Na ishte një herë… Trikoja me rombe - Dossier - Kosova Sot
Na ishte një herë… Trikoja me rombe

Na ishte një herë… Trikoja me rombe

Raimonda Dervishi Shundi – Ky material i përket viteve ’83-’84. Kohë kur mekanizmat e shtetit shqiptar funksiononin çuditshëm në raport me atë që po jetojmë sot. Memoria na bën të jemi më të përgjegjshëm ndaj kohës së cilës i përkasim, duke reflektuar mbi atë ç’ka jetuam dhe që përballemi sot dhe në të njëjtën kohë informon të rinjtë e këtij realiteti se cilat ishin vlerat, rregullat, kufizimet dhe liritë e atyre viteve. Fokusi i këtij materiali është gardëroba shqiptare dhe mënyra se si visheshin të rinjtë në atë kohë.

Aktorët dhe artistët ishin dhe janë nga kategoritë e para të interesuara për kurimin e imazhit e tyre, ndaj në atë periudhë izolimi, vështirësitë shtoheshin mjaftueshëm për ta. Ajo çka e bën të rrëfyes sot këtë material, është dëshira dhe pikat e referimit me atë që është jetuar në ato vite, duke hapur arkivat personal që lexuesi, sidomos ai nostalgjik, të rishohë veten dhe pse jo… le të “qeshë” (nëse situatat ishin për të qeshur) me atë që ka lënë nga pas. Të visheshe hijshëm ishte një nga ambiciet dhe luftërat më studiuese teksa shëtisje në rrugët e zbrazura prej makinave të Tiranës së atyre viteve. Mjafton të shohësh fotot- nëpër arkiva të personazheve të njohur të kohës, ndesheshe me stilin e të rinjve apo brezave në përgjithësi.

Mjafton të shohësh festivalet, filmat, koncertet… dhe kupton cila ishte tendenca e kohës ku shpejt bëhej “modë”. Modë, e cila kalonte në strese, kërkime apo ndëshkime madje edhe nga më të çuditshmet. Funde me kuadrate, pala, fustane me lule apo pantallona “kauboj”, xhupa të shkurtër, pardesy apo pallto me kopsa të mëdha dhe të vogla. Ngjyrat ishin të përqendruara tek e zeza, grija, bluja, kafja.

Të errëta dhe kryesisht materiale jo fort të rehatshme. Të gjithë ishin të veshur njësoj dhe nga e njëjta ndërmarrje, fabrikë vendase (MAPO) si dhe rrobaqepësive shtetërore të çdo lagjeje nga ku modelet ishin të rekomanduara në katalogët e dyqanit. Katalogët ishin stilime, blloqe- rrobaqepësish, doracakë si dhe revista skicash që shiteshin në pikat e gazetave. Të gjitha të kontrolluara për të qenë në rregull me moralin dhe traditën shqiptare. Për të realizuar një model, klientit i duhej të paraqitej te mjeshtri minimumi katër herë, nga ku e para ishte marrja e masava, zgjedhja e modelit për të pasuar me provën e parë, të dytë dhe takimin final, ai i realizimit përfundimtar të modelit të kërkuar.

Image

 

Pra, në krye të një muaji klienti mundej ta gëzonte atë çka kishte porositur nëse gjithçka do të shkonte mirë. Kjo metodë “normale” krijonte pakënaqësi kryesisht te të rinjtë, pasi modelet ishin të limituara, unike, aspak të hijshme dhe nuk lejohej kategorikisht evidentimi i dekoltesë, pantallonat kauboj apo tub, materialet xhins, kadife … Pamundësia e gjetjes bënte që të kërkonin në rrugë private, por të rrezikshme. Ndonjë rrobaqepës më i guximshëm mund të kishte ndonjë katalog të huaj nga klientët e ambasadave apo artistëve të ansamblit shtetëror që mundeshin të dilnin jashtë kufijve. Ky katalog ruhej si bibla, por edhe kësaj “pasurie” nuk para i zgjaste shumë jeta, pasi ndonjë nga klientët me ose pa qëllim, ndillte punonjësit e instancave përkatëse te pronari i saj dhe natyrisht i konfiskohej “thesari” duke vijuar më pas me masën në varësi të “krimit” të bërë.

