë stafit të tij apo Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. (Thuhet për profesorët e Ekonomisë Politike, H.B dhe E.L.). Po nga të njëjtat burime, thuhet se për librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, e cila konsiderohet ndër “veprat më të arrira” të Enverit, ai jo vetëm që nuk e shkroi vetë dhe nuk dha as edhe ndonjë orientim rreth tij, por as nuk e kuptoi kurrë se çfarë ishte shkruar aty?! Veç të tjerash sa më sipër lidhur me këto fakte është bërë e ditur publikisht edhe nga Dr. Hasan Luçi (ish-kuadër i lartë i Zbulimit Shqiptar, me detyrë në përfaqësitë tona diplomatike në Perëndim), i cili në librin e tij “Një sy diplomati nga Lindja e Perëndimi”, tregon se te libri i Enver Hoxhës, “Titistët” i botuar në vitin 1982, ai (Hasani) është autori i një kapitulli ku flitet për “Veprimtarinë e emigracionit reaksionar shqiptar jashtë shtetit”, (ai ruan ende edhe dorëshkrimin origjinal), gjë e cila asokohe ia kërkua nga një njeri i afërt i stafit të kabinetit të Enver Hoxhës, pa i dhënë shpjegime se përse duhet ajo gjë. Gjëra të kësaj natyre, i pranojnë, ndonëse jo publikisht, edhe të tjerë shkrues të “veprave” të Enver Hoxhës, të cilët pas viteve 90-të e në vijim, vazhdojnë po të njëjtin profesion, duke shkruar libra, por tashmë me emrat e tyre.
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Proletar të gjithë vendeve bashkohuni
SEKRETARIATI I K.Q.

V E N D I M
Nr. 136  datë 31.8.1966

MBI BOTIMIN E VEPRAVE TE PLOTA TE SHOKUT ENVER HOXHA

Komiteti Qëndror i PPSH-së, në vazhdim të vendimit të Sekretariatit të Komitetit Qëndror Nr.27/6 datë 16.8.1956, që bën fjalë midis të tjerash edhe për botimin e një përmbledhje në dy vëllime të fjalimeve, artikujve dhe materialeve kryesore të tjera të shokut Enver Hoxha për periudhën 1945-1956, me qëllim që të japi një nxitje akoma më të madhe edukimit komunist, revolucionar të anëtarëve të partisë dhe masave punonjëse të vendit tonë, për t’u ushqyer dhe armatosur këta me mësimet e marksizëm-leninizmit të përpunuara në mënyrë shumë korrekte dhe krijuese për kushtet e vëndit tonë në tezat e raporteve, fjalimeve, artikujve, letrave dhe bisedave të ndryshme të shokut Enver Hoxha.

V e n d o s i
1. Qysh këtë vit (1966) të fillohet nga botimi i veprave të plota të shokut Enver Hoxha.
2. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Insituti i Studimeve marksiste-leniniste pranë KQ të PPSH-së.
NE EMER TE KOMITETIT QENDROR
TE PARTISE SE PUNES SHQIPERISE
SEKRETARIATIT TE KQ. TE PPSH
HYSNI KAPO
Nr. 671 datë 1.IX.1966
Shtyp 3 ekz.
Ekz. Nr. 1-2 arkiva
Ekz. Nr. 3 Inst. Studimeve
Koncept. H.K.
Daktill. F.K.
Kontroll…….
31.8.1966
…………………………………
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Proletar të gjithë vëndeve bashkohuni
SEKRETARIATI I K.Q.
Sekret
V E N D I M
Nr. 180 Datë 16.12.1966
MBI KRIJIMIN E SEKTORIT TE BOTIMEVE PRANE INSITUTIT TE STUDIMEVE MARKSISTE-LENINISTE
Sekretariati i Komitetit Qëndror të PPSH-së, në mbledhjen e tij të datës 16.12.1966, mbasi mori në shqyrtim propozimin e paraqitur nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste,
V E N D O S I
1. – Të krijohet pranë Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste sektori i botimeve, i përbërë prej 5 vetash, një përgjegjës, dy bashkëpunëtorë shkencorë, një redaktor dhe një daktilografist. Me përjashtim të redaktorit që figuron në organikën e e Institutit, të katër të tjerët të shtohen.

2. Sektori i botimeve të merret me botimin e dokumenteve të Partisë së Punës së Shqipërisë.

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT QENDROR TE PARTISE SE PUNES SE SHQIPERISE
ENVER HOXHA

Nr. 1000 datë 19.XII.1966
Shtyp. 5 ekz.
Ekz. Nr.1-2 – arkiva
Ekz. Nr.3 Instit. Studimeve
Ekz. Nr.4 sektori i Kuadrit
Ekz. Nr. 5 Adminisrata
Koncept. S.M.
Daktill. F.K.
Kontroll…..
16.12.1966

(Ndreçi Plasari, Ramiz Alia)

(Kosova Sot)

22 orë e 2 minuta më parë