Image

 

Qytetarët ishin të asfiksuar nga rregullat dhe spiunët e kudondodhur, ndaj u duhej shumë kujdes në veprimet që kryenin. Rrobaqepësia ishte një nga profesionet e shumëndodhura dhe mundësonin pjesën më të madhe të punësimit për gratë. Një profesion, i cili, nëse dije ta organizoje mirë, të sillte të ardhura të mjaftueshme pasi mund të punoje privatisht edhe në qetësinë e shtëpisë. Kjo ishte mënyra më e përhapur në Tiranën (dhe jo vetëm) të atyre viteve. Por ekzistonte edhe dyqani i valutës. Quhej i tillë pasi lekët që tërhiqeshin në fund të 15- ditëshit (kështu tërhiqej rroga) konvertohej në valutë nëse do ta dëshiroje duke kryer blerjet që kishe kërkuar. Valuta ishte një letër me vlerë, e cila korrespondonte me shumën që t’i mund të konsumoje. Dyqani i valutës qe dyqani ku një pjesë e vajzave fatlume të viteve ’50, ’60, ’70 bënin pajën, por edhe kjo kënaqësi ishte vetëm për këtë periudhë. Me kalimin e viteve, situata e modës dhe alternativave për t’u veshur sa më hijshëm qe gjithnjë e më e pamundur. Prishja e raporteve me vendet e huaja ndikonte edhe në mënyrën e të bërit biznes. Tregtarët nuk ishin të lirë të udhëtonin në perëndim për të tërhequr trendet e fundit të mallrave që u interesonin, rrjedhimisht edhe klientët më të afeksionuar kërkonin forma dhe mënyra të tjera për të kënaqur shijen e tyre.

 

Image

 

Aktori dhe trikoja
Aktori X na rrëfen se si për pak jeta e tij dhe e familjes u vu në vështirësi serioze. Rastësisht dëgjoi nga i vëllai se dikush shiste një triko të “jashtme” me një çmim të lirë. Pra, edhe e bukur, por edhe e lirë! Si mund t’i humbiste kjo mundësi?! Trikoja me rombe u bë e preferuara e momentit, deri kur një mëngjes në derën e teatrit popullor ( sot kombëtar) dy policë po e prisnin jashtë. Përballja dhe prezantimi nuk ishte fort i këndshëm pasi e urdhëruan t’i ndiqte për në komisariatin. “Pa problem”, – i përgjigjet aktori, “sapo të kryej apelin.” (atëherë ishte fiks më 08.50). Të merreshe në pyetje nga hetuesitë e atyre viteve ishte një lojë që nuk mund t’ia uroje askujt. Pyetja e parë ishte se ku e kishte gjetur trikon që në atë moment e mbante në trup. “Je i akuzuar për vjedhje të trikos,” – I thanë hetuesit. ” Nuk e kam vjedhur, e kam blerë.” “Ku e ke blerë?!” “Unë vetë nuk e di se im vëlla e ka blerë.” “Atëherë tani shkojmë në shtëpi te vëllai të na tregojë se ku e ke marrë.” Me vajtjen në shtëpi shoqëruar nga policët, situata qartësohet dhe del se trikoja ishte vjedhur dhe shitur më pas te aktori. Natyrisht malli u konfiskua dhe situata u qetësua pa u dëmtuar blerësi, që në rastin konkret ishte aktori, vetëm sa mbeti pa pulovrën e tij të preferuar.


Artistët vazhdimisht ishin në stresin se ku do të mund të visheshin për aktivitetet e radhës dhe kontrabanda (blerjet private nga persona të cilët punonin jashtë) apo “veshjet borxh” nga dikush që i sillte nga vende të huaja, ishte rruga më e njohur. Kishte raste kur aktorëve të ndryshëm edhe pas sakrificave të tilla i hiqeshin çizmet para setit të xhirimit se ishin shumë “moderne”, situata me të cilat tashmë ata qenë ambientuar fatkeqësisht.

9 orë e 17 minuta më parë
25/09/18